Europë 

Plaku Stivenson jep shërbesë në katër shtete nëpër Europën Qendrore 

Plaku Geri E. Stivenson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Motra Lisa Stivenson, kohët e fundit përfundoi një vizitë dhjetëditore për dhënie shërbese anembanë Europës, duke vizituar anëtarë dhe misionarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Holandë, Greqi, Bullgari dhe Itali më 17–27 tetor 2024. Në takime me anëtarë të Kishës anembanë rajonit, ai theksoi temën e fuqisë së ungjillit për të sjellë paqe në botën e sotme. 

Holandë 

Ndalesa e tij e parë ishte në Holandë, ku Plakut Stivenson iu bashkuan Plaku Xhek N. Xherard, i Presidencës së Zonës së Europës Qendrore, dhe Plaku Jup Bum, i Të Shtatëdhjetëve Zonalë, nga Holanda. Më 19 tetor, Plaku Stivenson u takua me misionarët në Misionin e Belgjikës dhe Holandës, në qytetin Breda, ku ai i lavdëroi për përkushtimin dhe zotimin e tyre që të jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit. Ai i nxiti që të gjejnë kurajë dhe gëzim në shpërndarjen e ungjillit, edhe kur përballen me sfida. “Ju mund të keni vetëbesimin te Zoti dhe të ndieni gëzim, edhe pse rrethanat mund të jenë të vështira”, – tha Plaku Stivenson, duke iu kujtuar misionarëve që të reflektojnë për forcë prej letrave të tyre fillestare të thirrjes. Në një mbledhje me udhëheqës vendorë nga zonat holandishtfolëse të Belgjikës dhe Holandës, ai dhe Plaku Xherard theksuan rëndësinë e besëlidhjeve në tempull dhe procesin e vazhdueshëm të kthimit vetjak në besim. Besëlidhjet janë premtime të shenjta midis Perëndisë dhe një personi ose një grupi njerëzish. 

Më 20 tetor, Plaku Stivenson u foli anëtarëve në një konferencë të veçantë kunji në Hagë lidhur me gëzimin që gjendet në të jetuarit si një popull i besëlidhjeve. Pas konferencës, ai i ftoi të rinjtë e të rejat që të takoheshin me të dhe Motrën Stivenson. Në përfundim të kohës së vet në Holandë, ai vizitoi Tempullin e Hagës në Holandë aty pranë, ku gjithashtu u takua me anëtarë dhe udhëheqës, duke i nxitur që të shkonin përpara me besimin dhe zotimin e tyre tek ungjilli i Jezu Krishtit. 

Greqi dhe Bullgari 

Plaku Stivenson më pas udhëtoi drejt Greqisë, i shoqëruar nga Plaku Xhejms W. MekKonki III, këshilltar i dytë në Presidencën e Zonës së Europës Qendrore, dhe udhëheqës të tjerë, ku ata u takuan me anëtarët dhe misionarët vendorë të Kishës. Në Athinë, më 22 tetor, një mbledhje e veçantë për misionarët filloi me një grumbullim të shkurtër në Aeropagun historik, ku Apostulli ofroi fjalë inkurajimi dhe lavdërimi: “Në një kohë kur shumë të rinj e të reja po heqin dorë nga feja e organizuar, është mbresëlënëse që të jemi me të rinj e të reja në moshë madhore, besnikë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, të cilët zgjedhin që të sakrifikojnë kohë për t’i shërbyer Zotit dhe për t’i ftuar të gjithë që të marrin ungjillin e Tij”, – vërejti ai.  

Instagram: https://www.instagram.com/garyestevenson/reel/DBoVM2wRERS/  

Në një mbledhje me anëtarët në Athinë, Plaku Stivenson theksoi rëndësinë e rimëkëmbjes dhe shpresës tek ungjilli, edhe mes sfidave të jetës. 

Në vazhdim të udhëtimit të tyre, Plaku dhe Motra Stivenson vizituan Bullgarinë, ku u takuan me misionarët dhe mbajtën një takim shpirtëror me anëtarët në Sofje më 23 tetor. Fjalët e tij nënvizuan rëndësinë e unitetit dhe të fuqisë mbështetëse të ungjillit për individët dhe familjet. 

Itali 

Në Itali, Plaku Stivenson u shoqërua nga Plaku Ruben V. Alliod, President i Presidencës së Zonës së Europës Qendrore, dhe Plaku Emanuel Petrinjani, I Shtatëdhjetë Zonal nga Italia. Plaku Stivenson bëri një vizitë të paharrueshme në Bari, ku u takua me Motrën Rozaria Valenti, e cila kohët e fundit kishte festuar ditëlindjen e saj të 101të. Motra Valenti, një anëtare e shtrenjtë dhe që ka shërbyer për një kohë të gjatë në Kishë, shprehu dëshminë e vet për Jezu Krishtin, duke e përshkruar Atë si “gjithçkaja ime”. Motrës Valenti iu paraqit ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit nëpërmjet bashkëshortit të bijës së saj, Leonardo Letinit, në prill të vitit 1984 dhe ajo u pagëzua anëtare e Kishës pak muaj më vonë. Pak kohë pas pagëzimit, një ngjarje e trishtuar e goditi jetën e saj: e bija, Anamaria, dhe tërë familja e vet, të cilët ia paraqitën ungjillin asaj, vdiqën në një aksident me makinë në vitin 1985. Humbja e pjesëtarëve të dashur të familjes së vet ishte një përvojë shumë e pikëlluar në jetën e saj. Fatmirësisht, familja ishte vulosur në tempull disa muaj më parë. Edhe Motra Valenti ishte vulosur vetëm disa muaj më parë, duke i dhënë asaj shpresën për një familje të përjetshme dhe për ribashkimin me të dashurit e saj pas kësaj jete përsëri e përgjithmonë. Duke reflektuar rreth shtëpisë së Zotit, ajo gjithmonë ka thënë se “në tempull kam mësuar më shumë rreth Perëndisë, Atit, dhe Jezu Krishtit dhe Ata janë bërë gjithçka për mua”. Plaku Stivenson e nderoi përkushtimin e saj gjatë gjithë jetës ndaj ungjillit duke i sjellë lule dhe duke i ofruar një bekim priftërie. Kjo mbledhje e veçantë e preku thellësisht Motrën Valenti dhe familjen e saj dhe shënoi një çast të gëzueshëm për bashkësinë e Kishës në Bari. 

Në Romë, Plaku Stivenson i foli një grumbullimi misionarësh dhe udhëheqësish të Kishës, duke u përqendruar te gëzimi i shërbimit dhe rëndësia e forcimit të Kishës anembanë Italisë. Më 27 tetor, ai e përfundoi vizitën e tij të dhënies së shërbesës me një konferencë kunji në Palermo, duke i sjellë së bashku anëtarët që të ndienin dashurinë e Zotit dhe unitetin e ungjillit. 

Gjatë gjithë vizitës, mesazhi i Plakut Stivenson vuri në dukje bekimet e kthimit në besim, të kurajës dhe mbajtjes së besëlidhjeve me Jezu Krishtin. Vizita e tij frymëzoi mijëra anëtarë dhe miq të Kishës, duke lënë një trashëgimi të besimit dhe unitetit të forcuar anembanë rajonit.