Deklaratë për Shtyp

Presidenti Nelson Flet rreth Racizmit dhe bën Thirrje për Respektimin e Dinjitetit Njerëzor

Në dritën e ngjarjeve të fundit, Russell M. Nelson, Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ndau mesazhin e mëposhtëm në llogaritë e tij në mediat sociale:

Bashkohemi me shumë njerëz në mbarë këtë komb dhe rreth e rrotull botës që janë trishtuar thellësisht nga provat e kohëve të fundit të racizmit dhe shpërfilljes hapur të jetës njerëzore. Na ngjall krupë realiteti se disa njerëz do t’ua mohonin të tjerëve respektin dhe liritë më themelore për shkak të ngjyrës së lëkurës së tyre.

Trishtohemi gjithashtu edhe kur këto sulme ndaj dinjitetit njerëzor çojnë në dhunë dhe trazirë të përshkallëzuar.

Krijuesi i ne të gjithëve na bën thirrje secilit prej nesh që t’i braktisim qëndrimet e paragjykimit kundër cilitdo grupi të fëmijëve të Perëndisë. Cilido prej nesh që ka paragjykime ndaj një race tjetër, ka nevojë të pendohet!

Gjatë misionit tokësor të Shpëtimtarit, Ai vazhdimisht u dha shërbesë atyre që ishin të përjashtuar, të lënë mënjanë, të gjykuar, të anashkaluar, të keqtrajtuar dhe të nëpërkëmbur. Si pasuesit e Tij, a mund të bëjmë ne më pak se kaq? Përgjigjja është jo! Ne besojmë te liria, mirëdashja dhe paanësia për të gjithë fëmijët e Perëndisë!

Le të jemi të qartë. Ne jemi vëllezër dhe motra, secili prej nesh fëmija i një Ati të dashur në Qiell. Biri i Tij, Zoti Jezu Krisht, na fton të gjithëve të vijmë tek Ai – “të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra” (2 Nefi 26:33). Na takon secilit prej nesh që të bëjmë çfarëdo që mundemi në fushat tona të ndikimit, për ta ruajtur dinjitetin dhe respektin që meriton çdo bir dhe bijë e Perëndisë.

Cilido komb mund të jetë vetëm aq i madhërishëm sa janë njerëzit e tij. Kjo kërkon që qytetarët të kultivojnë një busull morale e cila i ndihmon të dallojnë mes të drejtës dhe të gabuarës.

Veprimet e jashtëligjshme si grabitja, dëmtimi apo shkatërrimi i pronës publike ose private nuk mund të lejohen. Asnjëherë një gjë e gabuar nuk është korrigjuar me një gjë të dytë të gabuar. Të ligës asnjëherë nuk i është dhënë fund me më shumë të ligë.

Na nevojitet ta ushqejmë besimin tonë tek Atësia e Perëndisë dhe vëllazëria e njeriut.

Na nevojitet të ushqejmë një respekt themelor për dinjitetin njerëzor të çdo shpirti njerëzor, pavarësisht nga ngjyra, kredoja ose kauza e tij.

Dhe na nevojitet të punojmë pa u lodhur për të ndërtuar ura mirëkuptimi në vend që të krijojmë mure veçimi.

Unë përgjërohem që ne të punojmë së bashku për paqe, respekt të ndërsjellë dhe për një derdhje të dashurisë për të gjithë fëmijët e Perëndisë.

Presidenti Rasëll M. Nelson