Salt Lake City, Njoftim për Shtyp

Programi Botëror i Ushqimit dhe Kisha e Jezu Krishtit po Bekojnë Jetën

World Food Programme Plane

Vitin e kaluar World Food Programme [Programi Botëror i Ushqimit] ka ndihmuar 1,6 milionë njerëz në nëntë shtete me ushqime jetëshpëtuese. Kjo është pjesërisht falë dhuratës prej 32 milionë dollarë amerikanë që e morën vitin e kaluar nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Shikojeni këtë postim në Instagram

Një postim i vendosur nga World Food Program USA (@wfpusa)

Sot një numër rekord prej 345 milionë njerëzish po përballen me pasiguri akute për ushqime, me 50 milionë veta në pragun e zisë së bukës. WFP‑ja i ka përdorur fondet e Kishës për të siguruar ushqim dhe ndihmë tjetër jetike për njerëzit më të cenueshëm, përfshirë nënat dhe fëmijët më të vegjël, në nëntë shtete: Afganistan, Republika Demokratike e Kongos, Etiopi, Haiti, Kenia, Nigeri, Somali, Sudani Jugor dhe Jemen.

Bashkëpunimi i Kishës me WFP‑në filloi në vitin 2014. Drejtori i mëparshëm Ekzekutiv i WFP‑së, Dejvid Bisli, bëri një vizitë tek ndërmarrjet e Kishës për mirëqenien në Solt‑Lejk‑Siti, në vitin 2019. Të dyja organizatat punuan së bashku për të plotësuar boshllëqet ushqimore gjatë pandemisë së COVID-19.

“Në këtë kohë të një nevoje globale të pashembullt, ne jemi mirënjohës për dhuratën transformuese të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”, tha Presidenti dhe Drejtori Ekzekutiv i WFP SHBA, Baron Segari, pas dhurimit të vitit të kaluar. “Përkrahja e sektorit privat është vendimtare për misionin tonë, duke i dhënë mundësi WFP‑së që t’i përshkallëzojë ndihmën ushqimore dhe punën ripërtëritëse që u sjellin qëndrueshmëri dhe ngushëllim familjeve gjatë këtyre kohëve sfiduese. Kam vetëbesim se dhurata e Kishës do të frymëzojë edhe të tjerë që të bashkohen me lëvizjen tonë për t’i dhënë fund urisë botërore.”

Rreth Organizatës World Food Programme [Programi Botëror i Ushqimit]

Organizata World Food Programme [Programi Botëror i Ushqimit] e Kombeve të Bashkuara është organizata më e gjerë humanitare në botë, e cila shpëton jetën e njerëzve në raste urgjencash dhe e përdor ndihmën ushqimore për të ndërtuar një shteg drejt paqes, qëndrueshmërisë dhe begatisë për njerëzit që po marrin veten nga konflikti, shkatërrimet natyre dhe ndikimi i ndryshimit të klimës.

World Food Program USA [Programi Botëror i Ushqimit – SHBA], një organizatë 501(c)(3) me bazë në Uashington, D.K., plot krenari e përkrah misionin e organizatës World Food Programme [Programi Botëror i Ushqimit] të Kombeve të Bashkuara duke mobilizuar politikëbërësit, bizneset dhe individët amerikanë që ta çojnë përpara lëvizjen globale për t’i dhënë fund urisë. Udhëheqja dhe përkrahja jonë ndihmojnë që t’i jepet nxitje një trashëgimie afatgjatë amerikane lidhur me sigurimin e ushqimit për familjet nevojtare anembanë botës. Mësoni më shumë rreth misionit të World Food Program USA [Programit Botëror të Ushqimit – SHBA].

Në lidhje me Shërbimet Humanitare të Kishës së Jezu Krishtit

Raporti vjetor i Kishës për vitin 2022 lidhur me përkujdesjen për njerëzit nevojtarë, tregon se përpjekjet e këtij besimi fetar që të kujdeset për njerëzit nevojtarë, përfshinë më shumë se 1 miliard dollarë në shpenzime, 6,3 milionë orë pune vullnetare dhe 3 692 projekte humanitare në 190 shtete dhe territore.

Përpjekjet humanitare të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e lehtësojnë vuajtjen, kultivojnë mbështetjen te vetja dhe sigurojnë mundësi për shërbim. Kisha ndjek këshillën e Jezu Krishtit për të ushqyer të uriturit dhe për t’u kujdesur për njerëzit nevojtarë.

Kjo ndihmë humanitare bëhet e mundur nga dhurimet bujare dhe vullnetarizmi i shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe miqve të kësaj feje. Kisha jep ndihmë pavarësisht nga raca, lidhjet fetare apo kombësia. Ndihma bazohet te parimet thelbësore të përgjegjësisë vetjake, përkrahjes nga komuniteti, mbështetjes te vetja dhe qëndrueshmërisë.