Solt-Lejk-Siti, SHBA – Shenjtorët e ditëve të mëvonshme në të gjithë Zonën e Europës iu bashkuan miliona njerëzve në mbarë botën për të marrë pjesë në Konferencën e Përgjithshme të Prillit 2026 të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, të zhvilluar më 4–5 prill 2026.
Presidenti Dallin H. Ouks, President i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, përshëndet me dorë pjesëmarrësit në Qendrën e Konferencave në Solt-Lejk-Siti të Jutës, SHBA.
Pjesëmarrësit në Qendrën e Konferencave japin votën e tyre mbështetëse për Presidentin e sapothirrur të Kishës, Presidentin Dallin H. Ouks.
Pjesëmarrësit mblidhen në korridoret e Qendrës së Konferencave.
Pjesëmarrësit mblidhen jashtë Qendrës së Konferencave.
Pjesëmarrësit enden në rrethinat e Sheshit të Tempullit midis sesioneve.
Anëtarët e Kishës nga Lisbona në Lviv, nga vendet nordike në Ballkan, u lidhën nëpërmjet satelitit, platformave digjitale dhe shtëpive vendore të mbledhjeve për të dëgjuar mesazhe të përqendruara te Jezu Krishti, dishepullimi personal dhe gjetja e shpresës në kohë sfiduese.
“Nëse doni të ndiheni të qëndrueshëm shpirtërisht, të keni një ndjesi përkatësie hyjnore dhe të shkaktoni një ndryshim real në botë, ju ftoj të ndiqni Shpëtimtarin dhe të jepni shërbesë në emrin e Tij”, – shpalli Motra Kristin M. Ji, këshilltare në Presidencën Globale të Shoqatës së Ndihmës, organizata 180-vjeçare e Kishës për gratë.
Folësit trajtuan tema shpirtërore dhe praktike që kumbojnë thellë tek individët, familjet dhe komunitetet në të gjithë Europën, nga orientimi në shoqëritë që ndryshojnë me shpejtësi deri te forcimi i besimit brenda mjediseve gjithnjë e më laike.
“Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne japim dëshmi për Të kurdoherë që ndajmë dashurinë e Tij me të gjithë njerëzit përreth nesh − dhe e ndihmojmë atë dashuri të hedhë rrënjë te çdokush që takojmë”, – dëshmoi Plaku Zherald Kosé, Apostull i Kishës i thirrur së fundmi, i lindur në Francë, i cili përfundoi një vizitë nëpër Europë vetëm disa muaj më parë.
Udhëheqësit theksuan mënyra të thjeshta dhe kuptimplota për ta jetuar ungjillin çdo ditë, duke i inkurajuar anëtarët të ankorohen te Krishti nëpërmjet studimit të shkrimeve të shenjta, lutjes, frekuentimit të tempullit, aty ku është në dispozicion, dhe dhënies së shërbesës.
“Ndërsa lutemi vazhdimisht, pavarësisht nga rrethanat e jetës, Zoti do të na ofrojë paqen dhe përkrahjen e Tij të qëndrueshme”, – premtoi Presidenti Henri B. Ajring, këshilltar në Presidencën e Parë, trupa drejtuese e Kishës.
Gjatë konferencës, udhëheqësit e Kishës riorganizuan udhëheqjen e programit global të fëmijëve, të njohur si Fillorja, duke thirrur Rozmari K. Çibotën si Presidente, Nina M. Garfilldin dhe Tereza A. Kollinsin si këshilltare.
Dy Të Shtatëdhjetë Zonalë të rinj, udhëheqës vendorë që ndihmojnë në përkrahjen e zonave të caktuara në mbarë botën, u thirrën në Europë. Një në Francë, Hikombo Hitoto. Vëllai Hitoto kishte shërbyer si president i kunjit të Parisit Jugor në Francë. Ai dhe bashkëshortja e tij, Valeria, janë prindër të gjashtë fëmijëve. I dyti në Finlandë, Heri J. Millila, 51 vjeç. Vëllai Millila aktualisht po shërben si president kunji i kunjit të Helsinkit në Finlandë. Ai dhe bashkëshortja e tij, Marju, janë prindër të tre fëmijëve.
Muzika nga konferenca, veçanërisht përzgjedhjet muzikore që theksojnë besimin, shpresën dhe dishepullimin, kumbuan fuqishëm tek anëtarët në shumë kultura.
Motra Laura Eçarri Ermoso, një anëtare e Kishës nga Spanja u ftua të këndonte në The Tabernacle Choir me famë botërore ndërsa kori shoqëronte sesionet. “Të kënduarit me The Tabernacle Choir më afron më pranë Jezu Krishtit. Unë mund ta ndiej dashurinë e Tij dhe vërtetësinë e premtimeve të Tij ndërsa këndoj me zemër. Muzika e shenjtë është një dhuratë nga Ati ynë Qiellor. Ajo sjell Shpirtin e Shenjtë në jetën tonë me fuqi të madhe”, – tha ajo.
Ndërsa konferenca përfundoi, udhëheqësit i ftuan të gjithë të veprojnë sipas mesazheve që morën dhe të kërkojnë udhërrëfim vetjak për muajt në vijim.
“Të jetuarit e lajmit të Krishtit të ringjallur dëshmon për përkushtimin dhe dashurinë tonë për Shpëtimtarin. Mjaft mirë mund të ndodhë që veprat tona të vazhdueshme, të guximshme dhe të përulura të shërbimit e dashurisë për Perëndinë dhe për fëmijët e Tij do të flasin në mënyrë shumë më shprehëse e të fuqishme sesa do të mundnim ndonjëherë veç me fjalë”, – këshilloi Apostulli i lindur në Çeki, Presidenti Diter F. Uhtdorf, i cili kohët e fundit u thirr si President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, trupa e dytë drejtuese e Kishës.
Presidenti Dallin H. Ouks, profeti dhe udhëheqësi i Kishës, i ftoi të gjithë t’i lënë mënjanë dallimet, “si pasues të Krishtit, ne duhet të përpiqemi që të jetojmë në paqe dhe dashuri me fëmijët e tjerë të Perëndisë, të cilët nuk kanë vlerat tona dhe nuk kanë detyrimet e besëlidhjeve që ne kemi marrë përsipër. Në një qeveri demokratike, ne duhet të kërkojmë paanësi për të gjithë. Në rrethana të panumërta, dyshimet apo madje armiqësia ndaj të panjohurve, dalëngadalë ia lënë vendin miqësisë kur kontaktet vetjake prodhojnë respekt të ndërsjellë.”
Regjistrimet dhe transkriptimet e të gjitha sesioneve janë në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, në programin Gospel Stream dhe kanale të tjera zyrtare të Kishës.