Presidencën e Re të Zonës

image
Presidenca e Re e Zonës së Europës Qendrore − (në qendër) Plaku Xhek N. Xherard, (President), (majtas) Plaku Xhejms W. Mek‑Konki III dhe (djathtas) Plaku Majkëll Sizla.

Presidenca e Parë ka caktuar Plakun Xhek N. Xherard që të shërbejë si President i Zonës Qendrore të Europës. Plaku Xherard është pasuesi i Plakut Ruben V. Alliod, i cili e ka udhëhequr me besnikëri Presidencën e Zonës gjatë viteve të fundit. Plaku Xherard do të shërbejë me Plakun Xhejms W. Mek‑Konki III, i cili do të vazhdojë në rolin e tij si anëtar i Presidencës së Zonës, së bashku me Plakun Majkëll Sizla, të cilin e kanë caktuar t’i bashkohet presidencës.

Duke folur për kalimin në detyrën e re, Plaku Xherard shprehu mirënjohje për shërbimin e dhënë nga Plaku Alliod dhe bashkëshortja e tij, Fabiana, si dhe tregoi entuziazëm për mundësinë e shërbimit me Plakun Mek‑Konki dhe Plakun Sizla.

“Zona e Europës Qendrore është bekuar me bollëk nga besimi, largpamësia dhe udhëheqja krishterore e anëtarëve të saj teksa Zoti e përshpejton veprën e Tij”, − tha Plaku Xherard. “Teksa shkojmë përpara, jemi të emocionuar që të vazhdojmë të ndërtojmë mbi atë themel dhe të punojmë së bashku për t’i ndihmuar individët dhe familjet që ta thellojnë besimin e tyre te Jezu Krishti.” Plaku Xherard theksoi se një pikë kyç e përqendrimit të Presidencës së Zonës Qendrore të Europës do të jetë objektivi i dishepullimit gjatë gjithë jetës.

“Dëshira jonë është që ta ndihmojmë çdo individ të afrohet më shumë me Shpëtimtarin gjatë një jete dishepullimi me besnikëri”, − tha ai. “Kjo ftesë gjen zbatim për të gjithë, pavarësisht se në cilën pikë janë në shtegun e besëlidhjeve ose nëse nuk kanë hyrë ende në shteg. Teksa i ftojmë të gjithë të vijnë te Krishti dhe i përkrahim udhëheqësit vendorë, miqtë dhe anëtarët në mbarë zonën, shpresojmë ta forcojmë besimin te Jezu Krishti, të nxitim të jetuarit kuptimplotë të ungjillit dhe t’i ndihmojmë njerëzit të përjetojnë gëzimin që vjen nëpërmjet bërjes dhe mbajtjes së besëlidhjeve të shenjta.”

Presidenca e re e filloi shërbimin më datë 1 gusht 2026.

Për Presidencën e Zonës së Europës Qendrore

Çdo Presidencë e Zonës shërben nën drejtimin e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe mban përgjegjësi për përkrahjen e udhëheqësve vendorë, forcimin e miqve dhe anëtarëve, frymëzimin e misionarëve dhe mbikëqyrjen e përpjekjeve bamirëse, të tempullit dhe për shtrirjen në komunitet në mbarë zonën.

Zona e Europës Qendrore përfshin një grup të larmishëm prej 37 shtetesh në të gjithë Europën dhe Azinë Qendrore, duke u shërbyer miqve dhe anëtarëve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në më shumë se 25 gjuhë. Duke punuar ngushtë me udhëheqësit vendorë të Kishës, Presidenca e Zonës synon të forcojë besimin te Jezu Krishti dhe të përkrahë misionin e Kishës në të gjithë rajonin.

Plaku Xhek N. Xherard u mbështet si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë në prill 2018. Përpara detyrës së tanishme, ai shërbeu në një larmi rolesh udhëheqëse në Kishë, përfshirë si drejtor ekzekutiv i Sektorit të Komunikimit të Kishës dhe në përgjegjësitë profesionale. Ai sjell një përvojë të gjerë në administrim, marrëdhënie me publikun dhe udhëheqje. Gjatë gjithë shërbesës së tij, Plaku Xherard ka theksuar rëndësinë e ftesës drejtuar të gjithëve për të ndërtuar besimin te Jezu Krishti, për të jetuar sipas besëlidhjeve dhe për të forcuar familjet. Ai dhe bashkëshortja e tij, Klodeta, janë prindërit e tetë fëmijëve.

Plaku Xhejms W. Mek‑Konki III u mbështet si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë në prill të vitit 2022. Ai ka përmbushur thirrje të shumta në Kishë, por asnjëra nuk ka pasur ndikim më të madh në jetën e tij sesa shërbimi në Çeki dhe Sllovaki si misionar në rini (1990-1992) dhe si president misioni (2013-2016). Që kur u bë anëtar i Presidencës së Zonës së Europës Qendrore në vitin 2024, ai ka punuar ngushtë me udhëheqësit vendorë në të gjithë zonën. Ai ka një vlerësim të thellë për pjesëtarët e brezit të ri dhe përpjekjet e tyre për t’u bërë dishepuj të Krishtit gjatë gjithë jetës. Plaku Mek‑Konki dhe bashkëshortja e tij, Lorela, janë prindërit e katër fëmijëve.

Plaku Majkëll Sizla u mbështet si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë në prill 2025. I lindur në Gjermani, ai ka shërbyer në shumë thirrje në Kishë, përfshirë si peshkop, president kunji, president misioni, I Shtatëdhjetë Zonal dhe në detyra të tjera udhëheqjeje në mbarë Europën. Plaku Sizla sjell një kuptueshmëri të thellë të kulturave dhe nevojave të Zonës së Europës Qendore dhe një zotim për t’u shërbyer të tjerëve gjatë gjithë jetës. Ai dhe bashkëshortja e tij, Margreta, janë prindërit e pesë fëmijëve.

Dishepullimi Gjatë Gjithë Jetës në Zonën e Europës Qendrore

Ndërsa Zona e Europës Qendrore sheh nga e ardhmja, Presidenca mbetet e përqendruar te përparësia profetike e ndihmës ndaj të gjithë individëve dhe familjeve që të bëhen dishepuj të Jezu Krishtit gjatë gjithë jetës.

Ky objektiv i nxit të gjithë ta forcojnë marrëdhënien e tyre me Shpëtimtarin nëpërmjet veprave të përditshme të besimit, lutjes, studimit të shkrimeve të shenjta, mbajtjes së besëlidhjeve dhe shërbimit krishteror. Ai pranon se dishepullimi nuk është një ngjarje e vetme, por një rrugëtim gjatë gjithë jetës për t’u bërë gjithnjë e më shumë si Jezu Krishti.

Duke u mbështetur në shembullin e dhënies së shërbesës një nga një që dha Zoti, Presidenca vazhdon t’i nxitë miqtë dhe anëtarët t’u qasen fqinjve, miqve dhe pjesëtarëve të familjes me dashuri, dhembshuri dhe miqësi të çiltër. Nëpërmjet këtyre përpjekjeve vetjake, individët mund të ndihmojnë të mblidhet Izraeli dhe të shpërndahet shpresa, paqja dhe gëzimi që gjenden në ungjillin e rivendosur.

Zona e Europës Qendrore gjithashtu vazhdon të dëshmojë rritje të konsiderueshme, ndërsa gjithnjë e më shumë miq adhurojnë me ne çdo të diel, organizohen njësi të reja dhe shtohen mundësitë për të shkuar në tempull. Ndërsa shpallen, ndërtohen ose përkushtohen tempuj të tjerë në të gjithë Europën, i nxitim miqtë të mësojnë më shumë rreth besëlidhjeve që do të bëhen brenda tyre dhe i ftojmë anëtarët ta vendosin adhurimin në tempull në qendër të rrugëtimit të tyre si dishepuj. Presidenca e Zonës ka theksuar se tempujt ofrojnë mundësi të shenjta për t’iu afruar më shumë Jezu Krishtit, për të forcuar familjet dhe për të gjetur forcë shpirtërore të qëndrueshme në një botë gjithnjë e më të koklavitur.