Në këtë kohë të mrekullueshme të konferencës së përgjithshme, është privilegji ynë që të mbledhim bashkë udhëheqës të lartë të Kishës nga e gjithë bota për t’u dhënë udhëzime dhe për t’i njësuar përpjekjet tona për t’i sjellë fëmijët e Perëndisë më pranë ungjillit të Jezu Krishtit. Këtë mëngjes, në një sesion për udhëheqjen, Presidenca e Parë dha udhëzime mbi disa tema të rëndësishme. Kemi kënaqësinë t’u komunikojmë anëtarëve dhe miqve tanë disa mesazhe shumë pozitive nga ajo mbledhje.
Presidenti Rasëll M. Nelson reflektoi se, gjatë gjithë këtij viti që kaloi, Zoti na ka bekuar me “zbulesë pas zbulese … dituri pas diturie … ato që sjellin gëzim, ato që sjellin jetë të përjetshme”. Ne të gjithë jemi dëshmitarë okularë të zbulesave nga Zoti teksa Ai i drejton punët e Kishës së Tij. Presidenti Nelson dha mësim mbi dhënien e shërbesës dhe pendimin, duke thënë se, ndërsa e përqafojmë dhuratën e pendimit, do të ngrihemi e do të japim shërbesë në një mënyrë më të shenjtë dhe do t’i bëjmë shtëpitë tona qendra të mësimit të ungjillit. Izraeli do të mblidhet në të dyja anët e velit dhe ne do të ndihmojmë që bota të përgatitet për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.
Presidenti Dallin H. Ouks na udhëzoi se ungjilli i Jezu Krishtit na mëson t’i duam e t’i trajtojmë të gjithë njerëzit me dashamirësi dhe qytetari – edhe kur nuk jemi dakord me ta. Perëndia ua ka premtuar të gjitha bekimet atyre që përpiqen fort për t’i zbatuar urdhërimet e Tij dhe ne kemi një detyrë për t’i “mba[jtur] barrat e njëri‑tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta”. Ndërkohë që nuk mund ta ndryshojmë doktrinën e Zotit, dëshirojmë që rregullorja jonë dhe anëtarët tanë dhe të jenë të vëmendshëm ndaj atyre që po mundohen nga sfidat e vdekshmërisë. Në fjalën e tij, Presidenti Ouks dha informacion rreth ndryshimeve në rregulloret e Kishës të kohëve të fundit në lidhje me anëtarët që janë lesbike, gej, biseksualë dhe transgjinorë. (Më poshtë përfshihet më tepër informacion mbi atë lajmërim.)
Presidenti Henri B. Ajring foli rreth zbulesës së vazhdueshme në Kishën e vërtetë e të gjallë, duke dhënë mësim se Zoti ka udhëhequr me anë të zbulesës nëpërmjet profetëve nga koha e Adamit dhe Evës deri në ditët e sotme dhe një zbulesë e tillë ndaj shërbëtorëve të Tij do të vazhdojë derisa Ai të vijë përsëri. Një arsye është se ne kemi nevojë për drejtim nga Zoti për t’iu përshtatur rrethanave që ndryshojnë dhe Ai ka udhërrëfyer për ndryshime në praktikë dhe në rregullore gjatë gjithë historisë së Kishës.
Ne lutemi që këto mësime të merren me po të njëjtën frymë në të cilën ne i morëm nga Zoti dhe ua kemi shpërndarë udhëheqësve tanë – si udhëzime pozitive dhe frymëzuese që do të bekojnë shumë jetë. Me mirënjohje ne e pranojmë udhërrëfimin e vazhdueshëm dhe dashurinë e Perëndisë për të gjithë fëmijët e Tij dhe i ftojmë anëtarët tanë që ta përtërijnë zotimin e tyre për t’i ndjekur mësimet e Shpëtimtarit, Jezu Krisht për ta dashur Perëndinë dhe njëri‑tjetrin.
Sinqerisht,
Presidenca e Parë
Hollësi të komunikuara nga Presidenti Ouks
Nën drejtimin e Presidencës së Parë, Presidenti Ouks tha se duke hyrë në fuqi menjëherë, fëmijët e prindërve të cilët e identifikojnë veten si lesbike, gej, biseksualë apo transgjinorë mund të pagëzohen pa miratim nga Presidenca e Parë nëse prindërit që i kanë nën kujdestari japin leje për pagëzim dhe e kuptojnë edhe doktrinën që do t’i jepet mësim një fëmije të pagëzuar, edhe besëlidhjet të cilat do të pritet që ai ose ajo të bëjë.
Një prind ose prindërit joanëtarë (përfshirë prindërit LGBT) mund të kërkojë/në që foshnja e tij/tyre të bekohet nga një mbajtës i denjë i Priftërisë Melkizedeke. Këta prindër duhet të kuptojnë që anëtarët e bashkësisë do të vihen në kontakt me ta herë pas here dhe se, kur fëmija i cili është bekuar, të arrijë moshën 8‑vjeçare, një anëtar i Kishës do të vihet në kontakt me ta dhe të propozojë që fëmija të pagëzohet.
Më parë, Manuali ynë e karakterizonte martesën brenda së njëjtës gjini nga një anëtar si braktisje. Ndërkohë që ne ende e konsiderojmë një martesë të tillë si një shkelje e rëndë, ajo nuk do të trajtohet si braktisje për qëllimet e disiplinës së Kishës. Në vend të kësaj, sjellja e pamoralshme në marrëdhëniet heteroseksuale ose homoseksuale do të trajtohet në të njëjtën mënyrë.
Rregulloret shumë pozitive të njoftuara këtë mëngjes duhet t’i ndihmojnë familjet e ndikuara nga kjo. Përveç kësaj, përpjekjet e anëtarëve tanë për të shfaqur më tepër mirëkuptim, dhembshuri dhe dashuri duhet ta shtojnë respektin dhe mirëkuptimin mes të gjithë njerëzve dashamirës. Duam ta zvogëlojmë urrejtjen dhe grindjet që janë kaq të zakonshme sot. Jemi optimistë që shumë njerëz – cilatdo qofshin bindjet e tyre fetare dhe orientimet e tyre – janë të përmalluar për më shumë mirëkuptim dhe më pak komunikime me grindje. Kjo është pa dyshim dëshira jonë dhe kërkojmë ndihmën e anëtarëve tanë dhe të të tjerëve për ta përmbushur atë.
Këto rregullore të reja po u dërgohen udhëheqësve të priftërisë në mbarë botën dhe do të përfshihen në përditësimet në internet të Manualit të Kishës për udhëheqësit. Këto ndryshime nuk përfaqësojnë një devijim në doktrinën e Kishës lidhur me martesën ose urdhërimet e Perëndisë për sa i përket dëlirësisë dhe moralshmërisë. Doktrina e planit të shpëtimit dhe rëndësia e dëlirësisë nuk do të ndryshojnë. Këto ndryshime në rregullore vijnë pas një periudhe të zgjatur këshillimi me Vëllezërit tanë në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve dhe pas lutjesh të zjarrta e të bashkuara për ta kuptuar vullnetin e Zotit mbi këto çështje.