Prindërimi në Kohën e Teknologjisë

Mësoni se Çfarë Besojnë Familjet e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme për Kohën Cilësore me Familjen

Parenting During a Time of Technology
Familjet e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme besojnë te rëndësia e kalimit të kohës së bashku.

Cilët janë anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe çfarë besojnë ata mbi familjen?

Ashtu si shumë njerëz të tjerë të mirë në botë, anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme njihen për besimin e tyre mbi rëndësinë e fëmijëve dhe të familjes. Por po ashtu si shumë njerëz, shenjtorët e ditëve të mëvonshme janë të ndërgjegjshëm se prindërimi i mirë nuk është i lehtë. Prindërit e familjeve shenjtore të ditëve të mëvonshme e dinë fort mirë që, përveç shumë çasteve të gëzueshme që vijnë kur bëhesh prind, ka plot çaste të mbushura me fëmijë që qajnë, enë të palara dhe lista të pafundme gjërash për t’u bërë.

Me kaq shumë këshilla që jepen, dhe me kaq shumë kërkesa për kohën e prindërve, mund të jetë e vështirë që ta ngadalësosh ritmin dhe thjesht të shijosh të qenit prind. Por është thelbësore që prindërit të bëjnë një shkëputje nga shqetësimi se nuk po i bëjnë gjërat përsosurisht, dhe nga angazhimet në jetë për ta kaluar kohën me fëmijët e tyre. Libri i Mormonit shënon se, kur Jezu Krishti e vizitoi kontinentin amerikan, Ai e kaloi kohën duke dhënë mësim dhe shërbesë. Gjatë punës së Tij të rëndësishme, Ai gjeti kohë që të përqendrohej vetëm te fëmijët. Ai “i mori fëmijët e tyre të vegjël, një nga një, dhe i bekoi dhe iu lut Atit për ta” (3 Nefi 17:21). Pasi Shpëtimtari dha shembullin e rëndësisë që ka kalimi i kohës duke i dashur fëmijët dhe duke u përkujdesur për ta, Ai i ftoi të gjithë të pranishmit që gjithashtu të përqendroheshin tek ata, duke thënë: “Vini re të vegjlit tuaj” (3 Nefi 17:23).

Si mund të lidhem më mirë me familjen time?

Prindërit sot mund ta ndjekin shembullin dhe ftesën e Shpëtimtarit. Një nënë shkroi se çfarë do të thoshte për atë [shprehja] “vini re”? Ajo tha: “E përjetova për herë të parë [se çfarë do të thotë] ‘të vësh re’ kur bija ime e parë ishte e sapolindur. E qara e saj me zë të ulët e ngulmuese më kishte zgjuar rreth mesnatës dhe po bëhesha gati ta ushqeja kur ndodhi. Ajo i hapi sytë fort dhe më pa gjatë për disa çaste të çmuara drejt e në sy. Teksa ajo dhe unë ‘e vumë re’ njëra-tjetrën për herë të parë, unë ndjeva diçka për lidhjen e përjetshme që do të kishim” (Jan Pinborough, “Parenting, Unplugged”, Ensign, qershor 2014, f. 63).

Studimet shkencore kanë zbuluar se komunikimi pa fjalë që ndodh teksa prindërit dhe foshnjat “e vënë re” njëri-tjetrin, është thelbësor për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve (shih Pinborough, “Parenting, Unplugged”, f. 63). Teksa fëmijët tanë rriten, ata kërkojnë “t’i vësh re”, ose të kalosh kohë për të krijuar lidhje, në mënyra të ndryshme edhe pse po aq të rëndësishme. Por si munden prindërit që të kalojnë kohë për të krijuar vërtet lidhje me fëmijët e tyre në një botë me kohë kaq të ngjeshur? Familjet shenjtore të ditëve të mëvonshme besojnë se krijimi i një lidhjeje të fortë mes prindërve dhe fëmijëve kërkon më shumë disiplinë dhe vetëkontroll nga ana e prindërve sesa nga ana e fëmijëve.

Familjet shenjtore të ditëve të mëvonshme gjithashtu besojnë se lidhja me fëmijët mund të kërkojë një zgjedhje të ndërgjegjshme që të shkëputemi nga pajisjet tona elektronike. Familjeve shenjtore të ditëve të mëvonshme iu jepet mësim se kalimi i kohës cilësore me fëmijët “mund të ketë kuptimin që t’i bësh ballë tundimit për të kontrolluar mesazhet tona në celular apo për t’iu hedhur një sy publikimeve në mjetet shoqërore. Ajo mund përfshijë vendosjen e qëllimtë të rregullave vetjake dhe familjare për mjetet e komunikimit [dhe] vendosjen e kufijve të cilët do ta mbrojnë kohën e shenjtë që i kushtojmë njëri-tjetrit në familjet tona” (Pinborough, “Parenting, Unplugged”, f. 63).

Udhëheqësit e Kishës e kanë theksuar se sa e rëndësishme është që prindërit t’i fikin pajisjet elektronike për të kaluar më shumë kohë me fëmijët e tyre. Për shembull, Rozmari M. Uiksomi, një ish-presidente e organizatës mbarëbotërore të Kishës për fëmijët (organizata e Fillores), dha mësim: “Çaste të çmuara mundësish për të ndërvepruar dhe biseduar me fëmijët tanë zhduken kur ne jemi të zënë me gjëra që na tërheqin vëmendjen. Përse të mos zgjedhim një kohë çdo ditë për t’u shkëputur nga teknologjia dhe për t’u rilidhur me njëri-tjetrin? Thjesht fikini të gjitha. Kur e bëni këtë, shtëpia juaj mund të duket e qetë në fillim; madje mund të ndiheni sikur nuk dini ç’të bëni apo thoni. Pastaj, kur u jepni vëmendje të plotë fëmijëve tuaj, do të nisë një bisedë dhe ju mund të kënaqeni duke dëgjuar njëri-tjetrin” (“Fjalët që Themi”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 82).

Në ç’mënyrë mund të mësoj më shumë?

Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme janë të krishterë që besojnë se Jezu Krishti ishte shembulli i përkryer i mënyrës se si duhet t’i trajtojmë pjesëtarët e familjes sonë. Familjet shenjtore të ditëve të mëvonshme gjejnë paqe dhe gëzim jo vetëm nga kalimi i kohës së bashku, por edhe nga bindja e tyre që, për shkak të Jezu Krishtit, marrëdhëniet e shenjta familjare mund të vazhdojnë përtej varrit. Për të mësuar më shumë mbi planin e Perëndisë për ju dhe familjen tuaj, vizitoni ejanitekrishti.org.