Çorli, Angli

Të Rinjtë e të Rejat Europiane në Moshë Madhore Kremtojnë Besimin dhe Miqësinë në Konferencën Historike 

image
Rreth 1500 të rinj e të reja në moshë madhore nga 24 vende u mblodhën në Lenkëshër të Anglisë, për Konferencën inauguruese “Një‑nga‑Një” të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Më 29−31 maj, rreth 1500 të rinj e të reja në moshë madhore nga 24 shtete u mblodhën në Lenkëshër të Anglisë, për Konferencën inauguruese Një nga Një të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ngjarja më e madhe e këtij lloji për të rinjtë e të rejat në moshë madhore në Europë.

Gjatë tri ditëve, pjesëmarrësit morën pjesë në projekte shërbimi, takime shpirtërore dhe seminare, adhurim në tempull, veprimtari sportive dhe në skuadra, si dhe mundësitë për të ndërtuar miqësi afatgjata me të rinj e të reja të tjera në moshë madhore nga e tërë Europa. Konferenca e shquar përfshiu dy takime të veçanta shpirtërore me Plakun Klark G. Gilbert, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

E organizuar në vendin e Tempullit të Prestonit në Angli dhe në qendrën e Klubit të Futbollit “Burnley”, tema e konferencës së këtij viti, “Një nga Një”, pasqyron një përqendrim më të gjerë në Zonën e Europës Veriore mbi dishepullimin vetjak, përgatitjen për të marrë ordinancat e shenjta të tempullit dhe ndihmën ndaj të tjerëve për të përparuar përgjatë shtegut të besëlidhjeve. Gjithashtu ajo thekson të parit e çdo individi si një fëmijë i dashur i Perëndisë, me vlerë të pashoqe dhe potencial hyjnor − një theks që ishte i dukshëm gjatë gjithë fundjavës.

image
Rreth 1500 të rinj e të reja në moshë madhore nga 24 vende u mblodhën në Lenkëshër të Anglisë, për Konferencën inauguruese “Një‑nga‑Një” të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Nisja me një Përqendrim tek Tempulli

Një çast kulmor për shumë pjesëmarrës ishte mundësia për të adhuruar së bashku në Tempullin e Prestonit të Anglisë në Çorli. Për të rinjtë e të rejat në moshë madhore që kishin udhëtuar nga 24 shtete, tubimi në Tempull ofroi një kujtues për besimin që i bashkon ata pavarësisht nga kulturat, gjuhët dhe prejardhjet e tyre të ndryshme.

“Kishte diçka vërtet të fuqishme në të qenit së bashku brenda në tempull”, − tha Konor Hjuzi, një i ri në moshë madhore nga Çorli i Anglisë. Ai shtoi: “Pavarësisht nga kulturat dhe prejardhjet tona të ndryshme, na dukej sikur të gjithë ishim pjesë e një familjeje me të njëjtat qëllime. M’u kujtua se të gjithëve Perëndia na do njësoj.”

Për Kai Korin nga Bedfordi, përvoja e adhurimit së bashku në fillimin e konferencës ndihmoi të krijohej atmosfera dhe një frymë uniteti që vazhdoi gjatë gjithë fundjavës.

“Nderimi për tempullin dhe marrëdhëniet e ngushta që arritëm të krijonim atje, patjetër patën ndikim të madh në veprimtaritë e së shtunës dhe gjatë gjithë pjesës tjetër të konferencës”, − tha ai.

image
Rreth 1500 të rinj e të reja në moshë madhore nga 24 vende u mblodhën në Lenkëshër të Anglisë, për Konferencën inauguruese “Një‑nga‑Një” të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Të Bashkuar në Besim dhe Shërbim

Të shtunën, të rinjtë e të rejat në moshë madhore u mblodhën në qendrën e klubit “Burnley FC”, një nga klubet më të famshme të futbollit anglez. Gjatë gjithë ditës, pjesëmarrësit punuan krah për krah në projekte shërbimi duke përkrahur organizatat vendore të bamirësisë, morën pjesë në veprimtari në skuadra dhe u mblodhën për një takim shpirtëror me Plakun Klark G. Gilbert.

Duke punuar në skuadra anembanë stadiumit, pjesëmarrësit përgatitën pako ushqimore për klubin e futbollit “Burnley” në bankën e ushqimit të komunitetit dhe paketuan më shumë se 1500 pako për higjienën për organizatën “Lancashire Women and Safenet”. Këto organizata ofrojnë përkrahje praktike për individët dhe familjet që përballen me vështirësi, përfshirë gratë dhe fëmijët e prekur nga keqtrajtimi në familje. 

image
Rreth 1500 të rinj e të reja në moshë madhore nga 24 vende u mblodhën në Lenkëshër të Anglisë, për Konferencën inauguruese “Një‑nga‑Një” të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Për Rozën nga Njukasëll‑andër‑Lajmi, projekti i shërbimit nxori në pah se sa shpejt mund të krijohen miqësi kuptimplota kur njerëzit bashkohen për të përkrahur njerëzit nevojtarë.

“Është e mahnitshme që mund të bëhesh bashkë me njerëz që nuk i njeh dhe të krijosh me të shpejtë lidhje kaq të forta ngaqë po u shërben njerëzve të tjerë”, − tha ajo. “Kishim rreth dhjetë njerëz në grupin tonë dhe unë njihja vetëm disa prej tyre, por në fund u ndjeva krejtësisht ndryshe.”

Ajo shtoi: “Sa e mahnitshme është të jesh në një vend me njerëz nga kaq shumë shtete të ndryshme, të gjithë duke punuar së bashku për të njëjtin qëllim”.

Pas projektit të shërbimit, të rinjtë e të rejat në moshë madhore dolën në fushën e lojës së klubit të futbollit “Burnley”. Stadiumi, që normalisht është qendër e futbollistëve të nivelit botëror, mikpriti një pasdite me veprimtari për krijimin e unitetit, me sporte dhe gara miqësore. Nga patinazhi me 4 rrota e deri te hedhja e sëpatave të buta, të rinjtë e të rejat në moshë madhore përqafuan mundësinë për të dalë nga zonat e tyre të rehatisë, për të takuar njerëz të rinj dhe për të forcuar miqësitë e formuara gjatë gjithë fundjavës.

Madalena, një e re në moshë madhore nga Londra, komentoi: “Megjithëse, zakonisht nuk jam një frekuentuese e madhe tubimesh, kjo ishte një ditë fantastike. Ka një gumëzhitje energjie që vjen nga të qenit në një stadium plot me njerëz si vetja. Pata mundësinë të takohesha me kaq shumë miq të vjetër nga faza të ndryshme të jetës sime dhe takova njerëz të rinj nga kudo, nga Gallueji e deri në Peru… Të ndihmosh të tjerët, të lidhesh si komunitet dhe të festosh me muzikë të fillimit të viteve 2000 është thelbi i të qenit shenjtor i ditëve të mëvonshme!”

Për shumë pjesëmarrës, njëri nga aspektet më mbresëlënës të konferencës, ishte të shihnin sa i madh qe tubimi dhe të takonin të rinj e të reja të tjera në moshë madhore që kishin besimin dhe vlerat e tyre.Izabela nga Limeriku në Irlandë tha: “Është e mrekullueshme, nuk prisja kaq shumë njerëz! Është mrekulli të jem këtu me kaq shumë njerëz dhe të di që ka kaq shumë njerëz të moshës sime që kanë të njëjtat standarde me mua; është mahnitëse!”

‘Mbajeni Mend Identitetin Tuaj Hyjnor’, − inkurajon Plaku Gilbert

Plaku Klark G. Gilbert, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, iu bashkua të rinjve dhe të rejave në moshë madhore në Klubin e Futbollit “Burnley” të shtunën në mbrëmje. Duke ftuar disa nga organizatorët dhe pjesëmarrësit e konferencës së Të Rinjve dhe të Rejave në Moshë Madhore që të reflektonin mbi përvojat e tyre, ai theksoi frymën e unitetit, shërbimit dhe përkatësisë që e kishte karakterizuar tubimin.

Duke u mbështetur në këshillën e dhënë më parë nga Presidenti Rasëll M. Nelson, Plaku Gilbert i nxiti pjesëmarrësit që të kujtojnë identitetin e tyre të përjetshëm dhe rolin që ai luan për t’u dhënë formë zgjedhjeve më të rëndësishme të jetës.

“Ajo që na bashkon të gjithëve është se gjithkush këtu, çdo njeri këtu, është një fëmijë i Perëndisë”, − tha ai. “Çdo njeri këtu ka mundësinë të jetë një fëmijë i besëlidhjes dhe secili prej nesh mund të përpiqet fort që të jetë një dishepull i Jezu Krishtit.

Duke reflektuar mbi më shumë se 1500 të rinjtë e të rejat në moshë madhore, që i pa të mbledhur nga e gjithë Europa, Plaku Gilbert vuri në dukje se, ndërkohë që pjesëmarrësit vinin nga vende, kultura dhe prejardhje të ndryshme, ata ishin të bashkuar nga një besim i përbashkët te Jezu Krishti.

Duke folur për bisedën e Presidentit Nelson, të titulluar Zgjedhjet për Përjetësinë, ai dha mësim se të kuptuarit e identitetit hyjnor nga njeriu i siguron atij drejtim e qëllim në jetë. “Sa shumë zgjedhje bëhen më të lehta nëse e dini kush jeni”, − tha ai.

Ai i nxiti të rinjtë e të rejat në moshë madhore që të mbanin mend se identitetet e bazuara në arsimim, politikë ose interesat vetjake mund të ndryshojnë me kalimin e kohës, por që identiteti i tyre si fëmijë të Perëndisë, fëmijë të besëlidhjes dhe dishepuj të Jezu Krishtit siguron një themel afatgjatë.

Siç vërejti Plaku Gilbert: “Ajo që i bënte të gjithë bashkë”, nuk ishte se nga vinin, por besimi dhe vlerat që kishin.

Duke iu drejtuar të rinjve e të rejave në moshë madhore, Alen Pejsi, Kryetari i klubit të futbollit “Burnley”, falënderoi pjesëmarrësit për ndihmesën e tyre ndaj komunitetit vendor dhe i nxiti të qëndrojnë të zotuar ndaj qëllimeve dhe besimit të tyre gjatë gjithë jetës.

“Ju lutem që të bëni gjithçka që mundeni për t’i jetuar ëndrrat tuaja”, − tha ai. “Sepse gjëra të tilla vijnë nga të jetuarit e atyre ëndrrave.”

Duke u mbështetur te një përvojë nga rinia e vet, Pejsi e krahasoi jetën dhe dishepullimin me ngjitjen e një mali: “Kur isha fëmijë, mësova se më pëlqente ngjitja në male. Gjatë rrugëtimit drejt majës, shpesh ndalesha sepse nuk isha i sigurt nëse doja ta bëja të gjithë përpjekjen që do të duhej për të arritur atje. Nganjëherë udhëheqësit e mi do të më jepnin kurajë që të më ndihmonin të kuptoja se ende dëshiroja ta vazhdoja në atë udhëtim. Ju keni mundësi për të dëgjuar një Apostull të Zotit [këtë fundjavë], për t’ju dhënë kurajë që të qëndroni në atë udhëtim drejt kthimit për tek Ati juaj Qiellor. Merreni për zemër këtë inkurajim. Ai e ka me tërë mend. Ati juaj në Qiell dëshiron që çdonjëri prej jush të kthehet tek Ai.”

Një nga Një: Të Kuptuarit e Vlerës së Çdo Fëmije të Perëndisë

Një tipar përcaktues i konferencës ishte roli i rëndësishëm që vetë të rinjtë e të rejat në moshë madhore e luajtën në planifikimin dhe zhvillimin e aktivitetit. Dhjetëra vullnetarë dhanë orë të panumërta për të organizuar veprimtari, për të bashkërenduar logjistikën dhe për të krijuar mundësi që të tjerët të lidhen, të adhurojnë e të shërbejnë.

“Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje, është të shoh të rinj e të reja në moshë madhore jo vetëm që marrin pjesë, por edhe e drejtojnë këtë konferencë”, − tha Plaku Skot Spenser, një I Shtatëdhjetë Zonal me përgjegjësi për konferencat e të Rinjve dhe të Rejave në Moshë Madhore në Zonën e Europës Veriore. “Dhjetëra të rinj e të reja në moshë madhore ofruan vullnetarisht orë të panumërta për të planifikuar, organizuar dhe zhvilluar këtë ngjarje, duke krijuar një përvojë që e ka forcuar besimin, ka krijuar miqësi dhe i ka ndihmuar të tjerët të ndiejnë se kanë përkatësi.”

Ai shtoi: “Unë besoj se shumë do të largohen me një vetëbesim më të madh në marrëdhënien e tyre me Jezu Krishtin dhe në aftësinë e tyre për të bekuar jetën e njerëzve të tjerë”.

Motra Ema Uejdi, Këshilluese Zonale për Organizatat në Zonën e Europës Veriore, tha se njëri nga aspektet më të fuqishme të konferencës ishte të shihte të rinj e të reja në moshë madhore nga kombe dhe prejardhje të ndryshme që bashkoheshin në besim.

“Ata kanë adhuruar së bashku, kanë shërbyer së bashku dhe kanë formuar miqësi përtej kufijve kombëtarë, kulturorë dhe gjuhësorë”, − tha ajo. “Përvoja ka treguar se besimi te Jezu Krishti ka fuqinë t’i bashkojë njerëzit dhe të krijojë një ndikim afatgjatë e pozitiv në jetën e tyre.”

Plaku Alen Filips, i Presidencës së Zonës së Europës Veriore, tha se TRMMB‑të janë e ardhmja e Kishës në Europë. “Duke qenë se kam shërbyer me ta në FSY për vite me radhë, e kam parë vetë këtë gjë. Ata udhëheqin, japin mësim, shërbejnë dhe këshillojnë në mënyra që nuk i kemi dëshmuar më parë. Shumë prej tyre kanë shërbyer në misione dhe janë gati të ndihmojnë për ta udhëhequr Kishën sot.”

“Ne i nxitim udhëheqësit e lagjeve dhe të kunjeve që ta dallojnë potencialin e tyre. Nëse do të mund të shihnit atë që pamë ne në këtë fundjavë, do ta vendosnit çdo të ri ose të re në moshë madhore në vijën e parë të kësaj vepre të shkëlqyer. Kemi nevojë për ta në Peshkopata, Presidenca të Shoqatës së Ndihmës dhe Këshilla të Kunjit.”

Duke reflektuar mbi konferencën, Plaku Filips tha: “Ajo që kemi dëshmuar këtë fundjavë, është një brez mbresëlënës i të rinjve dhe të rejave në moshë madhore që zgjedhin besimin, shërbimin e dishepullimin. Miqësitë e krijuara, shërbimi i ofruar dhe përvojat shpirtërore të treguara do të vazhdojnë shumë kohë pasi konferenca të ketë mbaruar. Shpresojmë që këta të rinj e të reja në moshë madhore të kthehen në shtëpi të forcuar në zotimin e tyre ndaj Jezu Krishtit dhe të frymëzuar për të bekuar familjet, bashkësitë dhe komunitetet e tyre: një nga një.”

Nga Tempulli i Prestonit në Angli deri te klubi i futbollit “Burnley”, konferenca pasqyroi temën e saj qendrore, “Një‑nga‑Një”, se çdo person është një fëmijë i dashur i Perëndisë me potencial hyjnor dhe se ndryshimi afatgjatë shpesh fillon nëpërmjet veprimeve individuale të besimit, shërbimit e miqësisë.