Në librin e Mateut në Dhiatën e Re, kur Shpëtimtari e fton Pjetrin të ecë mbi ujë, Pjetri, me dëshirën e tij të madhe për ta ndjekur Atë, heq dorë nga e gjithë mbrojtja që i jep barka dhe hidhet shpejt në ujë. Për pak çaste, në një mënyrë mrekullibërëse, ai ecën drejt Shpëtimtarit mbi ujë, por teksa stuhia tërbohet, me erërat e saj të forta, besimi i tij dobësohet, ai fillon të fundoset dhe i thërret Zotit: “O Zot, shpëtomë!” Shpëtimtari, në atë çast, ia zgjat dorën dhe, duke e mbajtur, i thotë: “O njeri besimpak! Pse [ngurrove]?. [1]
Ky mësim i madh i marrë nga Pjetri na mëson se kthimi në besim nuk lind nga një ngjarje në vetvete, por nga një proces që zgjat gjatë gjithë udhëtimit tonë tokësor. Procesi i kthimit në besim përfshin ushtrimin e besimit te Jezu Krishti, pendimin çdo ditë, pagëzimin, marrjen e Frymës së Shenjtë dhe durimin deri në fund. Shtegu i besëlidhjeve është pjesë e këtij udhëtimi për të duruar deri në fund. Kur vazhdojmë në këtë shteg, ne përpiqemi fort që të bëhemi më shumë si Krishti dhe të heqim dorë nga “njeriu i natyrshëm”. Mbreti Beniamin e përshkroi përsosurisht një pjesë të këtij procesi kur na ftoi që ta zhveshim njeriun e natyrshëm, duke na mësuar një doktrinë të qartë mbi kthimin në besim:
“Pasi njeriu i natyrshëm është një armik ndaj Perëndisë dhe ka qenë që nga rënia e Adamit dhe do të jetë gjithmonë e përgjithmonë, nëse ai nuk dëgjon thirrjet e Frymës së Shenjtë dhe nuk zhvesh njeriun e natyrshëm dhe nuk bëhet një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot, dhe nuk bëhet si një fëmijë, i nënshtruar, i bindur, i përulur, i duruar, plot me dashuri, i gatshëm t’u nënshtrohet të gjitha gjërave që Zoti i sheh të përshtatshme të shkaktojë mbi të, madje sikurse një fëmijë i nënshtrohet atit të tij.”[2]
Ky varg i shkrimit të shenjtë jep një përshkrim të qartë të procesit të kthimit në besim: Për shkak të gjendjes sonë të rënë, prirja jonë e natyrshme është të shkojmë kundër gjërave të Shpirtit, kështu që kthimi i vërtetë në besim fillon kur ne i nënshtrohemi nxitjeve të Frymës së Shenjtë; më pas vjen procesi i shenjtërimit nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit. Cilësitë e përshkruara nga profeti Beniamin, të tilla si nënshtrimi, butësia, përulësia, durimi dhe të qenit plot dashuri, janë frytet e një kthimi të vërtetë në besim.
Plaku Bednar dha mësim lidhur me zemërbutësinë: “Zemërbutësia është një tipar përcaktues i Shëlbuesit dhe vihet në dukje prej aftësisë për t’u përgjigjur me drejtësi, për t’u nënshtruar me gatishmëri dhe për t’u vetëpërmbajtur me fuqi”.[3]
Zemërbutësia është një tipar përcaktues i Shëlbuesit dhe vihet në dukje prej aftësisë për t’u përgjigjur me drejtësi, për t’u nënshtruar me gatishmëri dhe për t’u vetëpërmbajtur me fuqi.
Kur jemi vërtet të kthyer në besim, ne me të shpejtë e lëmë veten tonë që të bëjë vullnetin e Atit tonë Qiellor. Megjithëse në shumë raste kjo mund të nënkuptojë hedhjen në një det të panjohur dhe të trazuar, sprovat dhe sfidat e jetës na ndihmojnë që ta rritim besimin tonë te Jezu Krishti kur jemi në shtegun e besëlidhjeve. Mbajtja e besëlidhjeve dhe rritja e njohurisë sonë nëpërmjet studimit dhe marrjes së zbulesës vetjake janë kyç për këtë proces.
Presidenti Rasëll M. Nelson na ka dhënë mësim se “Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, Jezu Krishti, do të kryejë disa nga veprat e Tij më të fuqishme midis kohës së tanishme dhe kohës kur Ai të vijë përsëri. Ne do të shohim tregues të mrekullueshëm se Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, kryesojnë mbi këtë Kishë në madhështi e lavdi. Por në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë”.[4]
Ashtu si përvoja e Pjetrit dhe e apostujve të tjerë në barkë, ne mund të përjetojmë fuqinë e ndjekjes së Jezu Krishtit me besim duke u hedhur në ujërat e Tij pa frikë, pa frikë nga fundosja, ngaqë ujërat e Tij janë burimi i jetës së përjetshme. Sikurse tha psalmisti: “[…] [Ai] më drejton pranë ujërave që të çlodhin.”.[5]
Ju ftoj ta bëni jetën tuaj vetjake një proces të përditshëm të kthimit në besim te Shpëtimtari dhe Ati ynë Qiellor.
3. Dejvid A. Bednar, “Zemërbutë dhe të Përulur nga Zemra”, Konferenca e Përgjithshme, prill 2018.
4. Pres. Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Konferenca e Përgjithshme, prill 2018.