Romë, Itali

Shenjtorët shqiptarë e duan tempullin e Romës

Ndërsa jemi në Shtëpinë e Zotit, Shpëtimtari na mëson se si të kthehemi dhe të jetojmë me Atin e Tij, Atin tonë Qiellor.

75 anëtarë nga Kunji i Tiranës dhe Distrikti i Elbasanit morën pjesë në udhëtimin në tempullin e Romës duke përfunduar kështu, 586 ordinanca gjatë intervalit 23-28 Tetor.

Marsel Pane, nga Tirana, pëlqen të çojë familjen e tij në tempull – edhe kur kërkon sakrificë dhe fluturim përtej detit Adriatik për në Romë, Itali.

“Kur dëgjova për herë të parë se kunji ynë po planifikonte një udhëtim 1-javor në tempullin e Romës, fillova të bëja planifikime menjëherë për t'u siguruar që gruaja dhe dy djemtë e mi (Joeli dhe Elija) mund të bashkoheshin me mua në tempull.”, tha ai. “Shtëpia e Zotit është një vend i veçantë ku na kujtohen besëlidhjet e shenjta dhe të përjetshme që bëjmë atje.”

“Më pëlqeu të shkoja në tempull ! ”, tha Joeli, duke vënë në dukje me krenari se ai përfundoi 37 pagëzime dhe konfirmime gjatë javës së tij në tempull, duke përfshirë shumë emra familjesh. Ai shkoi të kryente pagëzime për të vdekurit çdo ditë gjatë javës që ishte në Romë.

Familja Pane në tempullin e Romës.

Shumica e anëtarëve sollën emrat e tyre të familjes dhe disa morën pjesë në ordinancat e shenjta për herë të parë. Dali Qenanaj nga Lagjja e 4-të e Tiranës, Albana Gura nga Lagjja e 2-të e Tiranës dhe Arjan Kurti nga Dega e Beratit morën indaumentet e tyre ditën e parë në tempull dhe më pas, u kthyen për të marrë pjesë në më shumë seanca dhurimi në pjesën tjetër të javës.

Motra Gura ndau dëshminë e saj pasi u kthye nga tempulli. Ajo citoi: “Kur përpara meje u shfaq Tempulli, mendova se sa i bukur dhe i madh është ai nga pamja e jashtme. Kur hyra brenda, në atë moment mu duk sikur mu shfaq gjithë jeta përpara syve, si dhe rrugëtimi im që Perëndia më kishte përgatitur për të ardhur deri këtu. Ndjeva një nderim dhe përulësi kaq të madhe për Perëndinë, saqë kjo më dha një kuptim të rëndësishëm shpirtëror. Aty ndjeva një afërsi të veçantë me Zotin. Dhe kjo ndjenjë mund të më japë shpresa, kur të kem sfida dhe drejtim, kur të kem nevojë. I jam mirënjohëse Perëndisë!”

Motra Albana Gura viziton për herë të parë tempullin.

Vajza e motrës Gura e shoqëroi nënën e saj në këtë udhëtim. Ajo gjithashtu, ndau dëshminë e saj në kishë për tempullin: “Ndjesitë e mia, që i përjetova në shtëpinë e Zotit, ishin të mrekullueshme, edhe pse unë nuk hyra brenda në tempull. Duke ndenjur në ambientet e tempullit përreth, më jepnin një ndjesi të bukur shpirtërore, duke lënë pas të gjitha energjitë negative të jetës së përditshme. Mendova se sa e bekuar isha unë dhe familja ime. Unë e di se Perëndia më do mua dhe familjen time!”

Motra Gura në tempullin e Romës bashkë me vajzën e saj.

Udhëtimi në Romë kërkonte sakrifica për shumë prej anëtarëve. Jo vetëm që shumë duhej të planifikonin për të humbur një javë punë, por duhej të paguanin edhe biletat e avionit për të fluturuar në Romë. Roan Gjini nga Lagjja e 2-të e Tiranës ka shërbyer si punonjës i ordinancave në tempull gjatë 13 viteve të fundit – fillimisht në Frankfurt, më pas në Bern dhe tani në Tempullin e Romës.

“Kjo ishte një mundësi unike për të hyrë në shtëpinë e Zotit me njerëzit tanë dhe për të dëgjuar ordinancat në gjuhën tonë.”, tha Vëllai Gjini. “Ishte e mrekullueshme të shihje se si rritet besimi i tyre dhe sa shumë duan t'i shërbejnë Zotit.”

Anëtarë nga kunji dhe distrikti vizitojnë së bashku tempullin e Romës.

Përkushtuar në vitin 2019 nga Presidenti Russell M. Nelson, Tempulli i Romës u shërben anëtarëve në Itali, si dhe në Shqipëri, Maltë, Greqi, Qipro dhe pjesë të Rumanisë.

Një grup anëtarësh nga Shqipëria patën një mundësi të takonin vulosësin e tempullit, Rodney Boynton nga Orem, Juta. Ai ka lidhje të forta me Italinë, pasi ka shërbyer një mision kohëplotë atje në vitin 1966, më pas duke u rikthyer si president misioni nga viti 2004 në 2007 dhe tani si punonjës dhe vulosës i ordinancave të tempullit. Ai tha se ka parë rritjen e kishës në Itali nga vetëm 100 anëtarë në më shumë se 27,000 sot.

Vëllai Boynton iu drejtua shkrimeve të shenjta, duke u kujtuar shenjtorëve shqiptarë se ne duhet të jemi nderues dhe të respektueshëm kur hyjmë në Shtëpinë e Zotit.

“Ai na fton në shtëpinë e Tij. Ne jemi mysafirë në shtëpinë e Tij. Shkrimet e shenjta na thonë se shtëpia e Tij është një shtëpi rregulli. Ndërsa jemi në Shtëpinë e Zotit, Shpëtimtari na mëson se si të kthehemi dhe të jetojmë me Atin e Tij, Atin tonë Qiellor.“, tha ai.

“Besëlidhjet vulosëse janë besëlidhje ekzaltimi – premtime për ekzaltim në shkallën më të lartë të Mbretërisë Qiellore. Dëgjoni gjithmonë premtimet e bëra kur vini për të marrë pjesë në një ordinancë vulosjeje. Kur ftojmë dikë në shtëpinë tonë,“- tha vëlla Bojntoni, - “nganjëherë na pëlqen t'i bëjmë një dhuratë. Ati Qiellor gjithashtu pëlqen të na japë një dhuratë – dhuratën e Frymës së Shenjtë,“ tha ai, “duke u kujtuar anëtarëve se ne e ndjejmë Shpirtin me bollëk në shtëpinë e Zotit dhe duhet të dëgjojmë për nxitjet që e drejtojnë jetën tonë përpara në shtegun e besëlidhjes.“