SOLT-LEJK-SITI, JUTË

RootsTech 2023 do të Përfshijë Ngjarje në Internet dhe me Prani Fizike

“Jemi vazhdimisht në kërkim të ideve të reja për të ndihmuar të zgjerohet shtrirja jashtë industrisë dhe për të krijuar përvoja angazhuese dhe edukuese për frekuentuesit e konferencës RootsTech.”

RootsTech 2023

RootsTech, mbledhja më e madhe në botë për historinë familjare kthehet për vitin 2023 me një ngjarje me prani fizike në Solt-Lejk-Siti për të plotësuar konferencën e saj të gjerë në internet. Shënojini në kalendarët tuaj datat 2–4 mars 2023, për t’iu bashkuar miliona frekuentuesve virtualë dhe me prani fizike për fjalime kryesore frymëzuese, orë udhëzuese, teknologji që sjellin risi, dhe mbi të gjitha, për mundësinë që t’i lidhni njerëzit me familjen e tyre – në të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen.

FamilySearch entuziazmohet për ta vazhduar trashëgiminë e organizimit të konferencës RootsTech në përpjekje për të bashkuar familjet. Ngjarja e vitit 2023 shënon vitin e 13‑të të kësaj mbledhjeje mbarëbotërore. Në vitin 2022, mbi 3 milion njerëz morën pjesë përmes internetit. Prej fillimit, risia ka qenë një parim udhërrëfyes për konferencën RootsTech. Çdo vit, organizatorët e ngjarjes e përshtatin përmbajtjen për të tërhequr njerëz nga mbarë bota dhe për ta bërë atë aktuale. Ngjarja 2023 nuk do të jetë ndryshe.

 “Ndihemi të detyruar që të vazhdojmë të mësojmë dhe të zhvillohemi”, – tha Xhen Aleni, drejtuesja e ngjarjeve të konferencës RootsTech. “Jemi vazhdimisht në kërkim të ideve të reja për të ndihmuar të zgjerohet shtrirja jashtë industrisë dhe për të krijuar përvoja angazhuese dhe edukuese për frekuentuesit e konferencës RootsTech.”

Ngjarja 2023 do të mirëpresë folës nga e gjithë bota që do të trajtojnë një mori temash të lidhura me gjenealogjinë. Ka shumë lajmërime që nuk janë bërë ende rreth konferencës RootsTech 2023, por Aleni tha se përvoja virtuale do të mbetet pa pagesë dhe e hapur për gjithkënd anembanë botës. Ngjarja me prani fizike do të ketë një kosto (që do të përcaktohet më vonë) lidhur me regjistrimin dhe do të përfshijë orë mësimore të veçanta me veçori të pasura si Pyetje dhe Përgjigje drejtpërsëdrejti ose seminare praktike të thelluara dhe raste për studim. Përveç këtyre, ngjarja me prani fizike do të ketë përvoja të pashembullta lidhjeje dhe sigurisht, sallën e ekspozitës, që është e parapëlqyera e frekuentuesve të konferencës RootsTech në të shkuarën.

Aleni tha se pjesëmarrësve do t’u pëlqejnë përvojat e paçmueshme të zbulimit të lidhjeve familjare, pavarësisht nëse e frekuentojnë virtualisht ose me prani fizike. “Jemi të emocionuar që vazhdojmë t’u shërbejmë miliona njerëzve që e frekuentojnë virtualisht çdo vit dhe presim me padurim t’i mirëpresim ata që do ta frekuentojnë me prani fizike në Solt-Lejk-Siti.”

Për më shumë informacion ose për t’u regjistruar për përditësime, vizitoni faqen RootsTech.org. Gjejini dhe shpërndajini këto njoftime për shtyp në internet në Redaksinë e faqes FamilySearch.

RRETH KONFERENCËS ROOTSTECH

Konferenca RootsTech mirëpret miliona njerëz nga mbarë bota për të kremtuar familjen në konferencën më të madhe të botës për historinë familjare dhe në platformën ku mësohet gjatë gjithë vitit. Me mijëra orë mësimore, folës të frymëzuar, veprimtari kuptimplota dhe lidhje të gëzueshme, konferenca RootsTech e bashkon familjen njerëzore si asnjë ngjarje tjetër. Mësoni më shumë në RootsTech.org.

RRETH PROGRAMIT FAMILYSEARCH

FamilySearch International është organizata më e madhe gjenealogjike në botë. Organizata FamilySearch është një organizatë jofitimprurëse, mbi baza vullnetare, e financuar nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Miliona njerëz i përdorin dokumentet, burimet dhe shërbimet e organizatës FamilySearch për të mësuar më shumë mbi historinë e tyre familjare. Për të ndihmuar në këtë ndërmarrje të madhe, organizata FamilySearch dhe organizatat paraardhëse të saj kanë mbledhur, ruajtur dhe shpërndarë aktivisht dokumente gjenealogjike në mbarë botën për më tepër se 100 vjet. Frekuentuesit mund t’i përdorin shërbimet dhe burimet e organizatës FamilySearch pa pagesë në internet në FamilySearch.org ose nëpërmjet më shumë se 5 000 qendrave të historisë familjare në 129 shtete, duke përfshirë Bibliotekën qendrore të Historisë Familjare në Solt-Lejk-Siti të Jutës.