Presidenca e Parë dhe Apostujt mbi 70 Vjeç Bëjnë Vaksinën kundër COVID‑19

Kisha ka ndihmuar për imunizimin e gati 117 milionë njerëzve që nga viti 2002

Presidenca e Parë dhe Apostujt mbi 70 Vjeç Bëjnë Vaksinën kundër COVID 19 © 2021 by Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved.

Tetë udhëheqës të lartë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme bënë dozën e parë të vaksinës kundër COVID‑19 të martën në mëngjes në Solt‑Lejk‑Siti. Këta udhëheqës u kualifikuan për vaksinën në Jutë pasi janë mbi 70 vjeç. Punonjësit e kujdesit shëndetësor, personeli në vijën e parë dhe marrës të tjerë me përparësi të lartë në shtet patën mundësinë të vaksinoheshin javët e fundit.

Ata të cilët e bënë vaksinën, ishin që të tre anëtarët e Presidencës së Parë dhe pesë anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe shumica e bashkëshorteve të tyre: Presidenti Rasëll M. Nelson dhe bashkëshortja e tij, Uendi; Presidenti Dallin H. Ouks dhe bashkëshortja e tij, Kristen; Presidenti Henri B. Ajring; Presidenti M. Rasëll Ballard; Plaku Xhefri R. Holland dhe bashkëshortja e tij, Patrishia; Plaku Diter F. Uhtdorf dhe bashkëshortja e tij, Harieta; Plaku Kuentin L. Kuk dhe bashkëshortja e tij, Meri; dhe Plaku D. Tod Kristoferson dhe bashkëshortja e tij, Kethi.

President Russell M. Nelson and his wife, Wendy, and President Dallin H. Oaks and his wife, Kristen. © 2021 by Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved.

Deklarata e Presidencës së Parë për Vaksinimet

Presidenca e Parë lëshoi deklaratën në vijim ditën e martë rreth rëndësisë së vaksinimeve dhe imunizimit kundër sëmundjeve të parandalueshme:

“Me fjalë dhe vepra, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme i ka përkrahur vaksinimet për breza të tërë. Si një komponent spikatës i përpjekjeve tona humanitare, Kisha ka financuar, shpërndarë dhe administruar në të gjithë botën vaksina për shpëtimin e jetës. Vaksinimet kanë ndihmuar për të frenuar ose eliminuar sëmundjet shkatërruese ngjitëse, të tilla si poliomieliti, difteria, tetanosi, lija dhe fruthi. Vaksinimet e administruara nga profesionistë mjekësorë kompetentë e mbrojnë shëndetin dhe të shpëtojnë jetën.

Ndërsa kjo pandemi u përhap në të gjithë botën, Kisha menjëherë anuloi mbledhjet, mbylli tempujt dhe kufizoi veprimtaritë e tjera për shkak të dëshirës sonë për të qenë qytetarë të mirë të botës dhe për të bërë pjesën tonë për ta luftuar pandeminë.

Tani, vaksinat kundër COVID‑19 për të cilat shumë njerëz kanë punuar, janë lutur dhe kanë agjëruar, po krijohen dhe disa janë duke u siguruar. Sipas orientimeve të lëshuara nga drejtues vendorë të shëndetësisë, vaksinimet iu ofruan fillimisht punonjësve të kujdesit shëndetësor, personelit të vijës së parë dhe marrësve të tjerë me përparësi të lartë. Për shkak të moshës së tyre, udhëheqësit e lartë të Kishës me moshë mbi 70 vjeç tani e mirëpresin mundësinë për t’u vaksinuar.

Ndërsa vihen në dispozicion mundësitë e përshtatshme, Kisha i nxit anëtarët, punonjësit dhe misionarët e saj që të jenë qytetarë të mirë të botës dhe të ndihmojnë për ta shuar pandeminë duke ruajtur veten dhe të tjerët nëpërmjet imunizimit. Individët janë përgjegjës për të marrë vetë vendimet e tyre në lidhje me vaksinimin. Gjatë marrjes së atij vendimi, ne rekomandojmë që, atje ku është e mundur, ata të këshillohen me një profesionist mjekësor kompetent për rrethanat dhe nevojat e tyre personale.”

3 © 2021 by Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved.

Përkrahja prej një Kohe të Gjatë e Imunizimit nga Ana e Kishës

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e ka njohur rëndësinë e vaksinimeve dhe imunizimeve për dekada. Presidenca e Parë në vitin 1978 tha: “Ne i nxitim anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme që t’i mbrojnë fëmijët e tyre nëpërmjet imunizimit”.

Që nga viti 2002, përmes organizatës së saj humanitare Latter‑day Saint Charities [Organizata Bamirëse e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme], Kisha ka ndihmuar për financimin e 168 projekteve në 46 vende duke bekuar rreth 116 819 870 njerëz. Latter‑day Saint Charities u jep mbështetje monetare partnerëve globalë të spikatur për imunizimin që të sigurojnë dhe shpërndajnë vaksina, të mbikëqyrin sëmundjet, të reagojnë në raste shpërthimesh sëmundjesh, të trajnojnë punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe të zhvillojnë programin e eliminimit dhe çrrënjosjes. Rezultatet përfshijnë më shumë fëmijë të imunizuar dhe më pak jetë të humbura nga fruthi, rubeola, tetanosi te nënat dhe të porsalindurit, poliomieliti, diarreja, pneumonia dhe ethet e verdha.

Histori të dukshme suksesi të kohëve të fundit përfshijnë eliminim sëmundjesh në të gjithë Afrikën. Në vitin 2019, Latter‑day Saint Charities dhe partnerë si UNICEF USA dhe Kiwanis International ndihmuan në eliminimin e tetanosit te nënat dhe të porsalindurit në Çad dhe në Republikën Demokratike të Kongos. Në fund të vitit të kaluar, në saje të UNICEF‑it dhe partnerëve të tillë si Latter‑Day Saint Charities, Afrika çrrënjosi polivirusin e egër. Dhe në përgjigje ndaj një pandemie fruthi në Çad në vitin 2019, UNICEF‑i dhe partnerët e tij ndihmuan që të vaksinoheshin 635 535 fëmijë të moshave gjashtë muajsh deri në nëntë vjeç gjatë një periudhe njëjavore.

“Jam i lumtur që erdhi radha jonë për ta bërë këtë vaksinë”, tha të martën në mëngjes Presidenti Ouks. “Ne shpresojmë shumë që vaksinimi i përgjithshëm i popullatës do të na ndihmojë t’ia dalim me sukses kësaj pandemie të tmerrshme. Është shpresëdhënëse, ashtu si drita në fund të tunelit. Ekziston lehtësim dhe vlerësim për ata të cilët e kanë shpikur vaksinën dhe për ata që kanë bërë që ajo të jetë përgjithësisht në dispozicion në një sistem të ndjeshëm përparësie.”

4 © 2021 by Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved.