Kujtimi i Jetës së Presidentit Xhefri R. Holland

“Përgjegjësia ime e plotë është të dëshmoj për Zotin Jezu Krisht.”

Me zemër të trishtuar, njoftojmë se Presidenti Xhefri R. Holland, Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ndërroi jetë të shtunën më 27 dhjetor 2025, rreth orës 3:15 të mëngjesit sipas orës standarde në zonën e shtatë orare (MST), si pasojë e ndërlikimeve të lidhura me sëmundjen e veshkave, i rrethuar nga familja e tij. Ai ishte 85 vjeç.


“Askush në Kishë nuk ishte më i mirë në mësimdhënie.”

- PLAKU KUENTIN L. KUK

Presidenti Holland u shugurua Apostull më 23 qershor 1994. Në atë kohë, ai shërbente si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë (1989–1994). Përpara shërbimit me kohë të plotë në Kishë, Presidenti Holland ishte presidenti i Universitetit “Brigam Jang” (1980–1989), Komisioner i Sistemit Arsimor të Kishës (1976–1980) dhe dekan i Kolegjit të Edukimit Fetar të UBJ‑së (1974–1976). Ai mori diplomën universitare në anglisht dhe diplomën pasuniversitare në edukim fetar në UBJ. Ai gjithashtu mori diplomën pasuniversitare dhe doktoratë në filozofi në studime amerikane në Universitetin e Jellit.

“E kam dashur Presidentin Holland që nga ato ditë të hershme [si një misionar i ri]”, tha Plaku Kuentin L. Kuk i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i cili ishte shoku në mision i Presidentit Holland gjatë misionit të tyre në Angli në fillim të viteve 1960. Plaku Kuk tha se që në atë kohë vuri re mënyrën e veçantë të 20‑vjeçarit, Plakut Holland, të përdorimit të fjalëve. Ai kishte një talent “të mrekullueshëm” për ta dhënë mësim ungjillin, së bashku me një “thellësi shpirtërore të jashtëzakonshme”, tha Plaku Kuk. “Ai ishte jashtëzakonisht i mirë atëherë dhe askush në Kishë nuk ishte më i mirë në mësimdhënie.”

Presidentin Holland e parapriu në vdekje bashkëshortja e tij, Patrisha Teri, e cila ndërroi jetë më 20 korrik 2023. Ai la pas tre fëmijë, 13 nipër e mbesa dhe disa stërnipër e stërmbesa.

image

I Rritur në një Shtëpi ku e Deshën Gjithmonë

Të takoheshe me Presidentin Holland për herë të parë ishte si të takoje dikë që e kishe njohur tërë jetën. Merrje një shtrëngim të fuqishëm dore, një prekje të përzemërt në shpinë, një buzëqeshje të ngrohtë përfshirëse dhe pyetjen entuziaste, prapëseprapë të çiltër: “Si jeni?”

Dashuria e tij e mirëfilltë për të tjerët ishte veç njëra nga cilësitë që e bënin këtë Apostull të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme kaq të efektshëm në shpalljen e ungjillit të Birit të Perëndisë. Presidenti Holland “ka një shpirtshmëri të thellë, të shoqëruar me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme. … [Ai është] gjithmonë duke i ndihmuar njerëzit të përparojnë dhe duke i lartësuar ata dhe duke i tërhequr te vetja”, – vuri në dukje dikur Presidenti Xhejms E. Faust (1920–2007) i Presidencës së Parë të Kishës. “Ai ka aftësinë e mrekullueshme për t’i bërë njerëzit të ndiejnë se ata janë pikërisht miqtë e tij më të mirë.”

I lindur nga Frenk D. dhe Liza Bentli Holland në Seint‑Xhorxh të Jutës, më 3 dhjetor 1940, Presidenti Holland e përshkroi fëmijërinë e tij si një kohë të ëmbël, plot paqe në një komunitet të vogël ku çdo njeri e njihte njëri-tjetrin. “Nuk do të mund të isha futur në telash në atë qytezë edhe sikur të kisha dashur. Mamaja do ta kishte marrë vesh që përpara se të mbërrija në shtëpi”, – tha ai njëherë me shaka.

Shtëpia e Presidentit Holland ishte një vend ku humori dhe dhembshuria e mirëfilltë për të tjerët ishin thelbësore. “Gjithmonë më deshën. Por më deshën në një mënyrë që asnjë fëmijë nuk mund të kishte kërkuar kurrën e kurrës për më shumë”, – tha ai.

Ajo dashuri për njerëzit dhe jetën u kthye në pasion për sportet në jetën e Xhefrit të ri. Ai luajti në çfarëdolloj ekipi që u mblodh në Seint-Xhorxh, ishte pjesëtar i ekipeve të futbollit amerikan dhe bejsbollit të shkollës së mesme “Diksi” në kampionatet shtetërore dhe mori vlerësimin nga shkolla si i dalluar në futbollin amerikan, basketboll, garat e vrapimit dhe bejsboll.

“Gëzimi qendror i jetës sime kur po rritesha, ishin sportet”, – tha Presidenti Holland. “Luajta në çfarëdolloj ekipi që mund të organizuar.”

Ngritja e një Familjeje me Patrisha Terin

Por mendja e tij nuk qe tepër e përqendruar te sportet sa të mos e vinte re Patrisha Terin duke brohoritur nga rreshtat e publikut. Ata të dy filluan të dalin në takime romantike në shkollën e mesme dhe u martuan më 7 qershor 1963. Marrëdhënia e tyre ishte një marrëdhënie unike që ndihmoi për t’i formuar dhe për t’i zhvilluar secilin prej tyre në përgjegjësitë e larmishme në Kishë.

Patrisha Hollandi ishte një këngëtare, autore dhe folëse e zonja. Prapëseprapë, Presidenti Holland tha se përqendrimi i saj kryesor ishte gjithmonë familja e saj, një fakt veçanërisht i rëndësishëm ndërkohë që rritnin tre adoleshentë në kompleksin universitar të UBJ‑së gjatë kohës plot punë të Presidentit Holland si president universiteti.

“Ia jap Patit të gjithë meritën në frontin e shtëpisë”, – tha Presidenti Holland, i cili ishte autori i më shumë se një duzine librash, përfshirë dy libra që i shkroi me Patin. “Ishim shumë të zënë me punë, që shumë herët në jetën tonë dhe gjithmonë ndienim se po na kërkohej të bënim gjëra ca si shumë vite përpara se të ishim mjaft në moshë apo mjaft të mençur apo mjaft të urtë për ta bërë atë gjë. … Ajo vërtet punonte për ta bërë [jetën] normale [për fëmijët tanë dhe] punonte fort që ta vinte në dukje atë që familjet duhej të bënin, dhe atë që familjet duhej të kishin, dhe atë që prindërit duhej të ishin për fëmijët e tyre. … Qëndroj me një admirim i cili më le gojëhapur dhe tejet të habitur që ajo thjesht do të marshonte besimplotë duke u hedhur drejt së panjohurës për mua, për Kishën, për Zotin, për fëmijët e saj. Ajo përherë e ka bërë këtë gjë.”

image

E njëjta gjë mund të thuhet për Presidentin Holland, i cili e planifikonte me kujdes kohën me tre fëmijët e tij, Methjun, Meri Lizën dhe Davidin. Methju tha se “kujtimet [e tij] më të shtrenjta nga fëmijëria janë te tavolina e darkës. Çdo natë ishte si një mbrëmje familjare e shtëpisë, e mbushur me të qeshura, përgëzime, inkurajim, bashkëbisedim interesant, dëshmi, mësimdhënie dhe shprehje të dashurisë. Gjithmonë e dinim se babi qe më i lumturi kur ishte në shtëpi me familjen e vet.”

image

Presidenti Holland tha se qasja e tij ndaj të qenit prind i mirë ishte e mësuar në shtëpi dhe themelore. “Nëse e keni dashurinë e Zotit në jetën tuaj, nëse e dini se ka kuptim dhe qëllim ndaj jetës dhe falja është e vërtetë dhe dashuria është forca më e fuqishme në gjithësi, është shumë më e lehtë të jeni të lumtur dhe të krijoni një mjedis ku njerëz të tjerë mund të jenë të lumtur.”

Një Burrë Fisnik, një Studiues, një Diplomat – dhe Gjithmonë një Mësues

Besimi i tij i flaktë e i palëkundshëm fillimisht lulëzoi kur ai shërbeu në një mision për Kishën në Angli në moshën 19 vjeç. Ai e quajti misionin e vet pikën vendimtare të kthesës në jetën e tij, ku ai e ushqeu besimin e tij te Perëndia dhe filloi një studim të fuqishëm të Librit të Mormonit dhe ku filloi vlerësimi i tij për atë libër. Si rrjedhojë, Presidenti Holland tha se misioni i tij: “Ose e mbështeti ose e ndryshoi jashtëzakonisht, në një mënyrë të mirë, çdo synim, ndjenjë apo aspiratë që e pata ndonjëherë” – mes tyre, vendimin e mëvonshëm për të ndjekur një karrierë në mësimdhënie në vend që të studionte për mjekësi kur të kthehej në shtëpi në Jutë.

Presidenti Holland më pas mori diplomën pasuniversitare dhe doktoraturën në degën e studimeve amerikane nga Universiteti i Jellit. Pas diplomimit, Presidenti Holland hoqi dorë nga shumë mundësi fitimprurëse, përkundrazi zgjodhi të kthehej në Sistemin Arsimor të Kishës dhe të jepte mësim atë që e donte më së miri – ungjillin e Jezu Krishtit. Mësimdhënia nuk ishte ajo që ai bënte, ishte ajo që ai ishte.

Njëri nga presidentët e misionit të Presidentit Holland, Plaku Marion D. Henks (1921–2011), tha: “Xhefri Holland është nga natyra një mësues. Ai është një burrë fisnik, një studiues dhe një diplomat, por mbi gjithë këto gjëra ai është një mësues.”

Pak dinte Presidenti Holland se mendjemprehtësia e tij në mësimdhënie do të ishte zanafilla për detyrat e ardhshme të caktuara në Kishë. Vëllai i tij, Denisi, tha: “Gjithçka që Xhefi donte përherë të bënte, ishte t’u jepte mësim ungjillin studentëve në një klasë. Isha gjithmonë i sigurt se Zoti kishte të njëjtin synim në mendje për të, por që përmasa e dhomës së klasës dhe numri i studentëve qenë të një shkalle tepër më të madhe sesa e kishte përfytyruar ai.”

Klasa e Presidentit Holland u zgjerua kur ai u bë Komisioneri i Sistemit Arsimor të Kishës në vitin 1976 dhe më pas u caktua si presidenti i nëntë i universitetit “Brigam Jang” në vitin 1980. Si president, ai udhëhoqi një fushatë për mbledhje fondesh prej 100 000 000 dollarësh amerikanë, e ndihmoi shkollën t’i festonte dhe trajtonte sukseset sportive (përfshirë fitoren nga ekipi i futbollit amerikan të UBJ-së të kampionatit kombëtar të 1984‑s) dhe fitoi respektin e shumë njerëzve teksa ndihmoi në qetësimin e protestave të forta kundër ndërtimit të Qendrës së UBJ‑së në Jerusalem (të përfunduar në vitin 1989).

Presidenti Holland shërbeu si president i Shoqatës Amerikane të Presidentëve të Kolegjeve dhe Universiteteve të Pavarur, në bordin e Shoqatës Kombëtare të Kolegjeve dhe Universiteteve të Pavarur dhe si anëtar i Komisionit të Presidentëve të Shoqatës Kombëtare të Sporteve Universitare. Për punën e tij lidhur me përmirësimin e mirëkuptimit midis të krishterëve dhe judenjve, atij iu dha çmimi “Pishtari i Lirisë” nga Liga Kundër Shpifjes e B’Nai B’rith‑it. Ai gjithashtu shërbeu në bordet qeverisëse të disa korporatave civile dhe të lidhura me bizneset.

I Thirrur që të Ishte një Dëshmitar i Veçantë i Krishtit

image

Presidenti Holland u bë Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë në vitin 1989 dhe atij iu dha një thirrje për tërë jetën si Apostull i Jezu Krishtit pesë vjet më vonë. Duke folur në një konferencë shtypi në Sheshin e Tempullit në të njëjtën ditë që u bë Apostull, Presidenti Holland e përshkoi befasinë e thirrjes për t’ia përkushtuar pjesën e mbetur të ditëve të tij ndaj shërbimit kohëplotë në kauzën e Krishtit.

“Këto orët e fundit kanë qenë gati të papërballueshme”, – tha ai më 23 qershor 1994. “E mora këtë thirrje në orën 7:30, këtë mëngjes. … Presidenti [Hauard W.] Hanter ma dha thirrjen, ai e kreu punën në tempull, ai më dha udhëzimet e mia dhe më dha bekimin tim. Ai bëri gjithçka. Sa thellësisht nxitëse ishin këshilla, udhërrëfimi dhe bekimi i tij për mua. … Përgjegjësia ime kryesore tani dhe përgjegjësia ime parësore – në njëfarë mënyre, përgjegjësia ime tërësore – është të jap dëshmi për Zotin Jezu Krisht. Sado i papërshtatshëm që ndihem, kjo është detyra më e këndshme, më shpërblyese dhe më emocionuese që mund të ketë një njeri në këtë botë. Ia zotoj jetën time kësaj përpjekjeje.”

Pati, nxitësja e tij e përhershme, tha në të njëjtën konferencë për shtyp se besimi i Presidentit Holland te Jezu Krishti do të ishte vlera e tij më e madhërishme si Apostull.

“Askush përveç [meje] nuk e di llojin e besimit që ka ky burrë. Është besim i kulluar”, – u tha ajo gazetarëve të mbledhur. “Ai është një shërbëtor i përulur i Zotit Jezu Krisht.”

Dhe kjo qe çfarë ishte Presidenti Holland për dekadat e mbetura të jetës së tij. Sikurse bëjnë të gjithë Apostujt, ai udhëtoi nëpër botë. Kjo përfshiu caktimin e pazakontë për të drejtuar punët e Kishës në Kili për dy vjet (2002–2004). “Ne absolutisht ramë në dashuri me Kilin dhe popullin kilian dhe vajtuam e qamë kur u larguam”, – tha ai. “Kjo është mënyra se si është në Kishë. Janë njerëzit, është besimi, është përvoja shpirtërore dhe është lidhja që merrni nga sakrifikimi për të tjerët.”

Shumë nga detyrat e tjera të caktuara Presidentit Holland përfshinë të qenit bashkëpunëtori i Presidentit Rasëll M. Nelson në udhëtimin e parë kryesor të profetit si udhëheqësi i Kishës në vitin 2018, një udhëtim 11-ditor në tetë qytete të Europës, Afrikës dhe Azisë. Dhe në nëntor 2023, ai u bë Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve pas vdekjes së Presidentit M. Rasëll Ballard. Kur vdiq Presidenti Nelson, Presidenti Holland u bë Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

image

Presidenti Holland i dha hir porosisë së Krishtit për të dhënë shërbesë “përpara mbretërve dhe sundimtarëve” (Doktrina e Besëlidhje 1:23) me një ndikim të hijshëm vetjak. Për shembull, ai u ftua disa herë nga baronesha Ema Nikolson (një anëtare e Dhomës së Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar, si dhe themeluese dhe kryetare e fondacionit AMAR) që të vinte në kështjellën Uindsor në Londër për të diskutuar se si të ndihmoheshin refugjatët e ditëve të sotme që t’ia dilnin mbanë pavarësisht rrethanave të tyre. Baronesha tha se asaj i pëlqente të diskutonte teologjinë me Presidentin Holland ngaqë “ai është një mësues” dhe një dialog i tillë ishte një pjesë “jashtëzakonisht e rëndësishme” e punës së tyre së bashku.

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme do t’i kujtojnë predikimet e shumta tërheqëse, elokuente dhe gjithmonë plot shpresë të Presidentit Holland. Ai u solli dritë atyre që vuanin në pasiguritë e zymta të pandemisë së COVID-19. Ai shprehu ndjeshmëri ndaj atyre që ndeshen me sëmundjen mendore, madje duke folur rreth një “goditjeje psikike” të papritur në vetë jetën e tij. Ai foli qartë për paqen që çdo njeri në botë mund të gjejë në Librin e Mormonit. Dhe, me shumë vend, disa prej bisedave të tij të fundit publike u përqendruan te shpresa në Krishtin.

“Shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit”, – u tha Presidenti Holland të rinjve e të rejave në moshë madhore anembanë botës në janar të vitit 2023, duke cituar një shkrim të shenjtë nga Libri i Mormonit. “[Atë] ndriçim [të përkryer] të shpresës, [të] lindur nga dashuria për Perëndinë dhe për të gjithë njerëzit – kjo është ajo që duam për [secilin prej] ju[sh në] vitin e ri. Shoqëruese e asaj shprese të ndritur do të jetë pëshpëritja e pamohueshme se Perëndia ju do, se Krishti është Avokati juaj, se ungjilli është i vërtetë. Ndriçimi i saj do t’ju kujtojë se në ungjill ka gjithmonë, çdo ditë, çdo orë, një mundësi të re, një jetë të re, një vit të ri. Çfarë mrekullie! Çfarë dhurate! Dhe për shkak të dhuratës së Krishtit, gjërat më të mira në jetë janë tonat nëse ne me vendosmëri vazhdojmë të besojmë, vazhdojmë të përpiqemi dhe vazhdojmë të shpresojmë.”

Pavarësisht cilat qenë mesazhet e tij të shpresës, të dhëna gjatë një çerek shekulli si Apostull, secili u përqendrua tek ungjilli i Jezu Krishtit.

“Jeta do t’ju sfidojë. Vështirësitë do të vijnë. Zemërthyerjet do të godasin”, – u dha mësim Presidenti Holland pasuesve të tij në mediat shoqërore pikërisht pasi filloi pandemia e COVID-19 në mars 2020. “Prandaj, kudo që po shkoni, fillimisht bëni përpara në udhën tuaj drejt Krishtit. Bëni besëlidhje me Të dhe mbajini ato teksa rrugëtoni.”

image

Ndoshta motivimi i Presidentit Holland për t’u përfshirë kaq personalisht dhe në mënyrë kaq vetjake me çdo njeri, qoftë ballë për ballë, nga foltorja apo nëpërmjet mediave shoqërore, mund të gjendet në atë që ishte shkrimi i tij i shenjtë i parapëlqyer, Doktrina e Besëlidhje 81:5: “Prandaj ji besnik; qëndro në detyrën që të kam caktuar; ndihmo të dobëtit, ngri duart që varen poshtë dhe forco gjunjët e këputur”.

Presidenti Holland besonte se plogështia dhe keqkuptimi i dhuratave të Perëndisë ishin sfidat më të mëdha të kohës sonë. Për shkak të kësaj ai u dha mësim të tjerëve: “Jini plot lutje, jini të përulur, jini të bindur, kërkoni vullnetin e Tij dhe mënyrën e Tij dhe ju do të dini mjaftueshëm që të ndërmerrni hapat e mëtejshëm tej drejt kufirit të dritës, ndoshta edhe një a dy hapa brenda errësirës dhe atëherë do të zbuloni se drita vjen për hapin pasues”.

Teksa i udhëhoqi njerëzit hap pas hapi brenda dritës së ungjillit, Presidenti Holland u bë lloji i mësuesit të përshkruar nga Henri Adams, i cili shkroi: “Një mësues ndikon përjetësinë; ai kurrë nuk mund ta dallojë se ku mbaron ndikimi i tij”.

image