Presidenca e Re e Zonës së Europës Fillon Shërbimin

Duke hyrë në fuqi më 1 gusht 2017, Plaku Pol V. Xhonson do të fillojë shërbimin e tij si Presidenti i ri i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme për zonën e Europës. Plaku Geri B. Sebin do të shërbejë si Këshilltar i Parë dhe Plaku Masimo De Feo si Këshilltar i Dytë. Presidenca e re e zonës u njoftua në maj.

Area Presidency Announcement 1200x675.jpg

Administrimi i Kishës në mbarë botën lehtësohet duke përdorur zona gjeografike, aktualisht 25. Sot, Presidenca e Zonës së Europës kryeson mbi 480 000 anëtarë në më shumë se 1 300 bashkësi nëpër më shumë se 40 vende dhe 31 misione. Ka gjithashtu 13 tempuj, ose në funksionim ose në ndërtim apo rikonstruksion. Nën drejtimin e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, trupat më të lartë udhëheqës të Kishës, presidenca e re e zonës do t’u sigurojë drejtim shpirtëror dhe administrativ udhëheqësve dhe anëtarëve të Kishës në këtë rajon.

Plaku Pol V. Xhonson u mbështet si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme më 2 prill 2005. Ai ka shërbyer si komisioner i Sistemit Arsimor të Kishës, si anëtar i Presidencës së Zonës së Kilit dhe si administrator i arsimit fetar dhe arsimit fillor dhe dytësor. Plaku Xhonson ka shërbyer në një numër thirrjesh të Kishës, përfshirë misionar kohëplotë në Misionin e Oslos, Norvegji, këshilltar në një presidencë kunji, këshilltar i lartë, peshkop, president kuorumi pleqsh dhe president i Të Rinjve.

Plaku Xhonson u lind në Geinsvill të Floridës më 24 qershor 1954. Ai u martua me Xhill Uashbërnin në gusht të vitit 1976 dhe mori gradën e doktorit në teknologji instruktive në Universitetin Shtetëror të Jutës në 1989-ën. Ata janë prindër të nëntë fëmijëve.

Plaku Geri B. Sebin u thirr si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë në konferencën e përgjithshme të prillit 2016. Përpara asaj thirrjeje, ai shërbente si anëtar i Kuorumit të Pestë të Të Shtatëdhjetëve në Zonën Perëndimore të Amerikës së Veriut. Plaku Sebin ka shërbyer në thirrje të shumta në Kishë, përfshirë shërbimin si misionar kohëplotë në misionin Holandë/Belgjikë, president i kuorumit të pleqve, këshilltar i lartë, peshkop, mësues i Fillores, president i misionit të kunjit, këshillues i dhjakëve dhe mësuesve, drejtues i Skautistëve, president kunji dhe si I Shtatëdhjetë Zonal.

Plaku Sebin u lind në Provo të Jutës, më 7 prill 1954 dhe mban një diplomë pasuniversitare në menaxhim nga Universiteti i Stanfordit. U martua me Valeri Pjurdin në gusht të vitit 1976 dhe ata janë prindër të pesë fëmijëve.

Plaku Masimo De Feo u thirr si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë në konferencën e përgjithshme të prillit 2016. Përpara asaj thirrjeje, ai shërbente si anëtar i Kuorumit të Tretë të Të Shtatëdhjetëve në Zonën e Europës. Plaku De Feo ka shërbyer në thirrje të shumta në Kishë, përfshirë shërbimin si misionar kohëplotë në Misionin e Italisë në Romë, president dege, president distrikti, këshilltar në peshkopatë, këshilltar i lartë, president kunji dhe I Shtatëdhjetë Zonal.

Pas shërbimit si misionar kohëplotë, ai filloi karrierën e vet në marrëdhënie ndërkombëtare kur u mor në punë nga Departamenti i Shtetit i SHBA-ve dhe u akreditua pranë Ministrisë italiane të Punëve të Jashtme për mision diplomatik në Itali. Pas më shumë se 30 vitesh shërbimi, së fundi ai shërbeu si zëvendëszyrtar për përfitimet zonale federale i Administratës së Sigurimeve Shoqërore për Europën Jugore, Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme. Plaku De Feo u lind në Taranto të Italisë më 14 dhjetor 1960. Ai u martua me Loredana Galeandron në gusht të vitit 1984. Ata janë prindërit e tre fëmijëve.