Shërbimi si Jezusi: Nisma Thjesht Shërbe Frymëzon Njerëzit Anembanë Europës

Thjesht Shërbe, një nismë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ka si synim që të motivojë dhe fuqizojë njerëzit për të bërë mirë nëpërmjet punës vullnetare në komunitetet e tyre.

Jesus Christ

Më 29 mars 2025, specialistët europianë për nismën Thjesht Shërbe u mblodhën tek tempull i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Frankfurt për të diskutuar të ardhmen e shërbimit ndaj të tjerëve. Nën udhëheqjen e Plakut Emanuel Petrinjani, I Shtatëdhjetë Zonal në Zonën e Europës Qendrore, dhe Luis dhe Ester Vaidmanit, Specialistët e nismës Thjesht Shërbe për Europën Qendrore, mbledhja shërbeu si një platformë për frymëzim dhe planifikim strategjik.

Frankfurt: Thjesht Shërbe, një nismë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ka si synim që të motivojë dhe fuqizojë njerëzit për të bërë mirë nëpërmjet punës vullnetare në komunitetet e tyre. Për Plakun Petrinjani kjo është më shumë se thjesht një nismë shoqërore; është një zotim në frymën e Vetë Jezu Krishtit. “Jezu Krishti na mësoi t’i shërbejmë njëri‑tjetrit. Nisma Thjesht Shërbe është një mënyrë për t’i ndjekur praktikisht mësimet e Tij dhe për të bërë një ndikim pozitiv në botën përreth nesh”, – theksoi Plaku Petrinjani gjatë mbledhjes.

Luis Vaidmani, i cili udhëhoqi diskutimin për zhvillimin e ardhshëm të nismës Thjesht Shërbe, i vuri theksin rëndësisë së përfshirjes aktive në komunitet. “Kur u shërbejmë të tjerëve, ne jo vetëm që i forcojmë komunitetet tona, por edhe lidhjet tona shpirtërore dhe emocionale”, – tha Vaidmani. Ai më tej theksoi se tradita e shërbimit është e rrënjosur thellë në historinë njerëzore dhe po vihet në jetë në një mënyrë bashkëkohore nëpërmjet nismës Thjesht Shërbe.

Nisma Thjesht Shërbe vepron si një platformë që i aftëson individët dhe organizatat që të përkrahin njerëzit nevojtarë dhe ta përmirësojnë botën përreth tyre. Qoftë nëpërmjet punës vullnetare në mensat vendore për të varfrit, projektet për mjedisin ose ndihmës për grupet e njerëzve në situata të pafavorshme, mundësitë për t’u përfshirë janë të larmishme dhe domethënëse.

Plaku Petrinjani i nxiti pjesëmarrësit e konferencës që të tregonin përvojat dhe idetë e tyre për ta forcuar dhe zgjeruar më tej nismën Thjesht Shërbe. “Çdo ndihmesë është e rëndësishme”, – tha ai. “Janë veprimet e vogla dhe të vazhdueshme të bamirësisë që sjellin ndryshimin më të madh.”

Luis Vaidmani përsëriti po këtë mendim duke thënë: “Nëpërmjet nismës Thjesht Shërbe ne përjetojmë gëzimin dhe përmbushjen e vërtetë që vjen me shërbimin ndaj të tjerëve. Është një mënyrë për t’i vënë në veprim vlerat tona dhe për të jetuar në harmoni me Ungjillin.”

Zotimi ndaj nismës Thjesht Shërbe nuk kufizohet te një fe ose ide botërore e veçantë, por është i hapur ndaj të gjithëve që janë të gatshëm të ndihmojnë të tjerët dhe të nxitin vlera komunitare. Duke marrë pjesë aktivisht në nismën Thjesht Shërbe njerëzit, pavarësisht nga prejardhja ose bindjet e tyre fetare, mund të sjellin një ndryshim pozitiv në shoqëri.

Nismës Thjesht Shërbe po i rritet rëndësia në Europë ndërkohë që më shumë vullnetarë i konsiderojnë me vlerë të mirat që vijnë nga përfshirja në komunitet. Më shumë informacion dhe projekte mund të gjenden te faqja justserve.org