Si ta Përmirësojmë Mbështetjen te Vetja nga Ana Materiale

Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Plaku Kristofer Çarls, Britani e Madhe
Plaku Kristofer Çarls, Britani e Madhe I Shtatëdhjetë Zonal

Në Mbretërinë e Bashkuar, 6 prilli çel një vit të ri taksimi. Prandaj, për një Këshillues Financiar të dalë në pension si unë, kjo datë ka më tepër sesa një domethënie shpirtërore. I mbaj mend përgatitjet e nevojshme për t’i ulur deri në skaj detyrimet e klientëve për taksat dhe për t’u siguruar që punët e tyre të ishin në rregull për vitin e ri të taksave. Ishte një proces i vazhdueshëm që zgjaste gjatë gjithë vitit dhe kërkonte përpjekje të bashkërenduar – përgatitje.

Në po të njëjtën mënyrë, mbështetja te vetja nga ana materiale kërkon përgatitje dhe nuk është një proces që ndodh vetëm një herë. A sikur të mund të ushtroheshim fort për një ditë në vit dhe më pas ta harronim atë deri vitin e ardhshëm!

Nuk mund të jetë ashtu! Mbështetja te vetja nga ana materiale, aftësia për t’u kujdesur për veten, familjet tona dhe të tjerët është punë që zgjat gjithë jetën. Do punë të zellshme, lutje, studim e meditim. Do vendosmëri dhe ndoshta më së shumti besim e vetëkontroll.

Në këtë artikull, do të diskutoj për financat vetjake, një aspekt i mbështetjes te vetja nga ana materiale.

Neve na thuhet: “Nëse jeni të përgatitur, ju s’do të frikësoheni”.[1] Besimi vjen nga dëgjimi i udhëheqësve tanë dhe mirëbesimi te gjykimi i tyre i frymëzuar. Këshilla e tyre është, për shembull, të shmangim borxhin (ose të dalim shpejt nga borxhi) duke jetuar brenda mundësive tona, duke paguar të dhjetën dhe ofertat e agjërimit në mënyrë që Zoti të mund t’i hapë pragjet e Qiellit për ne.[2]

Unë kam këshilluar shumë anëtarë në vështirësi financiare. Është paksa si të përcaktosh një regjim ushqimor. Njerëzit e nisin vrullshëm, por heqin dorë aq shpejt sa nuk i japin asnjë mundësi këtij regjimi. Pak njerëz i kanë zbatuar parimet që u janë dhënë mësim, për një kohë mjaftueshëm të gjatë sa për t’ua lejuar atyre të funksionojnë. “Ti na ke shpallur gjëra të rënda, më shumë sesa ne mund të durojmë.”[3]

Kompania e vogël e një klienti po ecte shumë mirë, por drejtori bleu një makinë BMW prej 70.000 sterlinash në kundërshtim me këshillën time. Në fund të fundit, edhe fqinji i tij e kishte një të tillë! I thashë se shumë shpejt atij do t’i mërzitej makina dhe do të ishte shumë i varfër për shkak të saj. Kaloi shumë pak kohë dhe ai më telefonoi.

 “Kishe të drejtë Kris”, më tha, “është thjesht një grumbull prej metali dhe tani ne nuk mund t’i paguajmë borxhet tona këtë muaj.”

Kompania falimentoi dhe tragjedia ishte se nuk kishte pse të ndodhte.

Ne përpiqemi të ruajmë një imazh duke blerë gjëra me perceptimet e njerëzve të tjerë në mendje!  Këtë unë e quaj “blerje prej njerëzve të tjerë”. Krenaria, veprimet egoiste, quajini si të doni, mund të kenë pasoja tragjike.

Krahasojeni historinë e mësipërme me “Nikun Koprrac” nga Portugalia, i cili erdhi në Angli për të gjetur punë. Ai ishte në të njëzetat dhe i martuar. I sigurova hipotekën e tij të parë. Ai punonte fort, por konsiderohej nga grupi i moshatarëve të tij si një njeri jozemërgjerë, me pak fjalë koprrac. Ai nuk e nxirrte kurrë të shoqen diku [për argëtim] ose të shkonin me pushime apo t’i blinte dhurata. Ai thjesht punonte, punonte dhe punonte.

Brenda pak viteve, ai e shleu pagesën për hipotekën e tij dhe ruajti para të mjaftueshme për t’u kthyer në Portugali, ndërtoi një shtëpi për familjen dhe dy apartamente që i la me qira. Së fundi mora vesh që Niku po niste një biznes të ri. “Niku Koprrac” nuk ishte koprrac! Ai kishte largpamësi, vendosi synime dhe sakrifikoi për sigurinë e familjes së tij. Ai blinte vetëm atë që i nevojitej, dëshirat e tij duhej të prisnin.

Po ne? A “ble[jmë] prej njerëzve të tjerë”? Apo jemi të duruar mjaftueshëm për të pritur në mënyrë që të mos hyjmë në borxh përveçse për gjërat bazë – mundësisht për arsimimin, një shtëpi dhe një makinë të thjeshtë – dhe madje atëherë t’i shlyejmë ato shpejt? Ne duhet t’i paguajmë të dhjetat dhe ofertat tona të agjërimit.  Unë ju dëshmoj se bekimet e Zotit janë të vërteta dhe ne do të përparojmë nëse jemi të bindur. E di këtë nga përvoja vetjake.

Nëse njërën këmbë e kemi te gjërat materiale që nuk mund t’ia lejojmë vetes, le ta heqim shpejt. Huamarrjet duhet të jenë për gjërat bazë që përmenda, edhe pse divani juaj duhet zëvendësuar! Vendoseni çfarë doni, përcaktojini synimet dhe planet për t’i arritur dëshirat tuaja duke i qëndruar buxhetit. Lutuni dhe punoni për to. Këta janë përbërësit e suksesit!



[1] D e B 38:30

[2] Malakia 3:10

[3] 1 Nefi 16:1