Presidenca e Parë Vazhdon Sesionin e Mbrëmjes të së Shtunës të Konferencës së Përgjithshme

“Zhvillimi i këtij sesioni do të mundësojë që të jepen mësim më shumë tema të ungjillit dhe do t’u lejojë më shumë udhëheqësve të përgjithshëm që të japin fjalime në konferencë.”

Conference Center in Salt Lake City

Presidenca e Parë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u dërgoi sot, më 30 korrik 2021, letrën vijuese udhëheqësve të besimit kudo në botë.

Të dashur Vëllezër dhe Motra:

Një parim bazë i ungjillit është bekimi i zbulesës së vazhdueshme ku Zoti e zbulon vullnetin e Tij, “duke dhënë rresht pas rreshti, ide pas ideje; pak këtu e pak atje” (Doktrina e Besëlidhje 128: 21). Për shembull, formati dhe programi i konferencës së përgjithshme ka ndryshuar shumë herë përgjatë viteve. Disa sesione të konferencës së përgjithshme ishin hartuar për grupe të caktuara anëtarësh ose udhëheqësish, të tilla si sesioni për mirëqenien, sesioni i grave, sesioni i priftërisë dhe sesione të tjera ishin hartuar për të trajtuar tema që kishin lidhje me organizata të posaçme të Kishës.

Në qershor 2021, ne lajmëruam ndryshime për konferencën e përgjithshme të radhës ku sesioni i mbrëmjes të së shtunës nuk do të zhvillohej më. Ky vendim u bazua mbi ndryshimet në teknologji, të cilat bëjnë të mundur që të gjithë anëtarët dhe miqtë të shohin çdo sesion të konferencës së përgjithshme, duke përfshirë sesionin e grave dhe sesionin e priftërisë.

Ne i kuptojmë sfidat që po shtohen, me të cilat po përballen anëtarët e Kishës në kohën tonë. Një mënyrë e rëndësishme për t’u fortifikuar kundrejt këtyre sfidave, vjen nëpërmjet dëgjimit të fjalës së Perëndisë (shih Alma 31:5). Si rrjedhim, pas studimit e lutjeve të shtuara, morëm nxitjen për të vijuar me zhvillimin e sesionit të mbrëmjes të së shtunës të konferencës së përgjithshme, ndonëse në një format tjetër nga ai i së shkuarës.

Duke filluar nga konferenca e përgjithshme gjysmëvjetore e tetorit, sesioni i mbrëmjes të së shtunës do të vazhdojë. Të gjithë anëtarët dhe miqtë e Kishës janë të ftuar që ta shohin sesionin. Ky sesion nuk do të ketë një temë të caktuar, as nuk do të synohet për ndonjë grup të veçantë demografik apo të udhëheqjes. Zhvillimi i këtij sesioni do të mundësojë që të jepen mësim më shumë tema të ungjillit dhe do t’u lejojë më shumë udhëheqësve të përgjithshëm që të japin fjalime në konferencë.

E falënderojmë Zotin për drejtimin e Tij në këtë çështje. Ne shprehim dashurinë dhe vlerësimin tonë të thellë për anëtarët besnikë të Kishës në mbarë botën dhe e presim me padurim konferencën e përgjithshme, kur fjala e Zotit do të na jepet nëpërmjet shërbëtorëve të Tij.

Sinqerisht tuajt,

Presidenca e Parë

Rasëll M. Nelson
Dallin H. Ouks
Henri B. Ajring