Presidentja e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, Kamill N. Xhonsoni, nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, përfundoi një shërbesë nëntëditore në Europën Qendrore në Zagreb të Kroacisë, të dielën, më 22 shtator 2024. “Është gjithmonë një çast kur qëndroj përballë anëtarëve, dhe veçanërisht motrave në Shoqatën e Ndihmës, kur i shoh në sy dhe thjesht ndiej një ndjesi dashurie kapluese për to”, – tha Presidentja Xhonson.
Udhëheqësit e Kishës vizitojnë Kryqin e Kuq Kroat në një godinë për familjet e zhvendosura në Zagreb të Kroacisë, të premten, më 20 shtator 2024. Kisha e Jezu Krishtit ka dhuruar pesë makina larëse dhe pesë makina tharëse për t’u ardhur në ndihmë 600 familjeve.
Presidentja e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, Kamill N. Xhonsoni, dhe Motra Trejsi Y. Brauning e Presidencës së Përgjithshme të Fillores, takohen me Petër Gandaloviçin, drejtorin e ndihmave humanitare për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, të martën, më 17 shtator 2024 në Pragë.
Presidentja e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, Kamill N. Xhonsoni, dhe Motra Trejsi Y. Brauning e Presidencës së Përgjithshme të Fillores, vizitojnë një kopsht në “Jako doma” (“Si në Shtëpi”), një strehimore për gratë e pastreha në Pragë të Republikës Çeke, të martën, më 17 shtator 2024.
Presidentja e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, Kamill N. Xhonsoni, dhe Motra Trejsi Y. Brauning e Presidencës së Përgjithshme të Fillores, vizitojnë fondacionin “Dum Ronalda McDonalda” (“Shtëpia e Ronald MekDonaldit”) në Pragë të Republikës Çeke, të martën, më 17 shtator 2024. Familjet me fëmijë të shtruar në Spitalin Universitar në Motolë, mund të qëndrojnë në atë shtëpi gjatë vizitës së tyre.
Motrat e Shoqatës së Ndihmës në Milano të Italisë, kanë mbledhur veshje dhe artikuj të tjerë të dhuruar për t’ua shpërndarë njerëzve në nevojë. Presidentja e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, Kamill N. Xhonsoni, mëson rreth projektit në një shtëpi mbledhjesh të Kishës në Milano të Italisë, të dielën, më 15 shtator 2024.
Në dhënien e shërbesës u bashkuan bashkëshorti i saj, Dagu, Motra Trejsi Y. Brauning e Presidencës së Përgjithshme të Fillores dhe bashkëshorti i Motrës Brauning, Bredi. Anëtarët e Presidencës së Zonës së Europës Qendrore dhe udhëheqësit rajonalë të Kishës udhëtuan me Drejtueset e Përgjithshme në Itali, në Republikën Çeke, Hungari dhe Kroaci.
Presidentja Xhonson drejton organizatën e grave të këtij besimi, e cila ka 8 milionë anëtare në mbarë botën. Motra Brauning ka në mbikëqyrje 1 milionë fëmijë shenjtorë të ditëve të mëvonshme.
Përpjekjet Humanitare në Europën Qendrore
Në Zagreb, udhëheqësit e Kishës vizituan Kryqin e Kuq Kroat në një godinë për familjet në nevojë. Kisha e Jezu Krishtit ka dhuruar pesë makina larëse dhe pesë makina tharëse për t’u ardhur në ndihmë 600 familjeve të zhvendosura.
“Unë e kuptoj që ato makina larëse janë bërë shumë të famshme, 80 000 ngarkesa me rroba janë larë në makinat larëse të dhuruara nga Kisha”, – tha Presidentja Xhonson.
“Patëm gjithashtu kënaqësinë të njoftonim se Kisha po kontribuon për rregullimin e një kuzhine atje, në mënyrë që familjet të kenë mundësinë të përgatitin disa ushqime që duan të gatuajnë vetë, në një ambient të sigurt”, – shtoi ajo.
“Po u mundësojmë një ndjesi dinjiteti dhe gjithashtu po u mundësojmë të zhvillojnë aftësi për mbështetjen te vetja, në vend që të mbështeten gjithmonë tek të tjerët që t’iu përgatitin ushqime”, – tha Presidentja Xhonson.
Në Republikën Çeke, udhëheqësit u takuan me Petër Gandaloviçin, drejtorin e ndihmave humanitare për Ministrinë e Punëve të Jashtme të vendit.
“Kemi shumë dëshirë t’i shërbejmë popullit të Çekisë”, – tha Presidentja Xhonson.
“Kemi anëtarë anembanë botës që kanë shumë dëshirë të ndihmojnë vëllezërit dhe motrat e tyre dhe të shërbejnë ashtu siç do të bënte Shpëtimtari”, – shtoi ajo.
Ndërkohë që ishin në Pragë, Drejtueset e Përgjithshme vizituan gjithashtu organizatën “Jako doma” (“Si në Shtëpi”), një strehimore për gratë e pastreha dhe “Dum Ronalda McDonalda” (“Shtëpia e Ronald MekDonaldit”) ku mund të qëndrojnë familjet që kanë fëmijë në Spitalin Universitar të Motolës aty pranë.
Dhurimet e fundit në qendrën komunitare të të pastrehëve përfshijnë mjete për të ndihmuar të mirëmbahet një kopsht i komunitetit dhe një pjatalarëse.
Në Budapest të Hungarisë, Presidentja Xhonson dhe Motra Brauning u takuan me drejtuesit e Fondacionit të Autizmit, i cili drejton një shkollë për fëmijët me autizëm. Kisha ka dhuruar materiale të përditësuara mësimore dhe mjete të tjera mësimore për nxënësit.
Motrat e Shoqatës së Ndihmës në Milano të Italisë, kanë mbledhur veshje dhe artikuj të tjerë të dhuruar për t’ua shpërndarë njerëzve në nevojë. Artikujt ruhen në një hapësirë që gratë e quajnë “Këndi Qiellor”, që ndodhet në bodrumin e një shtëpie mbledhjesh të Kishës.
“Ato kanë mbledhur dhurime veshjesh dhe shtresash për familjet, të cilat do t’ia dhurojnë popullatës së imigrantëve këtu dhe çdo motër ka pasur mundësinë të marrë pjesë”, – tha Presidentja Xhonson.
Motrat e Shoqatës së Ndihmës lajnë dhe hekurosin veshjet dhe artikujt e tjerë të dhuruar për t’ua shpërndarë familjeve.
“Ky është ungjilli në veprim”, – tha Monia Vismara, një udhëheqëse vendore në Milano. “Ata janë shumë mirënjohës për këtë shërbim, sepse mund ta ndiejnë ndihmën e Zotit.”
Vismara tha se shumica e njerëzve që marrin përkrahje, vijnë nga Amerika e Jugut, duke përfshirë Brazilin dhe Perunë. Gratë që kanë nevojë për ndihmë, mund të vizitojnë qendrën duke planifikuar një takim për t’i marrë artikujt e dhuruar pa pagesë.
Përpjekjet për Dhënien e Shërbesës
Drejtueset e Përgjithshme u takuan me udhëheqëse të Shoqatës së Ndihmës dhe shenjtorë të ditëve të mëvonshme në mbarë Europën Qendrore gjatë shërbesës së tyre.
Në Itali, Motra Brauning mori pjesë gjithashtu në një mbledhje të drejtuar nga fëmijët e Fillores.
“Kaluam shumë bukur duke kënduar këngë, duke bërë punime artistike, duke i lejuar fëmijët të tregojnë përshtypjet e tyre rreth ungjillit të Jezu Krishtit, se si ndihen rreth përgatitjeve për pagëzimin”, – tha Motra Brauning. “Është shumë e rëndësishme t’i ftojmë fëmijët t’i përdorin dhuntitë dhe talentet për të bekuar të tjerët.”
Motrat e mbyllën shërbesën e tyre në Kroaci, duke u takuar me udhëheqës vendorë, të rinj e të reja në moshë madhore dhe misionarë nga Misioni i Adriatikut Verior, të cilët u mblodhën për një konferencë distrikti.
“Më pëlqen ajo frymë e mbledhjes që gjendet në këtë rajon të veçantë të botës”, – tha Motra Brauning.
Presidentja Xhonson tha: “Unë e di që Ati ynë Qiellor i do të gjithë fëmijët e Tij dhe Ai është i vetëdijshëm për nevojat e shenjtorëve tanë dhe të të gjithë njerëzve që e quajnë Europën Qendrore shtëpi.”