Bruksel, Belgjikë

Presidenti Dallin H. Ouks i Nxit Anëtarët në Europë të Ndjekin Krishtin dhe të Synojnë Unitetin

Transmetimi i takimit shpirtëror zuri fill në Bruksel dhe u ndoq nga anëtarët në mbarë kontinentin europian

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, iu drejtua anëtarëve në të gjithë Zonën e Europës Qendrore të dielën, më 13 korrik 2025, gjatë transmetimit të një takimi shpirtëror të veçantë nga Brukseli. Mbledhja, e cila u përkthye në 23 gjuhë, u ndoq nga shenjtorët e ditëve të mëvonshme në mbi 30 vende kudo në Europën Qendrore dhe Lindore.

Takim Shpirtëror për Mbarë Zonën me Presidentin Ouks

Mbi 700 anëtarë dhe miq të Kishës u mblodhën në prani fizike në shtëpinë e mbledhjes së Kishës në Grimbergen, duke përfaqësuar të dy kunjet e Brukselit. Kjo ngjarje historike shënoi herën e parë që një anëtar i Presidencës së Parë u ka folur drejtpërsëdrejti nga Belgjika shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në shumë vende në Europë.

Presidentin Ouks e shoqëroi bashkëshortja e tij, Motra Kristen Ouks, si pjesë e një vizite të shkurtër në Europë. Në mbledhje foli edhe Plaku Ruben V. Alliod, Presidenti i Zonës së Europës Qendrore të Kishës.

Në fjalimin e tij, Presidenti Ouks theksoi se kyçi i zgjidhjes së ndasive të shumta që shihen në shoqëri – qoftë politike, ekonomike ose doktrinore – është të ndjekim Jezu Krishtin.

“Zgjidhja e vetme, e përhershme ndaj dallimeve që na ndajnë”, – dha mësim Presidenti Ouks, – “është që të gjithë të ndjekim mësimet e Shpëtimtarit tonë dhe dalëngadalë të bëhemi madje siç është Ai. Ndjekja e Krishtit nuk është një praktikë rastësore, por një zotim i vazhdueshëm dhe një mënyrë jete që vlen për të gjithë njerëzit, në të gjitha kohët dhe në të gjitha vendet.”

Ai foli për ftesën e Shpëtimtarit për t’u bërë më të ngjashëm me Të dhe i nxiti anëtarët të zhvillojnë cilësi si të Krishtit të tilla si përulësia, bindja, pendimi dhe dashuria. Ai gjithashtu dha dëshmi për forcën që vjen nëpërmjet bërjes dhe mbajtjes së besëlidhjeve të shenjta.

“Ne kemi ndihmë nëpërmjet besëlidhjeve që bëjmë sipas Planit të Atit për Shpëtimin”, – tha Presidenti Ouks. Duke cituar Presidentin Rasëll M. Nelson, Presidenti Ouks u kujtoi dëgjuesve që, “ndërsa i mbajmë besëlidhjet tona të tempullit, marrim qasje më të madhe te fuqia forcuese e Zotit. Në tempull, ne marrim mbrojtje nga goditjet e botës.”

Ai theksoi se edhe veprat më të përkushtuara të shërbimit janë përfundimisht të zbrazëta pa dashurinë hyjnore, dashurinë e pastër të Krishtit, dhe se dishepullimi i vërtetë kërkon edhe shërbim së jashtmi, edhe shndërrim së brendshmi.

Motra Kristen M. Ouks e theksoi gjithashtu rëndësinë e shërbimit në Kishë dhe në shoqëri. “Nuk jemi vetëm dhe kemi nevojë për njëri-tjetrin. Ne bëhemi engjëjt e njëri‑tjetrit në këtë tokë.” Motra Fabiana Alliod reflektoi mbi unitetin dhe punën për të njëjtin objektiv. “Zoti na bekoftë që të punojmë së bashku në një mendje dhe një zemër që ta përgatitim botën për Ardhjen e Tij të Dytë”, – tha ajo.

Plaku Ruben V. Alliod shprehu mirënjohje të thellë për vizitën e Presidentit Ouks dhe i nxiti anëtarët të veprojnë sipas këshillës së marrë. Duke reflektuar mbi larminë në Kishë, ai theksoi: “Në Kishën e vërtetë dhe të gjallë të Jezu Krishtit, të gjithë janë të mirëpritur, për të gjithë ka dashuri dhe të gjithë nevojiten”, – tha ai. “Në Kishën e vërtetë dhe të gjallë të Jezu Krishtit, askush nuk ulet vetëm; askush nuk këndon vetëm, askush nuk qan vetëm. Kjo është një pjesë e rëndësishme e njerëzve që jemi ndërsa përpiqemi fort të ndjekim Jezu Krishtin”, – e mbylli fjalën Plaku Alliod.

Anëtarët në të gjithë Europën, nga Spanja në Turqi, shprehën vlerësim për mundësinë që morën mësim nga një udhëheqës i lartë i Kishës dhe që e ripohuan besimin e tyre te Jezu Krishti.