Shtëpia Botuese “Church Historian’s Press” Nxjerr Vëllimin e Spikatur rreth Dorëshkrimit Origjinal të Librit të Mormonit

Dokumentimi i parë i plotë fotografik i asaj që ka mbetur nga dorëshkrimi origjinal

Shtëpia botuese “Church Historian’s Press” ka nxjerrë një vëllim të ri të serisë “Joseph Smith Papers” [“Shkresat e Jozef Smithit”] që përfshin fotografi me ngjyra dhe transkriptime të koduara me ngjyra të dorëshkrimit më të hershëm të Librit të Mormonit. Ky është dokumentimi i parë i plotë fotografik i asaj që ka mbetur nga dorëshkrimi origjinal.

Libri i ri quhet “The Joseph Smith Papers: Revelations and Translations, Volume 5: Original Manuscript of the Book of Mormon” [“Shkresat e Jozef Smithit: Zbulesa dhe Përkthime, Vëllimi 5: Dorëshkrimi Origjinal i Librit të Mormonit”]. Ky është vëllimi përfundimtar i serisë “Revelations and Translations” [“Zbulesa dhe Përkthime”]. Ai është i 23-ti nga 26 vëllime gjithsej të projektit më të madh “Joseph Smith Papers”, që do të përfundohet në pranverën e vitit 2023.

Mesazhi i Vlerësimit nga Presidenti Nelson

Pasditen e së martës, më datë 25 janar 2022, në Ndërtesën e Administratës së Kishës në Sheshin e Tempullit, Presidenti Rasëll M. Nelson i falënderoi ata që ndihmuan për ta bërë të mundur këtë vëllim. Kjo përfshin bashkëbotuesit Rojal Skausen dhe Robin Skot Xhensen, si dhe Geil Millerin, bashkëshortin e saj të ndjerë Leri H. Millerin dhe bashkëshortin e saj aktual, Kim Uilsonin, që ndihmuan për financimin e projektit “Joseph Smith Papers”.


“Është një përvojë thellësisht prekëse t’i shoh këto faqe [të dorëshkrimit] dhe të shoh dorën e Perëndisë duke e çuar përpara punën e Tij.” – Presidenti Nelson


Ndërkohë që çdo vëllim i projektit “Joseph Smith Papers” “është me rëndësi madhore”, tha Presidenti Nelson, librat e serisë “Revelations and Translations” [“Zbulesa dhe Përkthime”] janë të pashembullta. “Këto zbulesa dhe përkthime ishin në zemër të misionit profetik të Jozef Smithit. Këto tekste janë jetike për Rivendosjen e ungjillit.”

Vëllimi 5, tha profeti, “më prek thellë në zemër. Nga ai, unë vlerësoj më plotësisht dhuratën dhe fuqinë e Perëndisë që ia mundësoi Jozef Smithit ta përkthente atë.”

Presidenti Nelson tha se dorëshkrimi origjinal i Librit të Mormonit është njëri nga sendet historike më domethënëse dhe të shenjta që Kisha zotëron.

“Historianët e Kishës kanë treguar kujdes të madh – për më shumë se një shekull – për të mbledhur edhe copëzat më të vockla të dorëshkrimit dhe për t’i ruajtur ato nga dëmi i mëtejshëm”, – shpjegoi ai. “Me këtë vëllim të ri në dispozicion tani, çdokush mund ta shohë atë që ka mbetur nga dorëshkrimi, dhe se si zë vend secila pjesëz tek i tërë dorëshkrimi. Për mua, është frymëzuese të di se këto faqe me imazhe të tekstit origjinal të Librit të Mormonit janë tani në dispozicion të të gjithëve. Është një përvojë thellësisht prekëse t’i shoh këto faqe dhe të shoh dorën e Perëndisë duke e çuar përpara punën e Tij.”

“Në emër të udhëheqjes së Kishës dhe anëtarëve të saj të shumtë”, – e përfundoi fjalën Presidenti Nelson, “unë shpreh urimet më të përzemërta dhe mirënjohjen më të ndier për këtë vëllim më të ri që iu shtua projektit ‘Shkresat e Jozef Smithit’.”

Presidenti Rasëll M. Nelson, i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, përshëndet Rojal Skausenin, njërin nga botuesit e “The Joseph Smith Papers: Revelations and Translations, Volume 5: Original Manuscript of the Book of Mormon”, në Ndërtesën e Administratës së Kishës në Solt-Lejk-Siti, të martën më 25 janar 2022.
Presidenti Rasëll M. Nelson, i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, përshëndet Rojal Skausenin, njërin nga botuesit e “The Joseph Smith Papers: Revelations and Translations, Volume 5: Original Manuscript of the Book of Mormon”, në Ndërtesën e Administratës së Kishës në Solt-Lejk-Siti, të martën më 25 janar 2022.

Geili tha se përfshirja e familjes së saj në projektin “Joseph Smith Papers” lindi “nga frymëzimi i pastër dhe nga mbajtja vesh e atij frymëzimi dhe të vepruarit sipas tij”.

Pas vdekjes së Lerit në vitin 2009, Geili tha se ishte ca e shqetësuar për faktin se a do të vazhdonin ta mbështetnin projektin. Shtetet e Bashkuara qenë në rënie ekonomike. Ishin ngushtë me financat. U nevojitej të ishin të urtë me burimet e tyre. I biri, Gregu, po drejtonte sipërmarrjen e tyre. “Ai tha: ‘Kam nevojë të bëj shkurtime. Duhet të bëj shkurtime në inventar, në njerëz dhe në shpenzime.’ I thashë atij: ‘Mendoj se ke të drejtë. Por e vetmja gjë që nuk mund të ndalojmë së bëri, është dhurimi. Dhe vazhduam ta mbështetnim projektin ‘Joseph Smith Papers’.”

“E di se kjo është një punë hyjnore”, – vazhdoi ajo. “E di se është një punë e rëndësishme – thuajse vendimtare – për Kishën që njerëzit të shkojnë te vepra ‘Joseph Smith Papers’ dhe të marrin të vërtetën. Historia e atij njeriu flet vetë. Ajo është themeli i kësaj Kishe. Ne adhurojmë Perëndinë, Atin, dhe Jezu Krishtin. Jozef Smithi e përforcoi këtë. Ai e dinte për çfarë po e bënte. E dinte se po merrte mësim nga lart. Nëpërmjet kësaj vepre bota do ta dijë.”

Skauseni tha se ky vëllim i ri mund të jetë pikë referimi ndër vëllimet e veprës “Joseph Smith Papers”.

“[Ky libër i ri] jep pikëpamjen më të mirë që kemi, ndonëse të tërthortë për Jozef Smith shikuesin si përkthyes të Librit të Mormonit”, – tha Skauseni. “Ky dorëshkrim jep përkrahje të rëndësishme për atë që deklaruan dëshmitarët e përkthimit: që Jozefi diktoi, fjalë për fjalë, një tekst në gjuhën angleze që shfaqej në mjetin e tij për përkthim. Dhe që kur ishte e nevojshme, ai mund t’i germëzonte emrat. Kjo ishte njëmend një punë e mrekullueshme dhe një çudi.”


“Me dorëshkrimin origjinal të Librit të Mormonit, ne kemi sendin historik që qëndronte mbi tryezën e Oliver Kaudërit ose Xhon Uitmerit dhe mbi të cilin po shkruanin ata [ose të tjerë, teksa Jozefi diktonte tekstin].” – Robin Skot Xhensen


Xhenseni tha se leximi i dorëshkrimit origjinal të Librit të Mormonit është si shqyrtimi i shkrimeve origjinale të Ungjijve ose letrave të Palit – por me një ndryshim madhor.

“Nuk ka shpëtuar asnjë kopje e variantit të parë” të atyre teksteve biblike, – tha ai. “Zakonisht kemi kopje të brezit të dytë, të tretë [ose] të katërt. Nuk ka variant të diktuar. Me dorëshkrimin origjinal të Librit të Mormonit, ne kemi sendin historik që qëndronte mbi tryezën e Oliver Kaudërit ose Xhon Uitmerit dhe mbi të cilin po shkruanin ata [ose të tjerë, teksa Jozefi diktonte tekstin]. Ky është dokumenti që është më i afërti i mundshëm i asaj përvoje mrekullibërëse. Ky dorëshkrim është produkti i atij përkthimi hyjnor.”

Book of Mormon Artefact

Historia e Dorëshkrimit

Dorëshkrimi origjinal i Librit të Mormonit (nga i cili ka shpëtuar vetëm 28%) është njëri nga sendet historike më të rëndësishme e më të shenjta në zotërimin e Kishës së Jezu Krishtit. Ai u prodhua nga Oliver Kaudëri dhe disa shkrues të tjerë teksa Jozef Smithi diktonte përkthimin nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë mes prillit dhe qershorit të vitit 1829.

Dorëshkrimi mbeti në zotërimin e Jozef Smithit deri në vitin 1841, kur shenjtorët e ditëve të mëvonshme në Navu të Ilinoisit filluan të ndërtonin një tempull (për adhurim) dhe Shtëpinë e Navusë (për të pritur të huajt). Jozefi e vuri dorëshkrimin origjinal në gurin e qoshes të Shtëpisë së Navusë.

Ndonëse shenjtorët e hershëm mendonin se kjo do ta ruante dorëshkrimin, ndodhi e kundërta. Me kalimin e kohës, dokumentet filluan të zbeheshin së tepërmi, të nxiheshin ose të dëmtoheshin në mënyra të tjera.

“Për t’u dalë në mbrojtje atyre, ata e vulosën gurin e qoshes dhe hodhën plumb të shkrirë rreth shtresave të betonit, prandaj menduan se kjo do ta ruante”, – tha Xhenseni. “Megjithatë, ajo nuk funksionoi. … Po të kisha një makinë kohe, do të kthehesha pas e t’i thoja: ‘Jozef, më mirë mos e bëj’.”

Guri i qoshes i Shtëpisë së Navusë. Dorëshkrimi origjinal i Librit të Mormonit mbeti në zotërimin e Jozef Smithit deri në vitin 1841, kur shenjtorët e ditëve të mëvonshme në Navu të Ilinoisit filluan të ndërtonin një tempull (për adhurim) dhe Shtëpinë e Navusë (për të pritur të huajt). Jozefi e vuri dorëshkrimin origjinal në gurin e qoshes të Shtëpisë së Navusë. Ndonëse shenjtorët e hershëm mendonin se kjo do ta ruante dorëshkrimin, ndodhi e kundërta. Me kalimin e kohës, dokumentet filluan të zbeheshin së tepërmi, të nxiheshin ose të dëmtoheshin në mënyra të tjera. Fotografia me mirësinë e Komunitetit të Krishtit © Photo courtesy of the Community of Christ
Guri i qoshes i Shtëpisë së Navusë. Dorëshkrimi origjinal i Librit të Mormonit mbeti në zotërimin e Jozef Smithit deri në vitin 1841, kur shenjtorët e ditëve të mëvonshme në Navu të Ilinoisit filluan të ndërtonin një tempull (për adhurim) dhe Shtëpinë e Navusë (për të pritur të huajt). Jozefi e vuri dorëshkrimin origjinal në gurin e qoshes të Shtëpisë së Navusë. Ndonëse shenjtorët e hershëm mendonin se kjo do ta ruante dorëshkrimin, ndodhi e kundërta. Me kalimin e kohës, dokumentet filluan të zbeheshin së tepërmi, të nxiheshin ose të dëmtoheshin në mënyra të tjera. Fotografia me mirësinë e Komunitetit të Krishtit

Kur dorëshkrimi u nxor 40 vjet më vonë nga Luis Bidamoni (bashkëshorti i dytë i gruas së Jozefit, Emës), dokumentet ishin kryesisht të prishura. Uji kishte depërtuar në zgavrën që kishin skalitur në gur. Bidamoni u dhuroi fragmente të dorëshkrimit disa vizitorëve të ardhur në Navu me kalimin e viteve.

Nga thuajse 500 faqe të vendosura në gurin e qoshes të Shtëpisë së Navusë, kanë mbijetuar pjesëza të 232 faqeve. Kisha tani zotëron pjesën më të madhe të atyre fragmenteve dhe fletëve. Të tjerat janë në duar të pronarëve të tjerë privatë. Zotëruesit e tyre lejuan me mirësjellje që ato pjesë të fotografoheshin e të përfshiheshin në këtë vëllim.

“[Rrugëtimi që ka bërë dorëshkrimi është] tërësisht një odise”, – tha Drejtori i Publikimeve në Sektorin e Historisë së Kishës, Methju Mek-Brajdi. “Dorëshkrimi u shpërnda. Tani jemi përpjekur të bëjmë punën për ta mbledhur atë, thjesht për ta bashkuar të gjithin dhe për ta bërë sërish të plotë. Kjo është ajo që do të shihni teksa këqyrni atë që kemi bërë me librin.”

Imazheria me Spektër të Shumëfishtë

Përgjatë viteve, Kisha ka prodhuar grupe të ndryshme fotografish të dorëshkrimit. Në vitin 1958, Kisha e fotografoi dorëshkrimin në bardh e zi përpara se të vihej në ruajtje dhe përpara se dorëshkrimi të prishej më tej. Në vitin 2017, Sektori i Historisë së Kishës përdori imazherinë me spektër të shumëfishtë (ISSH) për ta fotografuar më mirë tekstin e zbehur te fragmentet. ISSH-ja e bën këtë duke përdorur dritë me rreze ultravjollcë, rreze infra të kuqe dhe rreze të spektrit të dukshëm.

Robin Skot Xhenseni, njëri nga botuesit e vëllimit të ri të veprës “Joseph Smith Papers” © 2022 by Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved.
Robin Skot Xhenseni, njëri nga botuesit e vëllimit të ri të veprës “Joseph Smith Papers” që përqendrohet te dorëshkrimi origjinal i Librit të Mormonit, mban një faqe nga dorëshkrimi origjinal në Bibliotekën e Historisë së Kishës në Solt-Lejk-Siti më 19 janar 2022, poshtë një makinerie që kryen imazheri me spektër të shumëfishtë (ISSH). Në vitin 2017, Sektori i Historisë së Kishës ISSH-në për ta fotografuar më mirë tekstin e zbehur te fragmentet e dorëshkrimit. ISSH-ja e bën këtë duke përdorur dritë me rreze ultravjollcë, rreze infra të kuqe dhe rreze të spektrit të dukshëm. 2022 by Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved.

Me vëllimin 5, tha Xhenseni, “lexuesit mund të kenë qasje më të mirë te dorëshkrimi origjinal sesa po të përdornin vetë dorëshkrimin origjinal”. Kjo ndodh ngaqë boja në disa prej atyre faqeve është e padukshme me sy të lirë. “Këto imazhe janë një pasuri e vërtetë e këtij vëllimi.”

Për disa nga faqet, vuri re Xhenseni, imazhi më i hershëm bardh e zi është më i mirë se varianti me ISSH. Një shtojcë i ofron të dyja variantet e secilit imazh.

Transkriptimet

Transkriptimet dhe shënimet në vëllimin 5 janë rezultat i viteve të punës nga Skauseni si pjesë e Book of Mormon Critical Text Project [Projektit të Tekstit Vendimtar të Librit të Mormonit]. Ky vëllim e riprodhon tekstin origjinal duke u bazuar në analizimin e dorëshkrimit në gjendjen e tij të tanishme dhe tek imazhet me spektër të shumëfishtë e fotografitë historike. Transkripti i ruan të gjitha korrigjimet dhe rishikimet, hapësirat mes rreshtave dhe faqeve dhe vendndodhjet e shkrimeve të shtuara midis rreshtave. Për shkak se disa shkrues kanë shkruar rishikime në këtë dorëshkrim, shkrimi i dorës i secilit jepet në një ngjyrë të ndryshme për ta lehtësuar analizimin. Paraqitja gjithëpërfshirëse dhe e kujdesshme u jep studiuesve kërkimorë një qasje të pakrahasueshme tek teksti.

Book of Mormon Artefact 2

Të dy, Xhenseni dhe Skauseni, thanë se në tekstin e dorëshkrimit origjinal të Librit të Mormonit nuk do të lexohen saktësisht ato që një shenjtor i ditëve të mëvonshme do të gjejë në Librin e Mormonit aktual të botuar nga Kisha e Jezu Krishtit. Qofshin ndreqje gabimesh drejtshkrimore, bërje korrigjimesh gramatikore ose ndryshime të stilit, shtime të ndarjeve në vargje dhe krerë kapitujsh, ose përfshirje të përmirësimeve të tjera, udhëheqësit e Kishës e kanë rregulluar tekstin sipas nevojës.

Megjithatë, tha Skauseni, Libri i sotëm i Mormonit është “shumë i paprekur [dhe] besnik ndaj atij që ishte në origjinal. Ndryshimet që janë bërë, nuk kanë qenë në të vërtetë drastike. E dini, po ta shihni Doktrinën e Besëlidhjet, Librin e Urdhërimeve, që vijnë pas tij, disa nga pjesët u rishkruan pjesërisht e kështu me radhë. Nuk ka ndodhur asgjë e tillë në Librin e Mormonit. Nuk ka asnjë redaktim të tillë.”

Xhenseni tha se ndryshimet e vogla që u bënë në tekst me kalimin e kohës, mund të shihen si simbol për Kishën, dukshëm. “Ne jemi vazhdimisht në ndryshim. Jemi duke bërë përshtatje vazhdimisht në bazë të nevojave të anëtarëve”, – tha ai. “Teksti i Librit të Mormonit mund të lexohet në mënyrë të ngjashme.”

‘Një Thesar Shpirtëror’

“Libri i Mormonit është një zbulesë vigane. … Është një vepër mahnitëse.” – Rojal Skauseni

Ndërkohë që vunë në dukje vlerën e dukshme historike të dorëshkrimit origjinal, Mek-Brajdi dhe Xhenseni thanë secili se vlera e tij shpirtërore është e pakrahasueshme.

Ky vëllim i ri i veprës “Joseph Smith Papers” është “përvoja më e afërt që shumica e njerëzve do të kenë me të qenit në gjendje të mbajnë në duar këtë send historik vërtet të shenjtë”, – tha Mek-Brajdi. “Ai është domethënës për mua dhe për shenjtorët e tjerë të ditëve të mëvonshme si njerëz besimtarë sepse ky është teksti i librit mbi të cilin ne e bazojmë besimin tonë dhe dëshminë tonë për Jezu Krishtin.”

Xhenseni tha se dorëshkrimi është “me rëndësi madhore si thesar shpirtëror”. Çdokush që e ka përjetuar fuqinë e të vërtetave shpirtërore të Librit të Mormonit, tha ai, “mund ta dallojë se ky [dorëshkrim] është diçka e veçantë”.

Për ata që nuk e pranojnë tekstin si shkrim të shenjtë, Skauseni tha se është e rëndësishme që së paku t’i japin meritë Jozefit për vëllimin e tij tejet zbulues.

“Libri i Mormonit është deri tani zbulesa më e madhe e Jozef Smithit”, – tha Skauseni. “Doktrina e Besëlidhjet nuk është një libër i vetëm – është një tufë zbulesash të veçanta që janë bashkuar. … As Bibla nuk krahasohet me të. As Bibla nuk është një vepër e vetme. … Libri i Mormonit është një zbulesë vigane, e paanë. … Është një vepër mahnitëse.”