Simboli i Ri i Kishës Thekson Vendin Qendror të Shpëtimtarit

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka një simbol të ri për ta përcaktuar organizatën fetare. Profeti dhe Presidenti i Kishës Rasëll M. Nelson e shpalli atë dhe i shpjegoi domethënien gjatë sesionit të mbrëmjes të së shtunës të konferencës së përgjithshme të prillit 2020.

Presidenti Nelson tha se ky simbol i ri është një vazhdim i përpjekjes që ai u ndje i frymëzuar ta fillonte në gusht 2018, për t’u përqendruar te emri i zbuluar hyjnisht i Kishës. Që nga ajo kohë, tha ai, udhëheqësit, sektorët, subjektet e lidhura, faqet kryesore në internet, anëtarët e Kishës dhe shumë të tjerë, tani përdorin emrin e saktë të Kishë.

“Ne i kemi ndërmarrë këto përpjekje të jashtëzakonshme, sepse kur e heqim emrin e Zotit nga emri i Kishës së Tij, ne pa dashje e heqim Atë si përqendrimin qendror të adhurimit tonë dhe të jetës sonë”, tha Presidenti Nelson, i cili i ka vënë theksim të fortë emrit të saktë të Kishës në shërbesën e tij të paktën që në vitin 1990. “Kur e marrim mbi vete emrin e Shpëtimtarit në pagëzim, ne zotohemi të dëshmojmë, me anë të fjalëve, mendimeve dhe veprimeve tona, se Jezusi është Krishti.”

Church Logo

Kjo emblemë e re thekson emrin e Jezu Krishtit dhe rolin e Tij qendror në gjithçka që bën Kisha. Emri i Kishës përmbahet brenda një forme drejtkëndore që përfaqëson një gur të qoshes. Kjo ide i ka rrënjët nga Bibla. Apostulli Pal, duke përdorur një metaforë nga ndërtimi në një letër të shekullit të parë drejtuar shenjtorëve në Efes, shkroi se Kisha është ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve – duke qënë Jezu Krishti vetë guri i qoshes. Qendra e simbolit është një paraqitje e statujës së mermertë të Thorvaldsenit, Kristusi. Jezusi qëndron poshtë një harku si kujtues i daljes së Tij nga varri tre ditë pas vdekjes së Tij.

“[Simboli] portretizon Zotin e gjallë, të ringjallur me duar të shtrira për t’i përqafuar të gjithë ata që do të vijnë tek Ai”, tha Presidenti Nelson. “Ky simbol duhet të jetë i mirënjohur për shumë veta, sepse ne e kemi identifikuar ungjillin e rivendosur me Krishtin e gjallë, të ringjallur.”

Ky simbol i ri do të përdoret në materialet e Kishës si të drejtohet nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve. Po hartohen orientime të hollësishme për përdorimin, përfshirë përdorimet e mundshme të simbolit të ri anekënd botës.

 “Simboli tani do të përdoret si një identifikues pamor për literaturën, lajmet dhe ngjarjet zyrtare të Kishës”, vazhdoi profeti. “Ai do t’u sjellë ndër mend të gjithëve se kjo është Kisha e Shpëtimtarit dhe se gjithçka që ne bëjmë, si anëtarë të Kishës së Tij, përqendrohet te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij.”

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është një familje globale me mbi 16 milionë anëtarë në mbarë botën. Ky simbol i ri po krijohet në 110 gjuhë – një proces i ndërlikuar për të cilin do të duhen disa muaj që të përfundohet. Ashtu siç nxiti Presidenca e Parë në vitin 2019 kur Kisha bëri përshtatje për ta pasqyruar më mirë përdorimin e saktë të emrit të plotë të besimit fetar, anëtarët e Kishës në mbarë botën duhet të jenë të duruar dhe të sjellshëm teksa këto përshtatje të simbolit bëhen në gjuhën e tyre.