Romë

Presidenti Ouks u Tregon Studentëve në Romë Përse Ka Rëndësi Liria Fetare

Ai thotë që njerëzit e besimit fetar duhet të bashkohen që të “ndihmojnë, veprojnë si një strehë e shenjtë dhe ta shpallin lirinë fetare anembanë botës”.

Duke folur në Universitetin Sapienca në Romë të martën, Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, tha se liria fetare është një e mirë e jashtëzakonshme mbarëbotërore, që ia vlen të mbrohet.

Presidenti Dallin H. Ouks flet tek Universiteti Sapienca në Romë, të martën më 14 dhjetor 2021.
Presidenti Dallin H. Ouks flet tek Universiteti Sapienca në Romë, të martën më 14 dhjetor 2021.

Duke shpjeguar që Kisha e Jezu Krishtit është një besim fetar i rivendosur (jo një kishë protestante apo katolike), Këshilltari i Parë në Presidencën e Parë tha se “rivendosja e plotësisë së doktrinës së krishterë na mëson se Perëndia i krijoi dhe i vendosi fëmijët e Tij në Tokë për t’i rritur shpirtërisht duke bërë zgjedhje të drejta midis së mirës dhe së ligës, në përputhje me urdhërimet e Tij. Liria e zgjedhjes është, si rrjedhim, thelbësore në planin e Perëndisë.”

Duke cituar veprën e profesorit të Universiteti “Brigam Jang”, Kol Duram, dhe dy Apostujve të tjerë si ai, Presidenti Ouks tregoi disa nga përfitimet thelbësore të lirisë fetare.

Presidenti Ouks tha se mbrojtja e lirisë fetare “lidhet jo vetëm me mbrojtjen e të drejtave të tjera themelore, por edhe me të mira të tjera shoqërore, të tilla si liria ekonomike, prodhimi i brendshëm bruto më i lartë për frymë, të ardhura më të mira për gratë, barazia gjinore, nivele më të larta shkrim‑këndimi, shëndeti dhe arsimimi më i mirë dhe përforcimi i demokracisë”.

Paolo Nazo, profesor i shkencave politike dhe gazetarisë, dhe Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, shtrëngojnë duart tek Universiteti Sapienca i Romës më 14 dhjetor 2021.
Paolo Nazo, profesor i shkencave politike dhe gazetarisë, dhe Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, shtrëngojnë duart tek Universiteti Sapienca i Romës më 14 dhjetor 2021.

Të mira të tjera që rrjedhin nga liria fetare, tha Presidenti Ouks, janë pluralizmi, paqja dhe një ndarje e duhur midis kishës dhe shtetit. Duke cituar nga një fjalim i mbajtur në tetor 2021 nga Plaku D. Tod Kristoferson, Presidenti Ouks tha: “Historia e lirisë fetare tregon se respekti sjell respekt. Qeveritë që e mbrojnë lirinë fetare, kanë më pak konflikte shoqërore dhe nivele më të larta të bashkëpunimit shoqëror.”

Presidenti Ouks foli gjatë edhe për një përfitim tjetër: punën e bamirësisë që bëjnë njerëzit e besimit. Duke lexuar nga Plaku Kuentin L. Kuk në fjalimin e mbajtur në qershor 2021 në Universitetin e Notrë Damit, ai tha se “përgjegjshmëria fetare i sjell përfitim shoqërisë laike” ngaqë ka një “mori veprash të mira që feja i frymëzon të bëjnë njerëzit e besimit në emër të të tjerëve”. Presidenti Ouks dha disa shembuj nga bota shenjtore e ditëve të mëvonshme në vitin 2021:

  • Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit anembanë botës kanë dhënë rreth 6 milionë orë shërbimi në projekte mirëqenieje dhe humanitare të financuara nga Kisha (duke mos numëruar atë që anëtarët bëjnë më vete).
  • Faqja në internet JustServe [ThjeshtShërbe] po ndihmon më shumë se 655.000 vullnetarë të lidhen dhe të plotësojnë nevojat në komunitetet e tyre.
  • Kisha ka krijuar partneritet me Kishën Katolike dhe të tjerë në Itali për të ndihmuar refugjatët me ushqime, strehim, përkujdes mjekësor dhe trajnim aftësish.
  • Shenjtorët e ditëve të mëvonshme po bashkëpunojnë me organizata myslimane, hebrease dhe të krishtera në shtetet mesdhetare për të trajtuar probleme si konfliktin, urinë, sëmundjen dhe shpërnguljen.
  • Kisha po bashkëpunon me qeverinë e Indisë për të siguruar më shumë përdorim të shërbimeve për sytë, kujdesit për nënat dhe të porsalindurit dhe trajnimin e aftësive. Kisha gjithashtu dhuroi 4 milionë dollarë për pajisje përqendruese të oksigjenit, ventilatorë dhe pajisje të tjera mjekësore.
  • Kisha është përfshirë në më shumë se 575 projekte të tjera që lidhen me COVID-19 në 74 shtete.

Në mënyrë të ngjashme me mesazhin e tij në Universitetin e Virxhinias në nëntor, Presidenti Ouks tha se vlera kryesore e krishterimit për të jetuar në paqe me të tjerët – të cilën Kisha e quan “paanshmëri për të gjithë” – është thelbësore që të lulëzojë liria fetare.

Alesandro Saxhoro, profesor i historisë dhe fesë në Universitetin Sapienca në Romë, u flet studentëve dhe trupës pedagogjike më 14 dhjetor 2021.
Alesandro Saxhoro, profesor i historisë dhe fesë në Universitetin Sapienca në Romë, u flet studentëve dhe trupës pedagogjike më 14 dhjetor 2021.

“Realiteti i të jetuarit si bashkëqytetarë në një shoqëri pluraliste është që ne duhet të pranojmë disa ligje që nuk na pëlqejnë, dhe të mësojmë të jetojmë në paqe me disa njerëz vlerat e të cilëve ndryshojnë nga vlerat tona”, tha ai. “Ne nuk duhet të presim ose të kërkojmë mbisundim tërësor për pikëpamjet tona, por në ushtrimin e respektit reciprok duhet të kërkohet paanësi për të gjithë. Kjo sigurisht kërkon që ne të përpiqemi të kuptojmë përvojat dhe shqetësimet e të tjerëve.”

Presidenti Ouks tha se, edhe pse një projektligj për paanësinë për të gjithë është tani në pritje për shqyrtim në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, “rëndësia e vlerave të përfshira bën që t’ia vlejnë përpjekjet për pajtimin”. Themelimi i “marrëdhënieve vepruese midis qeverive dhe atyre që kërkojnë liri të fesë ose bindjes fetare”, është një “çështje për të cilën kemi shumë për të mësuar nga njëri‑tjetri” – tha ai.

Presidenti Ouks citoi të dhëna që thonë se pak njerëz sot e vlerësojnë fenë e organizuar dhe lirinë fetare. Përse është kështu? Ndoshta, tha ai, sepse ne e kemi humbur fillin e mësimit bazë të Krishtit për të dashur Perëndinë dhe të afërmin.

“Me dashurinë dhe respektin reciprok që kërkohet nga urdhërimet hyjnore, neve na nevojitet të gjejmë mënyra për të mësuar nga njëri‑tjetri dhe për të përforcuar pikëpamjet e ngjashme që na mbajnë së bashku në një shoqëri të qëndrueshme e pluraliste” – tha ai. “Ajo është mënyra për të parandaluar që dallime të thella mbi vlerat e rëndësishme ta përçajnë unitetin tonë qytetar.”

Presidenti Ouks tha që udha për të shkuar përpara është solidariteti ndërfetar. Duke cituar Plakun Kuk, ai tha se katolikët, evangjelistët, hebrenjtë, myslimanët, shenjtorët e ditëve të mëvonshme dhe besimet e tjera fetare “duhet të jenë pjesë e një koalicioni të feve që ndihmojnë, veprojnë si një strehë e shenjtë dhe shpallin lirinë fetare anembanë botës”.

“Si një njeri i thirrur që të japë dëshmi për Jezu Krishtin dhe të nxitë paqen dhe dashurinë që e dha mësim Ai”, përfundoi Presidenti Ouks, “unë dëshmoj për fuqinë e këtyre ideve dhe i ftoj bekimet e Perëndisë mbi të gjithë ata që përpiqen t’i nxitin ato.”