E katërta nga një seri me shtatë pjesë mbi lirinë fetare ndërkombëtare

Të Drejtat Njerëzore dhe Përgjegjësitë Njerëzore

Burre i moshuar duke mesuar femijet

Qëllimi i lirisë është më i madh se liria. Çështja është të jesh i lirë për diçka, për dikë. Të drejtat fillojnë me individin por nuk mbarojnë atje. Ne e gjejmë veten tonë më të njëmendtë në familje, miqësi, lagje, kauza dhe bashkësi fetare. Këto dy anë të lirisë – vetja dhe komuniteti – e përforcojnë dhe i japin kuptim njëra-tjetrës.

Ne të gjithë kemi të drejta thjesht ngaqë jemi njerëz. Ato janë të qenësishme dhe të patjetërsueshme, jo thjesht një dhuratë prej atyre që ndodh të jenë në pushtet.

Të drejtat nuk funksionojnë pa përgjegjësitë. Dhe përgjegjësitë nuk funksionojnë pa një qëllim më të lartë. Veprimi sipas detyrës së mistershme dhe të shenjtë që ndiejmë kundrejt njëri-tjetrit është zami i shoqërisë.

Në vitin 1948, pas Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit, udhëheqës nga kombe nga gjithë bota u bashkuan për të hartuar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Ky dokument pohon se çdo njeri – pavarësisht nga feja, raca, gjinia apo kombësia – zotëron të drejtën e jetës, lirisë, sigurisë, mbrojtjes së barabartë nga ligji dhe lirinë e mendimit, të fjalës dhe të fesë. Edhe pse jo gjithmonë e respektuar, deklarata jep norma morale për mënyrën se si duhet të trajtohen njerëzit në ligjin ndërkombëtar dhe kushtetutat kombëtare.

Këto ligje na japin edhe të drejta, edhe detyrime – ne meritojmë dinjitet për veten dhe kemi detyrim respektin ndaj të tjerëve. Nuk mund të flasim mbi të drejtat pa folur mbi përgjegjësitë. Dhe nuk mund të flasim mbi përgjegjësi pa qenë pjesë e një komuniteti. Të drejtat njerëzore kalojnë përtej vetes sonë te marrëdhënie me të tjerët. Dashuria që i lidh njerëzit bashkë nuk merr shtysë nga të drejtat, por nga detyrimet.

Ka pak vlerë të jesh i vetëm në liritë tona.

Si komplet parimesh të zakonshme, të drejtat njerëzore përfaqësojnë një arritje të madhe. Por parimet nuk zbatohen vetvetiu. Janë institucionet e këndshme si kishat, jo trupat ligjore ndërkombëtare, që e ushtrojnë dhe bëhen shembull i punës së ndërtimit të komunitetit. Xherald Filsoni, drejtor i çështjeve me publikun i Baha-it në Kanada, tha se fetë japin një “ndihmesë të pamasë për mirëqenien shoqërore, shëndetin, arsimin, qëndrueshmërinë e familjes në një gamë forcash pozitive në shoqëri dhe e bëjnë këtë duke u mbështetur, jo tek të drejtat, por te virtytet e tyre të sakrificës, bujarisë, dashurisë për hyjnoren e kështu me radhë”. [1]

Feja është një shkollë për kapital shoqëror. Ajo u mëson njerëzve zakonet e lidhjes njerëzore, punës në grup dhe zgjidhjes së problemeve. Besimtarët krijojnë shërbime bamirësie, kuzhina për të varfrit, strehë për të pastrehët, jetimore, spitale, misione mjekësore, grupe të rinjsh dhe ndihmesë për ndihma humanitare, ndihma për fatkeqësi natyrore dhe projekte shërbimi për të varfrit dhe të moshuarit. Ky gërshetim unik burimesh i siguron aspiratat për të drejtat njerëzore dhe e përkrah punën e qeverive. Dhe, me fjalët e studiuesit Dan Mek-Kanan, “komunitetet me besim të fortë u japin anëtarëve të tyre forcë për ta sfiduar padrejtësinë në një shoqëri më të gjerë”. [2]

Liria e fesë apo besimit, për këtë arsye, është një e drejtë njerëzore themelore. Pa të, thotë studiuesi i drejtësisë Bret Sharfsi, “i gjithë projekti i të drejtave njerëzore mund të rrëzohet nga vetë pesha e tij”. [3]

Është e lehtë të mendosh se të drejtat njerëzore fillojnë në një gjykatë apo trupë këshillimore diku larg. Por Eleanor Rusvelti, kryetare e Komisionit të Parë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, tha se ato fillojnë “në vende të vogla, pranë shtëpisë – aq afër dhe aq të vogla saqë nuk mund të shihen në asnjë hartë të botës. Dhe përsëri ato janë bota e çdo personi: Lagjja ku ai banon; shkolla apo kolegji ku mëson; fabrika, ferma apo zyra ku punon. Të tilla janë vendet ku çdo burrë, grua dhe fëmijë kërkon drejtësi të barabartë, mundësi të barabartë, dinjitet të barabartë pa diskriminim. Nëse këto të drejta nuk kanë kuptim atje, ato nuk kanë kuptim askund tjetër”. [4]

Këto vende të vogla bëjnë më shumë se të na marrin kohën dhe punën tonë; ato na stërvitin edhe shpirtin. “Ne nuk fillojmë t’i qasemi një zgjidhjeje të problemeve tona”, shkroi ajo, “derisa ta pranojmë faktin se ato janë shpirtërore”. [5] Të drejtat nuk funksionojnë pa përgjegjësitë. Dhe përgjegjësitë nuk funksionojnë pa një qëllim më të lartë. Veprimi sipas detyrës së mistershme dhe të shenjtë që ndiejmë kundrejt njëri-tjetrit është zami i shoqërisë.


[1] Gerald Filson, “Interreligious Cooperation, Religious Rights and Pluralism,” paraqitur në Simpoziumin Vjetor 2016 të Qendrës Ndërkombëtare për Studime të Drejtësisë dhe Fesë në Universitetin Brigam Jang, 2-4 tetor 2016.

[2] Shih Dan McKanan te “How Religion Strengthens Community,” Zocalo, 19 tetor 2010.

[3] Brett G. Scharffs, “Why Religious Freedom? Why the Religiously Committed, the Religiously Indifferent and Those Hostile to Religion Should Care,” Social Science Research Network, 4 shkurt 2017.

[4] Eleanor Roosevelt, “Where Do Human Rights Begin?” në Courage in a Dangerous World, botim i Allida M. Black (2000), f. 190.

[5] Eleanor Roosevelt, “Where Do Human Rights Begin?”, 5