
Besimi im në Jezu Krisht është themeli i jetës sime. Është dëshira ime më e madhe që unë dhe familja ime të ribashkohemi me Të dhe Atin tim Qiellor një ditë.
Qëllimi i Kishës së Jezu Krishtit është ta ftojë këdo të vijë te Krishti dhe të marrë shpëtim nëpërmjet Tij. Megjithatë, në botën tonë bashkëkohore, nuk është e lehtë ta forcosh besimin tonë te Shpëtimtari. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Kundërshtari po i rrit sulmet e tij mbi besimin dhe mbi ne dhe familjet tona me një shkallë eksponenciale. Që të mbijetojmë shpirtërisht, kemi nevojë për strategji kundërvepruese dhe plane paravepruese.”1
Një nga strategjitë kundërvepruese që na dha Zoti nëpërmjet profetit të Tij, është “një Kishë [e] përqendruar te shtëpia, [e] përkrahur nga ajo që ndodh brenda ndërtesave tona të degës, lagjes dhe kunjit”2. Studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta i përkrahur nga udhëzuesi i studimit “Eja, Më Ndiq”, do të jetë thelbësor në shndërrimin e shtëpive tona në “shenjtërore besimi”3.
Megjithatë, a e ka vërtet studimi i shkrimeve të shenjta fuqinë për ta bërë këtë?
Disa vite më parë, më duhej të merresha me një problem të vështirë. M’u bë e qartë se duhej të arrija një nivel shpirtëror më të lartë për ta përballuar këtë sfidë. Si rrjedhim, u luta për të zbuluar se çfarë duhej të bëja për të zhvilluar më shumë forcë shpirtërore. Si përgjigje për lutjet e mia, mora nxitjen që ta studioja Librin e Mormonit me më shumë zell se kurrë më parë. E kisha lexuar Librin e Mormonit shumë herë më parë, por vendosa që ta studioja më thellësisht dhe me më shumë lutje se kurrë më parë. Si rrjedhim, unë mund ta ndieja shpirtshmërinë time të rritej çdo ditë, besimin tim te Jezu Krishti të forcohej dhe m’u dha guxim për ta përballuar problemin tim.
Me të vërtetë, nga shkrimet e shenjta buron një fuqi shpirtërore për të cilën kemi nevojë kaq urgjente në kohën tonë. Në shkrimet e shenjta gjejmë përgjigje për pyetjet më të rëndësishme të jetës sonë. Kur i studiojmë shkrimet e shenjta çdo ditë si familje ose miq dhe tregojmë mendimet dhe përvojat tona, ne e forcojmë lidhjen tonë me njëri‑tjetrin dhe me Atin tonë Qiellor.
Kush mund ta kishte imagjinuar, kur u paraqit udhëzuesi i studimit “Eja, Më Ndiq” dhe Presidenti Nelson na tha se ishte koha për ta “shndërruar shtëpinë [tonë] në një qendër të të mësuarit të ungjillit”4, që ne do të zbulonim pak muaj më vonë se mundësia jonë për të shkuar në kishë për ushqim shpirtëror do të ishte shumë e kufizuar? Ne vetëm mund t’i jemi mirënjohës Zotit që na përgatiti në kohë për këtë periudhë!
Familja ime dhe unë personalisht ndihemi shumë të bekuar nga udhëzuesi i studimit “Eja, Më Ndiq”. Me planet tona ditore të ngjeshura dhe shumë interesa e përgjegjësi, nuk është gjithmonë e lehtë që ne të gjejmë kohën dhe qetësinë që na nevojiten për t’i lexuar dhe studiuar shkrimet e shenjta së bashku çdo ditë. Ne duhej ta bënim atë një përparësi që të funksiononte me të vërtetë. Jo çdo herë që e studiojmë ungjillin si familje përjetojmë vërtet një derdhje shpirtërore, por studimi ynë i përditshëm i shkrimeve të shenjta na ndihmon jashtëzakonisht që ta njohim më mirë Shpëtimtarin, që ta ftojmë Shpirtin e Tij në shtëpinë tonë dhe ta zvogëlojmë ndikimin e kundërshtarit brenda familjes sonë.
Fola me disa familje dhe i pyeta për përvojat e tyre me udhëzuesin “Eja, Më Ndiq”. Ishte interesante të kuptoje se çdo familjeje iu desh të gjente mënyrën e vet për sa i përkiste kohës se kur t’i studionin shkrimet e shenjta së bashku dhe mënyrës se si ta përdornin manualin “Eja, Më Ndiq” si udhëzues. Megjithatë, çdo familje që me lutje kërkoi zbulesë për mënyrën se si ta bënte atë më mirë, ishte në gjendje të përjetonte bekimin që lidhet me të.
Na ndihmofshin përpjekjet tona të përditshme për t’i studiuar shkrimet e shenjta që të kthehemi me të vërtetë në besim, që ta njohim Krishtin më mirë dhe të bëhemi më shumë si Ai!
Shënime
1. Rasëll M. Nelson, “Fjalët e Hapjes”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018
2. Rasëll M. Nelson, “Fjalët e Hapjes”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018
3. Rasëll M. Nelson, “Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018 4. Rasëll M. Nelson, “Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018