
Në grumbullimet e familjes Stjuart, një lojë së cilës gjithmonë i fshihet pluhuri, është loja “monopoli”. Nganjëherë, mund të ndihesh në jetë si në një lojë monopoli. Gjatë një veprimtarie familjare kohët e fundit bashkëshortja ime, Eilsa, më pyeti: “Pse je përherë kaq i gëzuar kur e luan këtë lojë të mërzitshme?” Përgjigjja ime ishte e thjeshtë. Është rreziku gjatë luajtjes së lojës që më pëlqen, jo fitorja apo humbja.
Krijuesja e famshme e konceptit të lojës, Lizi Megi[1], ishte bijë e emigrantëve skocezë. “Loja e jetës” e quajti ajo atë lojë, me qëllimin e të përjetuarit drejtpërdrejt se si ndihesh kur grumbullon pasuri ose kur humbet pasuri. Loja u bë e famshme nga kuejkërat, të cilët e vlerësuan atë si shumë të çmuar për ta treguar kapitalizmin nën një dritë të re. Çarls Darou e çoi atë drejt suksesit tregtar dhe u bë një milioner. Në dallim, Lizi, në mënyrë ironike, nuk mori asgjë.

Si kërkues të Jezu Krishtit, loja jonë e jetës rrotullohet përreth gjetjes së Tij[2]. Kërkimi i Jezu Krishtit është një privilegj kur e kupton se Ai e ka shtruar udhën që ne edhe ta gjejmë Atë edhe të bëhemi si Ai. Kam zbuluar se të qenit kujdestar mirënjohës po e sjell gjithë ndryshimin tek unë në rrugëtimin tim drejt Tij.
Emri i familjes sonë e ka zanafillën nga kujdestarë të shquar të Skocisë. Roli i Sjuartëve si shërbëtorë bëri që ata më së fundmi të bëheshin një brez mbretërish. Po ashtu, si kërkues të Jezu Krishtit, ne jemi shërbëtorë, të shenjtëruar nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, që të bëhemi si Ai.
Motoja e familjes sonë është: “Virescit vulnere virtus”, e cila përkthehet si: “Guximi shtohet shumë me një plagë”. Kam zbuluar që guximi im është më i forti kur unë, si kujdestar, e kuptoj se ku shtrihet qëllimi dhe fuqia ime reale.
Një zbulesë, e dhënë në Kirtland të Ohajos nga Profeti Jozef Smith në vitin 1831, trajton rëndësinë e kujdestarisë: “Dhe në të vërtetë në këtë gjë ju keni vepruar me mençuri, sepse kërkohet prej Zotit, nga dora e çdo kujdestari, të bëjë një rrëfim të kujdestarisë së tij, si në kohë, edhe në përjetësi”[3]. Kjo kujdestari është qendrore për premtimet përfundimtare ndaj kujdestarëve besnikë. “Cili është, pra, ai shërbëtor besnik dhe i mençur … [të cilit] ai do t’ia besojë administrimin e gjithë pasurisë së vet.”[4]
E përafërt me lojën e monopolit, e kundërta e të qenit një kujdestar, është të jesh një zotërues mosmirënjohës. Pronësia mund të përcaktohet si thënia se ajo që është më e rëndësishmja për mua, është ajo që zotëroj.[5] Nga ana tjetër, kujdestaria është që ajo që është më e rëndësishmja për mua, është se kush ma dha atë mua ose ia besoi atë përkujdesjes sime.[6] Mënyra se si e luajmë lojën e jetës, mund të jetë shndërruese kur e kuptojmë se kujt i shërbejmë dhe kur përpiqemi t’i përmirësojmë veprimtaritë (rrezikun) që ndodhin në rrugëtimin tonë nëpër tabelë në lojën e madhe të jetës.
Sikurse në monopoli, ku ndieni gëzim kur blini kartën e rrugës së parkut të famshëm, ose të kundërtën, kur përfundoni me kartën e një shansi shkatërrues, apo në disa raste, të gjitha paratë tuaja i humbni thjesht me hedhjen e një zari, loja e jetës do të japë si të mirën ashtu edhe të keqen, lumturi si edhe trishtim. Apostulli Pal theksoi tiparin që na nevojitet që të bëhemi kujdestarë të jashtëzakonshëm: “Për çdo gjë falënderoni”[7].
Si një kujdestar mirënjohës, jeta jonë mund të marrë një kuptim më të madh sesa çdo gjë që ofron bota, jeta jonë mund të jetë njëmend një kanavacë për lavdinë e Perëndisë, siç e shprehu Davidi në psalmet se “Perëndia është zotëruesi”. “Zotit i përket toka dhe të gjitha gjërat që janë mbi të, bota dhe banorët e saj.”[8]
Ju ftoj të bëheni një kujdestar besnik teksa luani këtë lojë sfiduese të jetës. Nëse jemi besnikë, ne përkrahemi nga shpresa që është në Jezu Krishtin dhe premtimet e Tij për ne.
“Ai do t’ia besojë administrimin e gjithë pasurisë së vet.”
Në emrin e Jezu Krishtit, amen.
Shënime:
[1] The New York Times, Monopoly’s inventor: The progressive Who didn’t pass go. (2015)
[2] Ethëri 12:41
[3] Doktrina e Besëlidhje 72:3
[4] Mateu 24:45–47
[5] Oxford Dictionary (ownership) [pronësi]
[6] Merriam-Webster Dictionary (stewardship) [kujdestari]
[7] 1 Thesalonikasve 5:18
[8] Psalmeve 24:1