Frankfurt-mbi-Majn

Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme në Europë Dhurojnë mbi 900 Ton Ushqime për Ukrainën

Vonesat dhe mungesat në zinxhirin e furnizimit në Ukrainë krijojnë nevoja të ngutshme për rezerva ushqimore

Një nga efektet e shumta fatkeqe te konfliktit në Ukrainë, është sforcimi shtesë që i bëhet zinxhirit të furnizimit për një mori rezervash ushqimore, veçanërisht për lëndët ushqimore bazë. Kjo ndërprerje ka ndikuar mbi qytetarët anembanë vendit çdo ditë dhe e kufizon qasjen e tyre te shumë artikuj bazë përfshirë ushqimet e gatshme të konservuara, ushqimet për foshnjat, mielli, makaronat dhe orizi.

Pas një njohjeje joformale me një Këshillues të Zëvendëskryeministres së Ukrainës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ofroi përkrahje me një përpjekje për ndihmë në rast urgjencash për t’u dërguar rezerva ushqimore në mënyrë të ngutshme njerëzve në Ukrainë. 

“Kur ky këshillues i qeverisë m’u drejtua mua fillimisht, ne e lidhëm atë me ekipin tonë të Shërbimit Humanitar dhe atij i la shumë mbresa”, – tha Oleksij Hakalenko, i cili punon si Përgjegjës Zonal për Kishën dhe mbikëqyr përpjekjet humanitare të Kishës në Ukrainë. “Ndërsa mësoi më tepër, ai u bë gjithnjë e më entuziast rreth ortakërisë me Kishën në këtë projekt të shumanshëm për dhurimin e ushqimeve.”

Në bashkëpunim me qeverinë ukrainase, Kisha nisi një projekt për ndihmë në rast urgjencash, për t’ua dërguar artikujt ushqimorë që nevojiteshin qendrave të rezervave ushqimore dhe magazinave në vendet pranë si Polonia dhe Rumania. Subjektet qeverisëse në Ukrainë më pas hynë në rrjetin e tyre të themeluar të transportit për t’i transportuar furnizimet me ushqime drejt vendndodhjeve specifike në Ukrainë për shpërndarje. Pika e përqendrimit të dërgesave të transportuara nga qeveria ka qenë të çoheshin furnizimet me ushqime në ato zona dhe komunitete që kanë nevojë më të madhe në Ukrainë.

Kjo përpjekje e mirëmenduar humanitare qe edhe e gjerë edhe e vështirë nga ana logjistike. Daniel Garsia, një blerës në Sektorin e Blerjeve të Kishës në Zonën e Europës, komentoi: “Ne sfidoheshim përditë për të gjetur furnitorë që kishin inventar të cilin mund t’ua blinim dhe ta transportonim brenda një harku të ngushtë kohor. Kostoja e lartë e karburantit gjithashtu paraqiste një pengesë që solli si rrjedhojë dërgesa që me shumë mundësi do të vonoheshin dhe kosto më të mëdha transporti.”

Furnitorët u identifikuan dhe u kontaktuan në shumë vende përfshirë Gjermaninë, Spanjën, Poloninë dhe Rumaninë, mes të tjerash. Kërkesë kyç qe aftësia e tyre për të çuar sasi të stërmëdha ushqimi në një periudhë mjaft të shkurtër kohore.

“Procesi i gjetjes së burimeve për rezervat ushqimore u vështirësua gjithashtu nga pengesat gjuhësore”, – e mbylli fjalën Garsia. “Në disa raste i gjithë komunikimi u desh të kryhej nëpërmjet përkthimit me Google.”

Dërgesat urgjente u bënë gjatë një periudhe tetëjavore nga prilli deri në maj 2022. Kisha dërgoi mbi 1000 paleta me artikuj ushqimorë gjatë asaj kohe. Bashkë me ndihmën e mëparshme që iu dha popullit të Ukrainës, dhurimet humanitare të Kishës atje janë gjithsej mbi 900 ton ushqime dhe rezerva të tjera.