RootsTech-u bëhet falas dhe në internet në vitin 2021

RootsTech Connect 2021 do të ofrojë një ndërthurje si të përmbajtjes për transmetim të drejtpërdrejtë ashtu edhe përmbajtjes në varësi të kërkesës.

Vetëm pak ditë na ndajnë nga koha kur konferenca më e madhe në botë për historinë familjare do të na shfaqet në ekrane në shtëpi. RootsTech Connect për herë të parë fare do të zhvillohet si një ngjarje në internet në datat 25–27 shkurt 2021. E organizuar nga programi FamilySearch, një organizatë jofitimprurëse e financuar nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, regjistrimet për të janë plotësisht falas dhe të hapura për këdo.

Në vitet e kaluara, dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën për t’u bashkuar me të në Solt-Lejk-Siti, në shtetin e Jutës, SHBA. Organizata i zgjeroi kufijtë e saj ndërkombëtarë dhe zhvilloi një konferencë në Londër në tetor 2019. Për shkak të pandemisë COVID-19 që ende vazhdon, RootsTech Connect 2021 do të zhvillohet plotësisht në internet.

Folësit kryesorë nga Italia dhe Mbretëria e Bashkuar si dhe orët mësimore të ofruara në anglisht, spanjisht, portugalisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, rusisht dhe 35 gjuhë të tjera, do ta bëjnë mjaft tërheqëse ngjarjen treditore të këtij viti për pjesëmarrësit europianë.

RootsTech Connect 2021 do të jetë plotësisht në internet.

“Orët mësimore janë prodhuar në nivel vendor në disa gjuhë europiane nga ekspertë europianë të historisë familjare”, shpjegoi Paulo Pereira, drejtues marketingu për FamilySearch-in në Europë. “Kjo është një përvojë e paçmuar që përfshin të gjithë botën. Është hartuar në mënyrë të tillë që të frymëzojë pjesëmarrësin e veçantë nga çdo vend, kulturë dhe gjuhë.”

Mbi 200 000 pjesëmarrës tashmë janë regjistruar nga mbi 200 shtete dhe territore, përfshirë mbi 15 000 të regjistruar nga 43 vende europiane.

RootsTech Connect 2021 do të ofrojë një ndërthurje si të përmbajtjes për transmetim të drejtpërdrejtë ashtu edhe përmbajtjes në varësi të kërkesës, për t’ju përshtatur ndryshimeve të orës sipas zonave për publikun e saj në mbarë botën. Për më tepër, sesionet do të vihen në dispozicion për t’u parë në varësi të kërkesës pasi të përfundojë ngjarja.

Gjatë gjithë konferencës, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të bashkëveprojnë me folësit, ekspozuesit dhe të pranishëm të tjerë përmes bashkëbisedimit të drejtpërdrejtë si dhe sesioneve me pyetje-përgjigje.

“Do të jetë një kremtim i nivelit botëror për familjet, kulturat dhe traditat nga secili rajon i botës. Ajo do të paraqesë muzikë të veçantë, receta gatimi, kulturë dhe histori të kontribuara nga përdorues nga e gjitha bota dhe në veçanti nga vendet tona europiane”, tha Pereira. “Bashkohuni me qindra mijëra njerëz nga mbarë bota për këtë ngjarje të paharrueshme në internet. Nuk do të pendoheni.”

Folësit kryesorë të konferencës përfshijnë Nik Vuxhiçiçin, një autor me shumë shitje të veprave i gazetës New York Times dhe folës motivues ndërkombëtar, aktoren e serialeve dramatike, fituese të çmimit nga BBC, Sunetra Sarker, dhe Françesko Lotoron, një pianist, kompozitor, dirigjent dhe koleksionist italian i muzikës së kompozuar në robëri gjatë Holokaustit. Folësit e tjerë kryesorë vijnë nga Australia, India, Uruguai, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara.

Si pjesë të festimeve, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, do të organizojë një “Discovery Day” [“Ditë Zbulimi”] ku do të paraqitet Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe bashkëshortja e tij, Patrishia. Ata do të flasin për rëndësinë e lidhjes me familjen, atdheun dhe paraardhësit e një personi.

Për më tepër, Plaku Dejvid A. Bednar, Plaku Geri E. Stivenson dhe Plaku Dejll G. Renland, gjithashtu nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, do të zhvillojnë një mbledhje Udhëzimi për Udhëheqjen mbi Tempullin dhe Historinë Familjare. Të rinjtë e të rejat dhe të rinjtë në moshë madhore të moshave 11 deri në 35 vjeç gjithashtu ftohen të marrin pjesë në një aktivitet të veçantë të titulluar “Our Quest for Connection” [“Kërkimi Ynë për Lidhje Familjare”].

Mësoni më shumë për RootsTech Connect 2021 dhe regjistrohuni falas në RootsTech.org.