Frankfurt-mbi-Majn

Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme Gjejnë Mënyra të Reja për t’u Dhënë Shërbesë Refugjatëve

Përpjekjet e ndihmës vazhdojnë anembanë Europës

Ndërkohë që rritet fluksi i refugjatëve nga Europa Lindore, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme vazhdon të marrë pjesë aktivisht në përpjekjet e ndihmës që po ndodhin kudo nëpër Europë. Këto përpjekje përfshijnë krijimin e strukturave zyrtare (të tilla si Komiteti i Ndihmës ndaj Urgjencave, i përshkruar më poshtë) dhe rrjete jozyrtare me organizata të tjera të themeluara humanitare për t’u shërbyer atyre që janë ndikuar nga konflikti që vazhdon.

Plaku Karl B. Kuk, i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, (majtas), Plaku Masimo De Feo, Presidenti i Zonës së Europës, (në mes) dhe Presidenti Dejvid L. Çendlër, Presidenti i Misionit të Polonisë, Varshavë (djathtas), këshillohen mbi përpjekjet për refugjatët në Poloni.
Plaku Karl B. Kuk, i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, (majtas), Plaku Masimo De Feo, Presidenti i Zonës së Europës, (në mes) dhe Presidenti Dejvid L. Çendlër, Presidenti i Misionit të Polonisë, Varshavë (djathtas), këshillohen mbi përpjekjet për refugjatët në Poloni.

“Ne po përpiqemi të bëjmë atë që Jezusi do të na donte të bënim, të lartësojmë moralisht të shtypurit. Prandaj ne dëshirojmë që furnizimet e duhura, përkrahja financiare dhe njerëzit e duhur të shkojnë atje ku nevojiten më shumë – dhe sa më shpejt që të jetë e mundur”, – tha Plaku Masimo De Feo, President në Presidencën e Zonës së Europës.

Ky shqetësim çoi në krijimin ose riaktivizimin e këshillave dhe strukturave të ndihmës anembanë zonës, ku udhëheqësit vendorë të priftërisë dhe udhëheqëset vendore motra të Kishës bashkërendojnë punën në lidhje të ngushtë me Presidencën e Zonës së Europës dhe duke ndjekur udhërrëfimin e udhëzimin e asaj Presidence.

Presidenca e Zonës së Europës është trupi qeverisës për Kishën në 38 vende europiane dhe mbikëqyr përgjigjen humanitare dhe financimin nga Kisha për përkrahjen e refugjatëve.

Plaku Ruben V. Alloid, këshilltar i dytë në Presidencën e Zonës së Europës, shtoi se “duke i parashikuar ngjarjet e tanishme, ne në presidencë ishim gati për të vënë në përdorim menjëherë Komitetin e Përgjigjes ndaj Urgjencave për të bashkërenduar të gjitha përpjekjet e ndihmës në Zonë”.

Kjo përpjekje vihet në lëvizje nga linja e priftërisë dhe përkrahet nga ata që punojnë në zyrën e Zonës së Europës në Frankfurt-mbi-Majn. Komiteti bashkërendon ndihmën e parë me udhëheqësit vendorë nëpërmjet Të Shtatëdhjetëve Zonalë dhe presidentëve të misioneve në vendet e ndikuara. Më shumë se 600 refugjatë ukrainas që janë anëtarë të Kishës, janë ndihmuar drejtpërsëdrejti. Plaku Alliod u shpreh se “është gati tronditëse të shohësh mirësinë dhe gatishmërinë për të shërbyer të kaq shumë njerëzve”.

Një nismë e veçantë që lindi në këto këshilla të udhëhequra nga priftëria, është Sistemi i Partneritetit të Degëve që u krijua për të përkrahur bashkësitë e Kishës pranë kufirit me Ukrainën dhe për të organizuar më me efektshmëri përpjekjet humanitare atje. Sistemi krijon partneritete të 19 kunjeve gjermane, zvicerane dhe austriake me 24 bashkësi të vendeve të Zonës së Europës që kanë një kufi të përbashkët me Ukrainën. Një kunj është një grup bashkësish brenda një zone gjeografike.

Ky Sistem i Partneritetit të Degëve krijon një lidhje të drejtpërdrejtë komunikimi dhe një sistem përkrahjeje midis atyre bashkësive që ndodhen në vijën e parë të atyre që kanë nevojë për ndihmë, dhe grupit të partnerëve që janë lidhur me to për ta siguruar atë ndihmë. Peter Huberi, një anëtar i Këshillit të Përgjigjes ndaj Urgjencave për Zonën e Europës, i cili po punon me projektin, vuri në dukje se: “Është jashtëzakonisht sfiduese për të plotësuar nevojat e refugjatëve që po kalojnë kufirin ukrainas prej 2000 kilometrash”. Për shembull, “njerëzit në veri kanë nevoja të ndryshme nga njerëzit në jug”. Huberi shtoi: “Anëtarët nuk duan thjesht të shkruajnë një çek. Ata duan të përfshihen emocionalisht.”

Greg Pavliku, një bashkërendues vullnetar për refugjatët për Kishën në Poloni tha, duke folur për rolin e vet: “Më së fundi, unë jam në gjendje ta jetoj fenë time”. Xhuli Vondra, një Këshilluese Zonale për Organizatat për Europën Lindore, tha: “Dashuria dhe dëshira për të ndihmuar janë tronditëse kur i sheh. Zemrat e njerëzve po drejtohen ndaj njëri‑tjetrit.”

Ndërkohë Kisha njoftoi një dhurim të ri prej 4 milionë dollarësh amerikanë për të ndihmuar refugjatët në Europë. Dhurimi iu dha Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët dhe World Food Programme [Programit Botëror për Ushqimin] për të ndihmuar njerëzit e shpërngulur nga kriza humanitare në Ukrainë.

Më poshtë janë disa njoftime të reja, të rëndësishme për mënyrën se si Kisha në Europë po ndihmon në krizën e tanishme. Për njoftime të mëparshme, klikoni këtu dhe këtu.

Polonia

Krakovi është në vijën e parë të rrjedhës së refugjatëve nga Ukraina. Agata Tudor‑Harti, udhëheqësja e organizatës së shërbimit të grave në bashkësinë vendore, është përkohësisht një bashkërenduese për refugjatët në një rrjet të ri jozyrtar për refugjatët. Ajo dërgoi vullnetarin kohëplotë të Kishës, Erik Shrodterin, te stacioni i trenit në Krakov, të shoqëruar me refugjatë, për të gjetur një grua të quajtur Marina. “Mbas 90 minutash kërkimi mes fytyrave të panjohura, një grua ma kapi krahun, pasi kishte vënë re etiketën time të emrit të misionarit.” Shrodteri i tha: “Marina?” Ajo e tundi kokën plot emocion duke buzëqeshur fort. “Atë ditë Perëndia nuk iu përgjigj vetëm lutjeve tona, por edhe lutjeve të tyre.”

Stacioni i trenit plot njerëz në Krakov ku Marina gjeti Erik Shrodterin.
Stacioni i trenit plot njerëz në Krakov ku Marina gjeti Erik Shrodterin.

“Në Varshavë, askush nuk thotë: ‘Nuk mundem’”, – tha Anjezka Mazurovska, bashkërenduesja në kryeqytetin e Polonisë. “Nuk bëjmë aspak më shumë se çdo njeri tjetër në Poloni. Edhe miqtë tanë nga shumë larg po na ndihmojnë gjithashtu.” Disa anëtarë të mëparshëm të bashkësive kanë shkuar në internet nga vende të tjera për të paguar për konserva me ushqime për refugjatët në Varshavë. Mazurovska tregoi edhe historinë e një nëne dhe bijës së saj adoleshente shtatzënë. Bijës së merakosur, e cila u martua vetëm tre muaj më parë, iu desh t’i linte babanë dhe bashkëshortin e saj në Ukrainë (shumicës së burrave ukrainas të moshave 18 deri 60 vjeç u kërkohet të qëndrojnë). Mazurovska tha: “Nuk mund ta bëja të lumtur, kjo gjë ishte e pamundur. Unë vërtet u përpoqa, gjithsesi, që ta bëja më të lehtë hidhërimin e saj.”

Julia, prindërit e saj dhe biri i saj 12‑vjeçar u larguan nga Kievi, duke lënë pas bashkëshortin e saj. Teksa grupi i saj i refugjatëve u rrit nga 25 më pas në 66 veta, Julia u bë udhëheqësja e tyre, duke i udhëhequr në lutje dhe duke i quajtur “një bashkim ukrainasish me një zemër të bashkuar”. Me fjalët e veta, ajo tregoi përvojën në tempull e cila i ka dhënë mbështetje në udhëtimin e saj. “E kemi traditë që të shkojmë në tempull kur fëmijët tanë mbushin 12 vjeç. Ne shkuam për ditëlindjen e 12‑të të birit tonë, ditën përpara se të fillonte konflikti. Të gjithë pjesëtarët e familjes sime shkuan në tempull. Ishim në vendin më të bukur, më të sigurt dhe më të shenjtë në botë. E ndiem dashurinë e Perëndisë.” Julia dhe familja e saj janë tani në Krakov të Polonisë, duke u përgatitur që të udhëtojnë drejt Gjermanisë për të jetuar me të afërmit e tyre.

Biri i Julias në shugurimin e tij si dhjak në Priftëri.
Biri i Julias në shugurimin e tij si dhjak në Priftëri.

Familja e Marias është ndarë në javët e fundit. Babai, nëna dhe një vëlla i saj po qëndrojnë pas në Ukrainë, ndërkohë që ajo dhe motra e saj po zhvendosen drejt perëndimit, duke u përpjekur të bashkohen me vëllanë e tyre atje. Ndërkohë që shtëpia e saj ishte në Donetsk, në pjesën lindore të Ukrainës, kur filloi konflikti ajo ishte në një konferencë për të rinjtë në moshë madhore beqarë në pjesën perëndimore të Ukrainës. Ajo nuk ishte më në gjendje të kthehej në shtëpi. Ajo dhe motra e saj vendosën të mos ktheheshin në shtëpi dhe në vend të kësaj u nisën drejt Lvivit në Ukrainë, së bashku me 20 të tjerë që kishin shkuar në konferencë.

Atje u takuan me 16 të tjerë dhe grupi i madh udhëtoi drejt Krakovit. Ajo përdori një program të sponsorizuar nga Kisha në Facebook që të gjente ndihmë të veçantë për gjendjen e saj. Duke u ndalur vetëm për një ditë në Krakov, pavarësisht nga problemet, ajo tha: “E di se Perëndia më do, se Ai e di se kush jam dhe se Ai ka një plan për mua. Kam parë shumë mrekulli. E di se Ati Qiellor e sheh atë që po bëj.” 

Greg Pavliku, një anëtar i Kishës në Degën e Krakovit, e mori një burrë me makinë nga zona e kufirit dhe diskutoi me të se çfarë mund të bënte për ta ndihmuar. Pavliku e pyeti në ukrainisht nëse fliste ndopak anglisht. Ai u përgjigj në ukrainisht: “Në anglisht di vetëm një frazë: ‘Unë jam anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme’”.

Pavliku gjithashtu foli me një familje tjetër anëtarësh të Kishës, gjithashtu duke u arratisur nga Ukraina. Ata treguan fotografinë e tyre të fundit të familjes, të nxjerrë përpara Tempullit të Kievit në fillim të shkurtit, të shkrepur nga bija e tyre. Jo shumë kohë pasi filluan luftimet, Tempulli i Kievit u mbyll dhe familja tani është e ndarë. Nënës dhe dy fëmijëve të saj iu desh ta linin pas atin dhe bashkëshortin. Ata po strehohen dhe ushqehen nga bashkësia e Gdanskut me vetëm 10 anëtarë. Ajo e mban atë fotografi të shtrenjtë në zemër, duke mos e ditur nëse do të jenë së bashku përsëri.

Pjesëtarët e një familjeje që janë anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, kalojnë një kohë të gëzueshme në Tempullin e Kievit në fillim të shkurtit 2022.
Pjesëtarët e një familjeje që janë anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, kalojnë një kohë të gëzueshme në Tempullin e Kievit në fillim të shkurtit 2022.

Itali

Në Itali, Kunjet e Milanos Lindore dhe Perëndimore u bashkuan me Konsullatën e Përgjithshme të Ukrainës në Itali për të mbledhur mallra të domosdoshme për njerëzit e Ukrainës. Të rinj të moshave 14 deri në 30 vjeç shpërndanë lista të materialeve të nevojshme nëpër qytet dhe fëmijët bënë vizatime për t’i dërguar me paketat. Anëtarët, misionarët dhe miqtë e Kishës dhuruan dhe mblodhën personalisht gjithçka që u kërkua nga Konsullata. Duzina njerëzish i seleksionuan, paketuan dhe ngarkuan 25 paleta me 551 kuti me batanije, veshje, ushqime, furnizime mjekësore dhe produkte të higjienës vetjake në kamionë të ofruar nga Konsullata që udhëtuan drejt Ukrainës. Për të mësuar më shumë rreth këtij projekti shërbimi, kontrolloni këtë artikull në Redaksinë e Lajmeve të Kishës për Italinë.

Mallra të domosdoshme, të mbledhura nga Kisha në qytetin e Milanos, gati për t’u dërguar në Ukrainë.
Mallra të domosdoshme, të mbledhura nga Kisha në qytetin e Milanos, gati për t’u dërguar në Ukrainë.

Luksemburg

Udhëheqësit dhe anëtarët e Kishës në Luksemburg filluan të mbledhin artikuj kryesorë për të përkrahur refugjatët që po hyjnë në Poloni, Rumani dhe Sllovaki. Ata u lidhën me organizatën Association MGM, me bazë në Rumani, që po siguron ndihmë në kufi. Anëtarët në Luksemburg gjithashtu janë bashkuar me L’Ukraine, një organizatë që tashmë po bënte përpjekje ndihme midis Luksemburgut dhe krahinës së Donetskut të Ukrainës. Qindra kuti me dhurime u mblodhën, seleksionuan dhe transportuan drejt zonave kryesore të fluksit të refugjatëve. Të rejat e lagjes filluan një projekt në shkollat vendore për të mbledhur më shumë furnizime dhe javën më pas kaluan një mbrëmje duke i seleksionuar dhe paketuar ato.

Nëpërmjet ndihmesave vendore, furnizimet iu shpërndanë nga udhëheqja e bashkësisë një bashkësie vendore në Varshavë. Pasi u takuan me udhëheqësit e Kishës atje, u ofruan duzina me dyshekë me ajër, dyshekë të hollë fjetjeje, kuti të ndihmës së parë, furnizime mjekësore, batanije, jastëkë dhe të mira të tjera materiale për t’i çuar më tej përpjekjet e Kishës në atë pjesë të Europës.

Suedi

Në ditët e fillimit të krizës, dy vëllezër nga bashkësitë e Kishës në Suedi shkuan me makinë në Varshavë me, midis gjërave të tjera, 100 thasë gjumi, që ishin shumë të dobishëm ngaqë ishin mbaruar në dyqanet e Polonisë. Vëllezërit thjesht donin të ndihmonin dhe kjo ishte mënyra më e shpejtë që e gjetën për ta dhënë atë ndihmë. Anëtarëve dhe miqve të Kishës tani u kërkohet t’i bashkërendojnë përpjekjet e tyre fillimisht me udhëheqjen vendore në bashkësitë e tyre përkatëse ose me organizatat e krijuara bamirëse apo me organizatat e ndihmës vendore.

Thasë gjumi dhe mallra të tjera u sollën nga Suedia prej dy të rinjve që përfaqësojnë bashkësitë suedeze të Kishës.
Thasë gjumi dhe mallra të tjera u sollën nga Suedia prej dy të rinjve që përfaqësojnë bashkësitë suedeze të Kishës.

Francë

Në Francë, udhëheqësi i Kishës në Malhaus, Kristof Mortier, u bashkua me Restos du Cœur, një organizatë ndihme sllovake, për të mbledhur dhe transportuar materiale për nevojat bazë për në kufirin sllovak. Këto mallra u dorëzuan pak ditë më vonë. Grupi u kthye me një familje me gjashtë veta që po shkonin për në Luksemburg, të cilët po ndihmoheshin nga shoqata L’Ukraine, e cila mirëpret njerëz të shpërngulur. Një emigrant ukrainas që udhëheq një nga bashkësitë e Parisit, organizoi një grumbullim të ngjashëm materialesh, që çoi në tri udhëtime të tjera.

Udhëheqësi i bashkësisë në Malhaus, në bashkëpunim me shoqatën APPUIS, udhëtoi drejt vendit dhe solli pesë familje të shpërngulura ukrainase. Në krahinën e Lilës, pesë ton ushqimesh u mblodhën nga bashkësitë nëpërmjet SDJ Solidarité, në bashkëpunim me Secours Populaire de Lomme. Transportimi i ushqimeve për në kufi u sigurua nga Confort Luxe i Belgjikës. Më shumë informacion për punën e tyre mund të gjendet në këtë artikull të botuar në Redaksinë e Lajmeve të Kishës për Francën.

Refugjatë të rinj në moshë presin Kristof Mortierin nga Malhausi që t’i marrë me makinë nga kufiri midis Ukrainës dhe Polonisë. Autorësia e fotografisë: Christophe Mortier
Refugjatë të rinj në moshë presin Kristof Mortierin nga Malhausi që t’i marrë me makinë nga kufiri midis Ukrainës dhe Polonisë. Autorësia e fotografisë: Christophe Mortier

Danimarkë

Një bashkësi e Kishës në Allerod raportoi se një familje anëtare nga Ukraina mbërriti dhe po merrte pjesë në shërbimet kishtare të dielën. Zotërimet e tyre të vetme ishin rrobat e trupit. Bashkësia po siguron strehim dhe po mbledh më shumë veshje, ushqime dhe gjëra të domosdoshme për t’i ndihmuar ata. Udhëheqësit raportojnë se familja është shumë mirënjohëse dhe ndihet e mirëpritur. Lagje të ndryshme daneze (bashkësi më të mëdha) po mbledhin ushqime dhe veshje për t’i dërguar në kampet e refugjatëve. Ata gjithashtu po marrin pjesë në një projekt danez, duke mbledhur para për organizata të ndryshme që po ndihmojnë në Ukrainë. Ata kanë në plan të mbajnë më shumë agjërime për qytetarët e Ukrainës. Në disa ditët e para të fillimit të krizës, udhëheqja e Kishës në Europë i ftoi të gjithë anëtarët që të mos hanin ushqime dhe mos pinin ujë për një ditë dhe t’i dhuronin ato fonde për programet humanitare të Kishës.

Gjermani

Në Fridrihsdorf, rinia e bashkësisë vendore seleksionoi dhe palosi veshje për refugjatët ukrainas. Selia Diez, udhëheqësja e tyre në moshë madhore, përdori Komunitetin JustServe [ThjeshtShërbe], një platformë në internet e financuar nga Kisha, për të mbledhur veshje. Brenda 24 orësh ata kishin mjaft veshje sa të mbushnin 60 çanta të mëdha. Mbushën një kamion dhe i dërguan ato në Qendrën e Refugjatëve në Frankfurt, ku 150 refugjatë afganë që më parë ishin strehuar në Ukrainë, ishte dashur të shpërnguleshin përsëri për në Frankfurt.

Gjashtëdhjetë çanta me veshje të mbledhura nga rinia shenjtore e ditëve të mëvonshme në Fridrihsdorf, Gjermani. Veshjet iu dorëzuan refugjatëve në Frankfurt.
Gjashtëdhjetë çanta me veshje të mbledhura nga rinia shenjtore e ditëve të mëvonshme në Fridrihsdorf, Gjermani. Veshjet iu dorëzuan refugjatëve në Frankfurt.

Në Austri, Kisha organizoi ekipe të krizës për të bashkërenduar ndihmën për ukrainasit nevojtarë. Brenda pak ditësh, anëtarët mblodhën mallra të dhuruara dhe ua dhanë organizatave të ndihmës. Duke bashkëpunuar me grupin e ndihmës ndaj refugjatëve Train of Hope [Treni i Shpresës] në Vienë, Kisha ndihmoi duke organizuar vende për strehim afatshkurtër dhe afatmesëm, si edhe përkthyes. Vullnetarët ndihmojnë duke siguruar mallrat dhe ilaçet e nevojshme dhe duke përgatitur vakte ushqimi për më shumë se 50 refugjatë në një hotel familjar të dhënë me qira. Mësoni më shumë në këtë artikull të botuar në Redaksinë e Lajmeve të Kishës për Austrinë

Anembanë vendit, anëtarët u japin kontribute përpjekjeve të ndihmës së Kishës dhe projekteve nga organizata bamirëse në vetë komunitetet e tyre. Ekipi i Kishës për krizat në Austri, në bashkëpunim me udhëheqjen e Kishës në Ukrainë, mbledh mallra të nevojshme, të tilla si ilaçet. Dhe ata kanë krijuar një ekip transportimi për t’ua çuar ato ilaçe anëtarëve dhe, nëse nevojitet, për të transportuar anëtarë nëpër shtëpi të sigurta në Austri ose kudo tjetër.

Një lidhje e përbashkët e shprehur nga ata njerëz, historitë e të cilëve janë treguar këtu, është mirënjohja e thellë ndaj të gjithë atyre që kanë sakrifikuar kohën, rehatinë dhe burimet e tyre për të mbledhur e shpërndarë ushqime, furnizime dhe veshje. Këta refugjatë shprehin besimin te Perëndia dhe shpresën për të ardhmen nëpërmjet Jezu Krishtit.

Ata që duan të ndihmojnë ose që kanë nevojë për ndihmë, mund të kontrollojnë këtë faqe burimesh të krijuar nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Europë.