Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Shërbesa e Shpëtimtarit dhe Ne

Elder DeFeo
Plaku Masimo De Feo, Itali Këshilltar i Parë, Presidenca e Zonës së Europës

Në kohë Krishtlindjeje ne kremtojmë lindjen e Shpëtimtarit, mendojmë për të, e shohim me adhurim, e adhurojmë Atë dhe përsiatim rreth asaj që Ai bëri për ne. Më pas kur vjen Pashka, ne e kujtojmë Atë sërish, ndiejmë mirënjohje të përjetshme për Shlyerjen e Tij dhe e festojmë me lumturi dhe nderim ringjalljen e Tij. 

Ndërsa mendojmë për ngjarjet e veçanta të jetës së Shpëtimtarit, si përqendrohemi më thellësisht mbi atë që ndodhi midis atyre ngjarjeve kaq të shenjta si lindja dhe vdekja e tij? Si e kremtojmë jetën e tij, ditë pas dite, përtej thjesht kremtimit të ngjarjeve të veçanta që e karakterizuan fillimin dhe fundin e misionit të tij të shenjtë në tokë?

Në predikimin e tij ndaj Nefitëve, Ai dha mësim: “…ju i dini gjërat që duhet të bëni…; pasi veprat që më keni parë të bëj, duhet t’i bëni edhe ju…”[1]

E vetmja mënyrë e vërtetë për ta kremtuar Krishtin është ta ndjekim Atë te shërbesa, ditë pas dite, jo vetëm për Krishtlindje apo Pashkë.

Teksa mësoj më shumë rreth shërbesës së Shpëtimtarit dhe mundohem t’i ngjasoj Atij, zbuloj se tre elementet më të rëndësishme të shërbesës së Tij janë: Mënyra se si Ai deshi; mënyra se si Ai shërbeu; dhe mënyra se si Ai duroi.

T’i duam të tjerët është fillimi i shërbesës tonë siç ishte edhe fillimi i shërbesës së Shpëtimtarit.  Ai erdhi sepse na deshi dhe sepse e donte Atin më shumë sesa Veten.  Si rrjedhim, ne e tregojmë dashurinë tonë për Shpëtimtarin dhe e kremtojmë shërbesën e Tij kur u shërbejmë të gjithë fëmijëve të Perëndisë me dashuri, jo sepse kemi marrë një detyrë si ‘vëllezër dhe motra shërbestare’, por sepse i duam të tjerët sinqerisht ashtu siç i desh Ai.  Ne nuk do të shërbejmë nga detyra, por nga dashuria.

Shërbimi në mbretëri është një pjesë vendimtare e shërbesës tonë për të themeluar Kishën, për t’i administruar ordinancat e ungjillit dhe për t’i lejuar të gjithë fëmijët e Perëndisë që të kthehen tek Ai.  Shpëtimtari shërbeu në mënyrë të palodhur në mbretërinë që Ai organizoi, nëpërmjet autoritetit të priftërisë, duke treguar se sa e rëndësishme është të shërbesh në kishë.  Shërbimi është në zemër të shërbesës tonë ashtu siç ishte thelbi i shërbesës së Shpëtimtarit. Ai filloi me ordinancën e pagëzimit për të përmbushur besëlidhjen nëpërmjet autoritetit të duhur dhe më pas thirri dishepujt e Tij në shërbesën për të shërbyer të palodhur deri në fund, për të themeluar mbretërinë e Perëndisë në tokë.

Durimi deri në fund është elementi i shërbesës tonë që përfundimisht tregon besimin tonë të vërtetë. Zoti kurrë nuk u dorëzua, Ai kurrë nuk reshti, Ai kurrë nuk u tërhoq apo refuzoi të shërbente.  Sigurisht, edhe Shpëtimtari pati ‘çastet’ e Veta kur u ndje i vetmuar ose i braktisur nga të gjithë rreth tij. Ai u tundua por rezistoi. Shumica e njerëzve nuk e pranuan, u tallën me të dhe e fyen, por Ai kurrë nuk reshti së përqendruari te misioni i Tij i përjetshëm dhe kurrë nuk kërkoi që të lirohej nga detyra e Tij e shenjtë. Ai i dha Atit shenjën e vërtetë të besimit të Tij duke duruar deri në fund.  Vetëm atëherë tha Ai: ‘U krye…’[2]

Si do ta tregojmë besimin tonë kur jemi të tunduar, të lodhur apo kur na tallin? Kur ndikimet e botës e tronditin jetën tonë, ose kur përballemi me stuhitë e sëmundjes apo të vështirësive emocionale ose tokësore, a do të na mbajë të fortë besimi ynë? A do të durojmë si Shpëtimtari?

Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi: “Një zotim për të duruar deri në fund do të thotë se ne nuk do të kërkojmë lirim nga një thirrje për të shërbyer.  Do të thotë se ne do të këmbëngulim në ndjekjen e një qëllim të denjë.  Do të thotë se ne kurrë, [asnjëherë, nuk do të heqim dorë nga një] njeri i dashur që ka dalë nga udha.  Dhe do të thotë se ne gjithmonë do t’i ruajmë marrëdhëniet tona të përjetshme, edhe përmes ditëve të vështira të sëmundjes, paaftësisë ose vdekjes.”[3]

Teksa mundohemi të imitojmë shërbesën e Shpëtimtarit ne do të gjejmë fuqi për jetën tonë.  Teksa ne duam, shërbejmë dhe durojmë siç bëri Ai, ne do të marrim fuqinë e vetë Shpëtimtarit në jetën tonë.

Teksa shërbejmë siç bëri Ai, lindja, vdekja dhe ringjallja e Tij do të bëhen më kuptimplote për ne. Ne do të arrijmë të kuptojmë se Krishtlindja dhe Pashkët nuk janë një kujtim njëditor, por një kremtim i përditshëm i jetës së Shpëtimtarit. 

Çdo ditë mund të jetë një lindje e re shpirtërore për ne, madje një ringjallje shpirtërore, teksa “njeriu [ynë] i natyrshëm” vdes për të lindur dhe jetuar sërish në Krisht.

E kremtofshim Krishtlindjen duke e ndjekur Atë në shërbesën e Tij të shenjtë, për t’u bërë gjithmonë e më shumë si Ai, çdo ditë të jetës sonë, ditë pas dite.

 


[1] 3 Nefi 27:21

[2] Gjoni 19:30

[3] Rasëll M. Nelson – Gratitude for the Mission and Ministry of Jesus Christ – Takim Shpirtëror në UBJ 18 gusht 1998