Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme bashkëpunon me organizata bamirëse në mbarë Europën për të lehtësuar vuajtjen dhe ata që janë në fatkeqësi. Teksa Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë kremtohet anembanë rruzullit të tokës më 19 gusht, Presidenca e Parë e Kishës bëri një përmbledhje të punës së bamirësisë që u krye gjatë vitit 2023. Vendet europiane dhe më gjerë morën një pjesë të mirë të ndihmës dhe kujdesit që u dha vitin e kaluar.
Projektet bamirëse bujqësore në Europë i ndihmojnë të tjerët të ndihmojnë veten.
Projektet e serave në BosnjëHercegovinë i ndihmojnë familjet të kultivojnë prodhime ushqimore dhe t’i sigurojnë ato për vete dhe të tjerët.
Shpërndarja e lopëve barrëse për qumësht te familjet në nevojë i ka ndihmuar ato të plotësojnë nevojat për ushqim dhe u ka dhënë një ngritje financiare nëpërmjet shitjes së qumështit që tepron.
Projekti në Itali me organizatën Progetto Arca u siguroi vakte të ngrohta individëve në nevojë në shtatë qytete.
Një nga 5 spitalet e lëvizshme të dhuruara nga Kisha në Pajas të Hatajit, Turqi.
Pamje e brendshme e njërit prej spitaleve të lëvizshme të dhuruar nga Kisha në Pajas të Hatajit, Turqi.
Anëtarët e Kishës në Portugali krijuan një shërbim në kuadër të Duarve Ndihmëtare për të ndihmuar Ligën Portugeze Kundër Kancerit. Fotografi e dhënë nga Peshkopi Luiz Soares
Erik Rotermani, Përgjegjësi i Shërbimeve Humanitare për Zonën e Europës Qendrore në Kishë, i mbikëqyr këto projekte, shumë prej tyre janë në vazhdim. Ai tha: “Të shohësh atë që arrihet me dhurimet bujare të kohës dhe parave nga anëtarë të zakonshëm të Kishës, është magjepsëse. Secili projekt që zbatohet, është një tjetër shenjë e dashurisë së pafundme të Perëndisë për fëmijët e Tij.”
Në vitin 2023, veprimtaritë bamirëse të Kishës në Europë u përqendruan gjerësisht te ndihma ndaj popullatave të prekura nga konflikti civil dhe katastrofat natyrore, shumë prej të cilave përjetuan nevojë për strehim dhe nevoja të tjera bazë, si dhe nevojë për kujdes të shëndetit mendor dhe fizik.
Presidenca e Parë tha: “Kur Jezu Krishti ishte në tokë, Ai dha dy urdhërime të mëdha: duaje Perëndinë dhe ‘duaje të afërmin tënd porsi vetveten’ (Mateu 22:39). Teksa kërkojmë ta tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë, zemra natyrshëm na drejton te mirëqenia e të tjerëve. Vetë Krishti e dha shembullin e dashurisë për të afërmin tonë kur shëroi të sëmurët, ushqeu të uriturit, veshi të zhveshurit dhe u kujdes për të cenueshmit.”
Poshtë është një përmbledhje e ndihmës së dhënë në Europë në vitin 2023, për ta vijuar punën e shenjtë të kujdesit për njerëzit në nevojë.
79 projekte për reagimin ndaj urgjencave
Pas dëmit të shkaktuar nga tërmetet e forta në shkurt, Kisha bashkëpunoi me Autoritetin e Menaxhimit të Katastrofave dhe Urgjencave dhe me Ministrinë e Shëndetësisë në Turqi, për të dhënë ndihmë gjerësisht për të mbijetuarit. Si rrjedhojë e këtij bashkëpunimi, u ngritën pesë spitale të lëvizshme dhe 500 kontejnerë për strehim dhe u sigurua ushqim, ujë dhe mjete për higjienën për të ndihmuar mijëra individë dhe familje.
242 projekte në ndihmë të popullatave të cenueshme
Në disa zona të Europës, viti 2023 pa një ngritje të numrit të njerëzve që e kishin të vështirë të mbanin strehimin e tyre, qoftë për shkak të konfliktit ose prej sfidave vetjake. Kisha reagoi me disa projekte për të trajtuar problemin e të pastrehëve, përfshirë një projekt në Itali me organizatën “Progetto Arca” për të siguruar veshmbathje dhe ushqim për njerëzit në nevojë. Kjo përfshiu një kuzhinë të lëvizshme, e cila lejoi që individëve në nevojë në shtatë qytete t’u shërbeheshin vakte të ngrohta.
37 projekte për urgjencat të përqendruara te ndihma ndaj njerëzve të zhvendosur
Me konfliktin e pandalshëm në Ukrainë, Kisha u ofroi ndihmën e parë psikologjike dhe kujdes emocional individëve të prekur nga dhuna dhe zhvendosja. Vullnetarët e Kishës në Portugali gjithashtu krijuan fjongo ndërgjegjësuese në përkrahje të kërkimeve shkencore për kancerin e gjirit. Në Rusi, Kisha dhuroi pajisje për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve me dëmtime të shikimit dhe çrregullime të të folurit.
Anëtarët dhe udhëheqësit e Kishës janë të ndërgjegjshëm për sfidat me të cilat përballen njerëzit në të gjithë botën. Më poshtë është një përmbledhje e kujdesit të dhënë në mbarë botën gjatë vitit 2023.
Ndihma mbarëbotërore
- 4 119 projekte bamirësie në vitin 2023
- 1,36 miliard dollarë shpenzime
- 6,2 milionë orë të dhuruara nga vullnetarët
- 191 vende dhe territore që kanë marrë shërbim
- 7 959 670 anëtare të Shoqatës së Ndihmës në mbarë botën
- 11 368 misionarë për mirëqenien dhe mbështetjen te vetja
- 206 projekte për ujin e pastër dhe higjienën
- 921 projekte në ndihmë të grave dhe fëmijëve
- 374 projekte në shërbim të të pastrehëve
- 415 projekte për ndihmë gjatë urgjencave
- 113 projekte për urgjencat në ndihmë të njerëzve të zhvendosur
- 601 projekte për kujdesin shëndetësor
- 64 projekte për objekte të lëvizshme që ofrojnë shërbime
- 530 projekte për sigurinë ushqimore
“Jemi mirënjohës për mundësinë e të punuarit me organizata profesioniste që përputhen me objektivin tonë për t’u përkujdesur për njerëzit nevojtarë”, – tha Peshkopi Kryesues i Kishës, Zherald Kosé. “Bashkëpunimet tona na ndihmojnë ta zgjerojmë ndikimin e përpjekjeve tona anembanë botës ndërsa ndjekim shembullin e dashurisë dhe shërbimit ndaj të afërmit tonë që na dha Jezu Krishti.”
Përmbledhja e plotë prej 43 faqesh është në dispozicion në 17 gjuhë në Caring.ChurchofJesusChrist.org. Shumë nga projektet që renditen në përmbledhje, janë bërë të mundura me anë të bashkëpunimit me organizata të tilla si WaterAid, UNICEF, Programi Botëror për Ushqimin, Water for People, ShelterBox dhe shumë të tjera.