Përgjegjshmëria ndaj Mjedisit në Veprimtaritë e Kishës

Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim se “si përfitues të Krijimit hyjnor, çfarë duhet të bëjmë? Ne duhet të kujdesemi për tokën, të jemi kujdestarë të mençur të saj dhe ta ruajmë atë për brezat e ardhshëm. Dhe duhet ta duam dhe të kujdesemi për njëri‑tjetrin.”

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme synon ta ndjekë këtë këshillë profetike nëpërmjet administrimit të përgjegjshëm të veprimeve të saj në rang global, ku përfshihen shtëpitë e mbledhjeve, tempujt, gjithë automjetet, fermat dhe godinat për mirëqenien dhe ato për arsimin. Shumë programe kanë qenë në zhvillim e sipër prej dekadash. Të tjerë u zhvilluan më së fundi, teksa janë vënë në dispozicion teknologjitë dhe mundësitë e reja.

Për t’i udhërrëfyer përpjekjet për përgjegjshmëri ndaj mjedisit nëpër shtrirjen e gjerë të veprimtarive të saj, Kisha ka përcaktuar disa përparësi kryesore, përfshirë ato në vijim:

Solar panels over a parking lot
Panelet diellore mbulojnë një vendparkim në kompleksin e UBJ–Havait në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përvetësimi i energjisë së rinovueshme. Kisha ka pasur sisteme me panele diellore në terren që nga viti 1986; deri në nëntor të vitit 2024, mbi 750 ndërtesa në zotërim të Kishës, prodhojnë po aty elektricitet nga panelet diellore, përfshirë shtëpitë e mbledhjeve, tempujt, shkollat dhe magazinat. Qindra ndërtesa të tjera marrin pjesë në programet e operatorëve të shpërndarjes së energjisë elektrike duke paguar për të nga burime të rinovueshme. Krahas kësaj, një grusht shtëpi mbledhjesh dhe tempujsh përdorin energjinë gjeotermale për të rregulluar ngrohjen dhe ftohjen.

Solar panels on a meetinghouse
Panelet diellore mbi një shtëpi mbledhjesh në Peten Plaja del Karmen, Meksikë.

Përmirësimi i efektshmërisë së energjisë. Mbajtja në funksionim e ndërtesave me efektshmëri të lartë dhe me izolim të mirë ka qenë synimi i hershëm i Kishës prej shumë vitesh. Përmirësimet e kohëve të fundit përfshijnë instalimin e llambave me teknologjinë LED [Light Emitting Diode] për ndriçim, komandimin e ngrohjes, ftohjes dhe vaditjes në mënyrë inteligjente dhe rezerva baterish atje ku nuk ka rrjet lokal të energjisë elektrike.

Kursimi i ujit, në bazë të nevojave dhe burimeve ekologjike. Në rajonet me burime të kufizuara ujore, Kisha po e ul përdorimin e ujit nëpërmjet komandimit të vaditjes në mënyrë inteligjente, zvogëlimit të hapësirave të pashfrytëzuara me bar dhe rinovimit të pronave me hapësira të gjelbra që kursejnë ujë (të njohura gjithashtu si hapësira kserike ose kopshte të thata). Në bashkërendim me palët e interesit publik, Kisha ka dhuruar edhe dhjetëra mijëra të drejta ligjore për përdorimin e ujit që të ndihmojë për mbrojtjen e Liqenit të Madh të Kripur të Jutës në Shtetet e Bashkuara.

An aerial shot of waterwise landscaping
Një pamje e marrë nga ajri e projektimit të hapësirave të jashtme që kursejnë ujin në Tempullin e Red Klifsit në Jutë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ulja e përdorimit, ripërdorimi dhe riciklimi për të shmangur mbetjet materiale. Kisha përpiqet fort t’i sigurojë materialet nëpërmjet zinxhirëve të furnizimit që janë të përgjegjshëm ndaj mjedisit, si dhe të devijojë sa më shumë mbetje që të mundet nga vendgrumbullimet e tyre. Nisma të rëndësishme përfshijnë sa vijon:

  • Njëqind përqind e gotave të sakramentit bëhen me plastikë të ricikluar dhe mund të riciklohen pas shërbesave të adhurimit atje ku komunat vendore e lejojnë. Ekspertët e jashtëm përcaktuan që plastika e ricikluar ka ndikimin më të ulët në përgjithësi në mjedis, madje edhe në krahasim me gotat e letrës.
  • Veprimtaritë e shtypshkronjave që gjenden në SHBA, kanë mundësi të gjera riciklimi.
  • Pajisjet e vjetruara elektronike mblidhen nga të gjitha ndërtesat në zotërim të Kishës në SHBA dhe Kanada, për t’u dhuruar ose ricikluar në mënyrë të përgjegjshme.
  • Në mbarë Amerikën Latine, dyqanet e Kishës që bëjnë shpërndarje, po i zëvendësojnë qeset plastike me qese të ripërdorshme.
  • Veprimtaritë e shtypshkronjave që gjenden në Peru, janë certifikuar për përdorimin e drurit të siguruar në një mënyrë të përgjegjshme ndaj mjedisit.
  • Në Brazil, konferencat e rinisë po fillojnë të përdorin bluza që bëhen me plastikë të ricikluar.

Ulja e emetimit të lëndëve djegëse nga mjetet e transportit. Kisha ka përvetësuar standarde të larta për efektshmërinë e përdorimit të lëndëve djegëse për tërësinë e automjeteve të saj në rang global, të cilat përdoren nga përgjegjësit e godinave, misionarët dhe punonjësit e tjerë. Në vendndodhje të përzgjedhura, ofrohen vende ku lihen biçikletat, atje ku kjo justifikohet ngaqë anëtarët e përdorin shumë biçikletën. Në disa tempuj dhe shtëpi mbledhjesh janë vendosur ushqyes për automjetet elektrike atje ku kërkohet me ligj nga vendi ose atje ku ushqyesit konsiderohen një mundësi strategjike.

Praktika e projektimit, zhvillimit dhe ndërtimit të përgjegjshëm të ndërtesave tona. Teksa Kisha ndërton tempuj të bukur dhe godina të tjera, ajo është e kujdesshme për materialet, përzgjedhjen e vendit dhe metodat e nevojshme për të mbështetur funksionimin dhe mirëmbajtjen e tyre afatgjatë në një mënyrë të shëndetshme nga ana mjedisore. Në zonat më rurale, ruajtja e përgjegjshmërisë ndaj mjedisit shpesh përfshin përdorimin e projekteve më të vogla dhe më të lokalizuara, të cilat kërkojnë më pak energji.

A community well
Ky komunitet i siguron ujë të pastër një komuniteti në Nigeri.

Praktika e bujqësisë dhe blegtorisë së përgjegjshme në programin e Kishës për mirëqenien dhe në fermat për investim rreth e qark rruzullit tokësor. Kjo përfshin përdorimin e kulturave veshëse, qarkullimit të kulturave, bujqësinë pa lërim dhe me lërim të reduktuar, mbajtjen e kullotjes nën kontroll, teknologjitë e sakta për të ulur përdorimin e ujit, mbetjeve dhe kimikateve, si dhe praktika të tjera që mbështetin frytshmërinë afatgjatë të tokës dhe ndihmojnë që të ulen ndikimet negative në mjedis.

People planting trees
Vullnetarët mbjellin fidanë të bimës rizoforë në Noveletë, Filipine.

Përshtatja me rreziqet klimatike dhe përmirësimi i rezistencës, veçanërisht në zbatimin e projekteve që lidhen me bamirësinë dhe në standardet e mirëmbajtjes së godinave. Rritja e shpeshtësisë së dukurive ekstreme klimatike prek në mënyrë të pabarabartë shtresat e varfra dhe të pambrojtura të shoqërisë, të cilat nuk kanë burimet e nevojshme për t’u përshtatur me kushtet gjithnjë e më të paqëndrueshme apo për t’u rimëkëmbur nga dëmet afatgjata. Prej dekadash, Kisha ka marrë pjesë herë pas here në projekte për t’i zbukuruar dhe fortifikuar komunitetet vendore. Ato projekte variojnë nga financimi i kopshteve nëpër qytete tek ulja e erozionit duke mbjellë pemë. Për më tepër, në bashkëpunim me organizata të akredituara joqeveritare, Kisha jep kontribute të ndjeshme në nismat globale për sigurinë ushqimore, pavarësinë e sigurimit të energjisë elektrike dhe qasjes tek uji i pastër, ku të gjitha këto tregojnë konsideratë të rëndësishme ndaj mjedisit.