Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është një kishë e përqendruar te Krishti. Vitet e fundit, përpjekjet janë përqendruar te synimi për t’u siguruar që programet dhe burimet e Kishës të pasqyrojnë Jezu Krishtin si pikën qendrore. Si rrjedhojë, Programi i Riaftësimit nga Varësitë që financohet nga Kisha, kohët e fundit ka marrë emrin e ri “Shërimi nëpërmjet Shpëtimtarit: Programi i Riaftësimit nga Varësitë”.

Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit e nxori udhëzuesin e saj të parë për riaftësimin nga varësitë në vitet 1980. Pasi mori leje, ky udhëzues u bazua te 12 hapat e korporatës Alcoholics Anonymous World Services Inc. [Shërbimet Botërore e të Alkoolizuarve Anonimë], por u përshtat për të përfshirë doktrinat, parimet dhe bindjet e Kishës. Ky udhëzues dhe grupet e përkrahjes që e shoqërojnë atë, janë njohur si Programi i Riaftësimit nga Varësitë.
Në një fjalim të vitit 2018, Presidenti Rasëll M. Nelson e theksoi rëndësinë e përdorimit të emrit të saktë të Kishës së rivendosur, duke thënë: “Nëse ne si popull dhe si individë [duhet] të kemi të drejtë për ta përdorur fuqinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit – që të na pastrojë e shërojë, të na forcojë e lartësojë dhe përfundimisht të na ekzaltojë – ne duhet ta pranojmë qartë Atë si burimin e asaj fuqie”. Pas atij fjalimi, shumë programe në pronësi të Kishës, kënde interneti dhe programe mësimore pësuan ndryshime të emrit për t’iu përshtatur kësaj porosie dhe për t’i dhënë meritat Shpëtimtarit. Tani, programi i riaftësimit nga varësitë po ndjek shembullin e tyre me emrin e ri: “Shërimi nëpërmjet Shpëtimtarit: Programi i Riaftësimit nga Varësitë”. Titulli i ri nënvizon një parim të rëndësishëm të ungjillit: i gjithë shërimi i vërtetë vjen nga duart e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, i cili “shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe lidh plagët e tyre” (Psalmeve 147:3).
Programi i riaftësimit nga varësitë, i financuar nga Kisha, ka krijuar një ndikim që është përhapur në mbarë botën. Brenda Zonës së Europës Qendrore, Kisha zhvillon tridhjetë e gjashtë mbledhje përmes internetit në tetë gjuhë: atë bullgare, angleze, spanjolle, italiane, gjermane, frënge, holandeze dhe ukrainase, me dy grupe ndërkombëtare që i kushtohen posaçërisht ndihmës ndaj të rinjve e të rejave në moshë madhore. Këto grupe dhe mbledhje ndahen në tri pika kryesore përqendrimi: varësia në përgjithësi, përdorimi i pornografisë dhe përkrahja e bashkëshorteve/ëve dhe familjeve. Ndërkohë që udhërrëfehen nga anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, janë të mirëpritur të marrin pjesë individë nga çdo traditë fetare ose ata pa asnjë traditë të tillë.
Kisha po përpiqet vazhdimisht ta rritë ndërgjegjësimin për këto grupe riaftësimi që ofrohen në Europë. Në vitin 2023, frekuentimi i programit u rrit me 56 për qind krahasuar me një vit më parë.
Kur e pyetën rreth përvojës së saj me programin e riaftësimit nga varësitë, Kiara nga Italia tha: “U përpoqa prej shumë vjetësh ta mposhtja varësinë time përpara se t’i bashkohesha një grupi. Pavarësisht se e kisha studiuar manualin, kisha marrë ndihmë nga peshkopi dhe madje edhe nga një specialist, nuk mundesha t’i vija vërtet në praktikë hapat në jetën time dhe në këtë mënyrë ta kisha atë fuqi shëruese që na jep Zoti.” Ajo vazhdoi: “Nga ato që tregonin njerëzit e tjerë në grup, e kuptova ngadalë se çfarë mund të bëja për t’i kapërcyer disa pengesa të caktuara dhe tani jam shumë më mirë. [Programi i riaftësimit nga varësitë] shkurt, na ndihmon të bëhemi më shumë si Krishti.”
Shërimi nëpërmjet Shpëtimtarit: Programi i Riaftësimit nga Varësitë është i hapur për të gjithë anëtarët e komunitetit. Nëse ju, ose dikush që e njihni, interesoheni për t’iu bashkuar një grupi, mund të vizitoni adresën https://addictionrecovery.churchofjesuschrist.org/. Mund ta shihni librin udhëzues të përditësuar te Healing through the Savior: The Addiction Recovery Program 12-Step Recovery Guide [Shërimi nëpërmjet Shpëtimtarit: Programi i Riaftësimit nga Varësitë, Udhëzuesi i Riaftësimit me 12 Hapa] (churchofjesuschrist.org).