Përditësim i Manualit të Përgjithshëm në Gusht 2021

Seria e fundit e përditësimeve të variantit në anglisht të Manualit të Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u botua më 4 gusht 2021. Ajo përfshin një kapitull të ri, dy kapituj të rishkruar, një kapitull të zgjeruar dhe shumë rregullore të përditësuara administrative. Ajo gjithashtu përfshin rishikime më të vogla në kapituj të tjerë.

Jesus and Child

Këto përditësime janë botuar në anglisht te ChurchofJesusChrist.org dhe te programi kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Ato do të përkthehen në gjuhë të tjera në muajt e ardhshëm. I tërë manuali pritet të përditësohet në anglisht deri në fund të këtij viti.

Ky rishikim i manualit, i cili filloi në shkurt të 2020‑ës, po bëhet nën drejtimin e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

Rishikimet më thelbësore renditen më poshtë.

  • Kapitulli 4: “Udhëheqja dhe Këshillat në Kishën e Jezu Krishtit”. Titulli ka ndryshuar që të përfshijë “dhe Këshillat”. Kapitulli është zgjeruar që të përfshijë informacion të përgjithshëm rreth këshillave, përfshirë një pjesë që më parë ishte në kapitullin 7.
  • Kapitulli 5: “Udhëheqja e Përgjithshme dhe Zonale”. Ky kapitull i ri përshkruan punën dhe përgjegjësitë e udhëheqësve dhe këshillave të përgjithshëm dhe zonalë të Kishës. Gjithashtu shpjegon përgjegjësinë e thirrjes së re të këshillueseve zonale për organizatat. Shënim: Me shtimin e një kapitulli 5 të ri, kapitulli 5 i mëparshëm (“Udhëheqja e Kunjit”) është tani kapitulli 6. Kapitulli 6 i mëparshëm (“Peshkopata”) është tani kapitulli 7. Përmbajtje nga kapitulli 7 (“Këshillat në Kishë”) është tani në kapitujt 4 dhe 29.
  • Kapitulli 20: “Aktivitetet”. Ky kapitull i rishkruar përfshin një mundësi për të organizuar një komitet të aktiviteteve të lagjes në lagje të mëdha, qartëson udhëzimet rreth njësive të të rinjve në moshë madhore beqarë që mbajnë aktivitete natën e së hënës, përditëson udhëzimet për aktivitetet shumëkunjëshe e zonale dhe përditëson rregulloret rreth konferencave Për Forcën e Rinisë (PFR).
  • Kapitulli 30: “Thirrjet në Kishë”. Ky kapitull i rishkruar përfshin udhëzime që, kur është e mundur, anëtarët duhet të shërbejnë në thirrje për një kohë aq të gjatë sa të krijojnë marrëdhënie të forta me njerëzit të cilëve u shërbejnë. Kapitulli gjithashtu shpjegon se kush mund t’i thërrasë dhe veçojë nëpunësit e kunjeve dhe të lagjeve.

Përmbajtje Tjetër e Re dhe e Përditësuar

Tani peshkopatat dhe presidencat e kunjeve mund të kenë deri në dy ndihmëssekretarë ekzekutivë që t’i ndihmojnë sekretarët ekzekutivë të lagjeve dhe të kunjeve në detyrat e tyre. Shihni seksionet 6.4.1 dhe 7.3 për më shumë informacion.

Një shtesë e re për refugjatët thotë që shenjtorët e ditëve të mëvonshme, “si pjesë e përgjegjësisë së tyre për t’u kujdesur për njerëzit nevojtarë, . . . ofrojnë kohën, talentet dhe miqësinë e tyre për t’i mirëpritur refugjatët si pjesëtarë të komuniteteve të tyre”. Kjo shtesë i drejton lexuesit te ChurchofJesusChrist.org/refugees. Një pjesë e veçantë, e titulluar “Imigracioni” (më parë e titulluar “Emigrimi i Anëtarëve”), thekson që të tregohet e njëjta sjellje mirëpritëse ndaj imigrantëve.

Është përditësuar pjesa e titulluar “Veprimtaria Politike dhe Civile”. “Anëtarët nuk duhet ta gjykojnë njëri‑tjetrin në çështje politike”, thotë pjesa. “Shenjtorët besnikë të ditëve të mëvonshme mund t’u përkasin një larmie partish politike dhe të votojnë për një larmi kandidatësh. Të gjithë duhet të ndihen të mirëpritur në mjediset e Kishës.” (Lexoni komente të ngjashme të bëra nga Presidenti Dallin H. Ouks në konferencën e përgjithshme të prillit 2021.)