Solt‑Lejk‑Siti, Jutë

Plaku Patrik Kirën u Thirr në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve

Plaku Patrik Kirën është anëtari më i ri i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ai u thirr të enjten, më 7 dhjetor 2023 dhe u shugurua më vonë atë ditë nga Presidenti Rasëll M. Nelson dhe anëtarët e tjerë të Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

Plaku Patrik Kirën
Plaku Patrik Kirën.

“Thirrja në detyrën e shenjtë të Apostullit është një nga dëshmitë e dhëna botës për hyjninë e Zotit Jezus, Krishtit,” – tha Presidenti Rasëll M. Nelson, në kohën e thirrjes së tij për të shërbyer në atë detyrë në vitin 1984.

Përveç përgjegjësisë së tyre parësore për të qenë dëshmitarë të veçantë të emrit të Krishtit në mbarë botën, këta Apostujt kanë përgjegjësi të rëndësishme administrative në mbikëqyrjen e veprimtarisë dhe zhvillimin e një Kishe botërore. Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve është trupi i dytë më i lartë kryesues në qeverisjen e Kishës. Ata shërbejnë nën drejtimin e Presidencës së Parë, që përfshin Presidentin e Kishës dhe dy këshilltarë.

Plaku Kirën, i cili ka shërbyer si presidenti më i vjetër në detyrë në Presidencën e Të Shtatëdhjetëve që nga gushti 2020, zë vendin e lënë bosh, të krijuar nga vdekja e Presidentit M. Rasëll Ballard, i cili ndërroi jetë të dielën, më 12 nëntor 2023. Burri me kombësi britanike dhe irlandeze ka qenë një I Shtatëdhjetë Autoritet i Përgjithshëm që nga 3 prilli i vitit 2010.

“Kjo thirrje e shenjtë është me kaq shumë përgjegjësi dhe kaq shumë përulëse për mua,” – tha Plaku Kirën. “Do të më duhet ta vendos gjithë mirëbesimin tim te Shpëtimtari teksa përpiqem që të bëhem personi që Ai ka nevojë për mua që të jem dhe që ta shpërndaj dëshminë time për dashurinë dhe dritën e Tij. Begatia dhe hiri i Jezu Krishtit kanë sjellë gëzim të jashtëzakonshëm në jetën time, si edhe balsamin shërues në kohët e sprovës. E dua Atë. Do të përpiqem shumë që t’i shërbej Atij me më të mirën e aftësisë sime.”

Plaku Kirën, 62‑vjeçar, u rrit në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Lindjen e Mesme, ku babai i tij punoi në industrinë e sektorit të mbrojtjes. Në moshën 10‑vjeçare, ai frekuentoi një shkollë me konvikt në Angli ndërkohë që prindërit e tij qëndronin në Arabinë Saudite. Sprova domethënëse e asaj ndarjeje ushqeu ide dhe ndjesi afatgjata që kanë arritur të lenë gjurmë në shërbesën e tij.

“Sigurisht, në kaq shumë mënyra ne të gjithë jemi larg prej shtëpisë,” – u dha mësim njëherë Plaku Kirën studentëve të universitetit “Brigam Jang”. “Është e qartë metafora këtu për shtëpinë tonë të përjetshme. … Ati ynë i Amshuar nuk e ka lënë asnjërin prej nesh që të largohet nga shtëpia, të largohet nga prania e Tij, pa mundësinë për t’iu qasur dashurisë së Tij dhe udhërrëfimit të Tij – në çdo ditë të jetës sonë.”

Gjatë jetës së tij në moshë madhore, Plaku Kirën jetoi dhe punoi në Mbretërinë e Bashkuar, në Arabinë Saudite dhe në Shtetet e Bashkuara në një larmi industrish, përfshirë drejtimin e kompanisë së vet këshillimore mbi komunikimin.

Plaku Kirën arriti fillimisht te një kuptueshmëri për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme kur jetoi në Kaliforni me një familje shenjtorësh të ditëve të mëvonshme. Ai tha se ata “jetonin një ekzistencë plot gëzim, të bazuar te shërbimi”. Pak vite më vonë ai u takua me misionarët në një rrugë në Londër dhe përfundimisht u pagëzua Mbrëmjen në Vigjilje të Krishtlindjes në vitin 1987.

Dy vite pas pagëzimit të tij, Plaku Kirën u takua me Xhenifer Hulmin, një studente në universitetin “Brigam Jang”, në Provo. Ajo po vizitonte Londrën për një studim gjashtëmujor jashtë shtetit. Çifti u martua në Tempullin e Oklandit në Kaliforni në vitin 1991 dhe më pas jetoi në Angli për 19 vjet përpara zhvendosjes përsëri në Jutë kur ai u thirr si një I Shtatëdhjetë Autoritet i Përgjithshëm. Ata kanë katër fëmijë: Shonin (i cili vdiq në foshnjëri), Elizabetën, Suzanën dhe Emën.

Përpara thirrjes së tij si Autoritet i Përgjithshëm, detyrat në Kishë të Plakut Kirën përfshinë detyrën e Të Shtatëdhjetit Zonal, presidentit të kunjit dhe presidentit të degës.

Plaku Kirën do të mbështetet në konferencën e përgjithshme të prillit 2024.