Presidentja e Hungarisë, Katalina Novák, takohet me Presidencën e Parë të Kishës

Më 26 shtator 2023, Presidentja e Hungarisë, Katalina Novák dhe personeli i saj vizituan Solt-Lejk-Sitin, në Jutë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe u takuan me Presidentin Dallin H. Ouks dhe Presidentin Henri B. Ajring, Këshilltarin e Parë dhe të Dytë në Presidencën e Parë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Të pranishëm ishin edhe Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe Plaku Masimo De Feo, i cili është President i Zonës së Europës Qendrore të Kishës.

Këta udhëheqës diskutuan për lirinë fetare dhe lirinë për të shprehur bindjet vetjake në sheshe publike, pavarësisht nga ajo që të tjerët mund të thonë apo mendojnë. Roli i familjes ishte një tjetër temë e rëndësishme e diskutuar në takim. Presidenti Ajring vuri në dukje se familjet janë një element qendror i mësimeve të Kishës dhe “arsyeja pse ne ndërtojmë tempuj, kështu që ato familje mund të jenë të bashkuara përgjithmonë”. Presidentja Novák komentoi se rritja e një fëmije është gjëja më e mirë që mund të bëjë kushdo. Plaku Dejvid A. Bednar vuri në dukje se gjatë bashkëbisedimit një ndjenjë e mrekullueshme mbizotëroi në dhomë dhe se të gjithë të pranishmit po buzëqeshnin.

Gjatë diskutimit Plaku De Feo pati mundësinë ta falënderonte Presidenten Novák që ishte një shembull i një të krishtereje që nuk hesht për bindjet e saj ose që nuk ka frikë të flasë hapur për Jezu Krishtin. Plaku De Feo tha: “Në një botë që po bëhet gjithnjë e më laike, ne gjetëm pika të përbashkëta në besimin tonë të përbashkët se bota ka nevojë ta dëgjojë më shumë emrin e Shpëtimtarit. Për këtë jemi të bashkuar si ‘Një në Krisht’.”

Në fund të takimit, Presidentes Novák iu tregua vendndodhja e tempullit të Budapestit të njoftuar nga Presidenti Rasëll M. Nelson në konferencën e përgjithshme të prillit 2019. Ajo e vlerësoi dhe ishte tepër e lumtur kur dëgjoi se ishte personi i parë që u informua zyrtarisht para se Kisha të bënte njoftimin publik më 9 tetor.

Takimi u mbyll me Presidentin Ouks që komentoi se Kisha ishte e bekuar që takonte një grua të tillë të krishterë dhe sa mirënjohës ishte ai që shteti i Hungarisë ishte kaq mikpritës me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Presidentja Novák më pas pyeti nëse mund të bëhej një lutje në emër të vendit të saj dhe popullit të saj. Plaku Bednar ishte shumë i lumtur ta bënte atë lutje.