Bruksel

Presidentja e Organizatës së Grave të Kishës Flet në Parlamentin Europian

Motra Kamill N. Xhonson dha këndvështrimin e saj mbi mënyrën se si duhet fuqizuar liria e fesë ose e besimit e grave.

Motra Kamill N. Xhonson, Presidentja e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, foli në Parlamentin Europian më datë 4 mars 2024, në Bruksel, duke iu drejtuar një bashkësie përfaqësuesish të organizatave të shoqërisë civile, të kishave dhe të përkrahësve të lirisë fetare. Ajo foli mbi temën “Fuqizimi i Lirisë së Fesë ose së Besimit të Grave” dhe tregoi përvojat e saj vetjake dhe pikëpamjet e saj mbi mënyrën se si gratë me besim mund të kontribuojnë për një shoqëri më të drejtë dhe më përfshirëse.

Ngjarja u drejtua nga Zj. Anja Haga, një anëtare e Parlamentit Europian, në bashkëpjesëmarrje me Zyrën e Çështjeve Europiane dhe Ndërkombëtare të Kishës në Bruksel. Paraqitjet trajtuan këndvështrimet e ndryshme lidhur me lirinë e fesë dhe të besimit dhe përfshinë dy diskutime në grup ku u treguan histori personale. Ngjarja përkoi me Ditën Ndërkombëtare të Grave, që kremtohet më 8 mars të çdo viti për të njohur arritjet dhe sfidat e grave nëpër botë.

Motra Xhonson e nisi fjalën e saj duke deklaruar rolin e pashoq që luajnë gratë në shoqëri, duke qenë udhëheqëse, mësuese, edukatore, shëruese dhe paqebërëse të natyrshme. Nëse liria e fesë ose e besimit nuk mbrohet, ky rol nuk përmbushet plotësisht.

“Studiuesit e shoqërisë kanë treguar se konflikti shoqëror shtohet në atë përmasë që shoqëritë dhe qeveritë i kufizojnë liritë fetare. Një konflikt i tillë dhe dhuna që vjen si pasojë, dëmtojnë gjithmonë më të cenueshmit, përfshirë gratë dhe fëmijët. Kjo i bën të paqëndrueshme ekonomitë dhe vatrat familjare. E shton pabarazinë, përfshirë pabarazinë gjinore. Kjo i pengon gjithashtu gratë që t’i përdorin dhuntitë e tyre të lindura për të kultivuar paqen”, – tha ajo.

Ajo përmendi se, nëse gratë e zakonshme duhet të përmbushin rolet e tyre të pashoqe e të përditshme të paqebërjes, ato vetë kanë nevojë të frymëzohen, edukohen, shërohen, fuqizohen dhe të marrin mësim rreth potencialit të tyre hyjnor. Gratë “duhet të jenë në gjendje të jetojnë në përputhje me aspiratat dhe vlerat e tyre më të larta dhe të mblidhen, të ndajnë gjërat me njëra‑tjetrën dhe të organizohen për përkrahje të ndërsjellë. Kjo, sigurisht, është ajo që të lejon liria e fuqishme e fesë dhe e besimit, sigurinë ndaj grave, burrave dhe fëmijëve që ata mund të bëjnë një jetë të moralshme e të ndërgjegjshme me përkrahjen e ndërsjellë të bashkëbesimtarëve ndërkohë që u lejojnë të njëjtin dinjitet fqinjëve të tyre”, – deklaroi ajo.

Diskutimi i parë në grup u përqendrua tek aftësia ripërtëritëse e grave përqark botës dhe tek historitë e tyre në ndjekje të lirisë së fesë dhe të besimit. Folëset përfshinë Rejçëll Bajanin, që përfaqësonte Komunitetin Ndërkombëtar Bahai, Helena Fisherin, drejtuese që mbronte lëvizjen për Lirinë Gjinore dhe Fetare, dhe Anastasia Hartmanin, që përfaqësonte organizatën Dyert e Hapura Ndërkombëtare.

Grupi i dytë u përqendrua te paraqitja e strategjive dhe zgjidhjeve për të nxitur të drejtat e grave brenda kontekstit të lirisë së fesë ose së besimit. Karolina Handshini, Presidentja e Komitetit të OJQ‑ve mbi Gjendjen e Grave në Gjenevë, dha pikëpamje mbi kontributin e organizatës së shoqërisë civile brenda strukturës së Kombeve të Bashkuara. Suzan Kerri, Kryekëshilluesja mbi Lirinë e Fesë ose të Besimit nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut foli për rëndësinë e përbërësit të sigurisë në ushtrimin e lirisë së fesë të njeriut.

Françesko Di Lilo, Drejtor i Zyrës së Çështjeve Europiane dhe Ndërkombëtare të Kishës në Bruksel, i cili e drejtonte grupin, shpreson se “kjo ngjarje do të sjellë më tepër dialog dhe bashkëpunim mes udhëheqësve fetarë dhe politikë, si dhe me shoqërinë civile, për të nxitur dhe mbrojtur lirinë fetare të grave nëpër botë”.

Drejtuesja e ngjarjes, Zj. Anja Haga, në mbylljen e saj, tha se “nëse duam paqe, duhet të mbrojmë lirinë e fesë. Duhet luftuar për lirinë e fesë për gratë. Kështu vendoset paqja në botë.”

Dita u mbyll me një darkë me gratë ambasadore dhe udhëheqësit e organizatave të shoqërisë civile, duke e çuar më tej dialogun mbi perspektivën e lirisë fetare dhe mënyrën se si kjo e drejtë themelore mund të çojë në shoqëri më të drejta.

Motra Xhonson u takua edhe me anëtarët e Kishës në Bruksel, në një takim shpirtëror të veçantë për gratë. Ajo më vonë mori pjesë në një mbledhje me misionarët e Kishës të cilët po shërbejnë në Misionin e Belgjikës dhe Holandës. Ajo mbledhje u zhvillua në shtëpinë e re të mbledhjeve të Kishës në Breda të Holandës.