Mesazh nga Udhëheqja Zonale

Rrezja e Pafundme e Veprimit e Zotit

Ju ftoj ta dokumentoni dorën e Zotit në jetën tuaj, duke e nisur në retrospektivë që nga koha më e largët që ju kujtohet

Rrezja e Pafundme e Veprimit e Zotit
Plaku Mark G. Stjuart, Mbretëri e Bashkuar
Plaku Mark G. Stjuart, Mbretëri e Bashkuar I Shtatëdhjetë Zonal, Zona e Europës Veriore

Një çast domethënës në rrugëtimin tim vetjak drejt Jezu Krishtit mund t’i ketë gjurmët te një ftesë e bërë nga Presidenti Henri B. Ajring[ [1] ku ai i ftoi dëgjuesit të vepronin.

Ai tha: “Ju bekoj që çdo ditë, nëse do ta kërkoni në lutje, t’ju tregohet se ku ndërhyri dora e Perëndisë në jetën tuaj atë ditë; ju bekoj që ta shihni atë, që t’ju dëftohet juve, që ta shihni se Ai po ju udhëheq, po ju udhërrëfen dhe po ju ngre dhe se Ai ju njeh”.

Kjo ftesë, ‘për ta dokumentuar në mënyrë të ndërgjegjshme dorën e Zotit në jetën tuaj çdo ditë’, më preku.

p3

E pranova ftesën dhe bleva një bllok të ri në ngjyrë të kaltër që do të bëhej një anal i çmuar vetjak, ku shënoja çastet kur e shihja dorën e Zotit në jetën time. Nuk kisha si ta dija se sa vendimtar do të ishte ky bllok i vogël e i kaltër shënimesh, në rrugëtimin tim të vazhdueshëm për të kërkuar Jezu Krishtin.

Duke sjellë ndër mend rastet kur e kam dalluar dorën e Zotit në jetën time, m’u kujtua një rast kur isha njëmbëdhjetë vjeç. Pësova një aksident që më shpoi shpretkën. Prej kësaj u desh të shtrohesha në spital dhe, para operimit, të qëndroja pa ngrënë dhe pa pirë për një periudhë kohe që m’u duk si përjetësi. Veçanërisht më kujtohet se isha në një dhomë të madhe, duke u ndier i cenueshëm dhe i vetmuar në orët e para të mëngjesit. U luta në heshtje për ndihmë për ta lehtësuar ankthin dhe parehatinë time. Brenda një periudhë të shkurtër kohore, erdhi një infermiere dhe më ofroi një kub akulli të mbështjellë me një fashë pambuku për ta thithur. Çlirimi dhe freskia nga akulli m’u duk si një gosti luksoze. Më e rëndësishmja, megjithatë, e njoha dhe e dallova dorën e Zotit.

p4

Një shkrim i shenjtë te libri i Psalmeve u përmbush në atë shtrat spitali. Atë natë “unë e kërkova Zotin, dhe ai m’u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia”[2]. Ndonëse kjo mund të duket diçka e vogël, orvatja ime për të kërkuar dhe për të ushtruar besim, mori përgjigje. Dhe nuk ndjeva vetëm çlirim fizik, unë ndjeva se Ai më njihte.

Pa përçuar çdo përvojë që kam dokumentuar në bllokun tim të kaltër të shënimeve, prej tij ka dalë një model i qëndrueshëm. Kur unë kërkoj, besoj se do të marr[3] dhe e dalloj Atë, marrëdhënia ime me Të forcohet. Ky model më ka udhërrëfyer dhe vazhdon të më udhërrëfejë përgjatë sëmundjes, sprovave, dëshpërimit dhe dhembjes.

p5

Tema e FSY-së për vitin 2022[4] e përshkruan përsosurisht këtë model. Bashkëshortja ime, Eilsa, dhe unë patëm privilegjin të ishim pjesë e sesionit të FSY-së Mançester-Skoci 2022. Ne dëshmuam se ky model po vihej në veprim në jetën e shumë pjesëmarrësve. Një e re solli shumë pyetje të vështira në FSY, me asnjë pritshmëri që ato të gjitha do të merrnin përgjigje. Ajo tregoi mes lotësh gëzimi se, gjatë kësaj ngjarjeje me përqendrim te Krishti, çdonjëra nga pyetjet e saj kishte marrë përgjigje. Ajo e dinte se Ai e njihte atë. Kjo e re është thirrur kohët e fundit për t’i shërbyer Atij në misionin e Gjermanisë, Frankfurt.

Apostulli Pjetër na ftoi: “Jini gjithnjë gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju”[5].

p5

Ju ftoj ta dokumentoni dorën e Zotit në jetën tuaj, duke e nisur në retrospektivë që nga koha më e largët që ju kujtohet. Vazhdoni çdo ditë ta njihni, dalloni dhe pranoni rrezen e veprimit të mjeshtrit të shërimit, yllit të ndritshëm të mëngjesit, Atij që është në të gjitha gjërat, mbi të gjitha gjërat, përmes të gjitha gjërave dhe përreth të gjitha gjërave.[6]

Unë e dua Atë, e adhuroj Atë, mbështetem tek Ai, sepse mund të risjell në kujtesë raste të panumërta kur pata një vërtetim vetjak që Ai më njeh dhe më do.

Në emrin e Jezu Krishtit, amen


Shënime:

[1] “A Steady, Upward Course” – Henry B. Eyring, takim shpirtëror në universitetin “UBJ-Ajdaho”, shtator 2001

[2] Psalmeve 34:4

[3] Mateu 21:22

[4] Fjalët e Urta 3:5–6

[5] 1 Pjetër 3:15

[6] Kolosianëve 1:17