Vizita 11‑ditore e dhënies së shërbesës në kontinentin europian e Plakut D. Tod Kristoferson, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, përfshiu Kopenhagën më datë 4 mars 2024, me një mbledhje me misionarët e Kishës që shërbejnë aktualisht në atë vend. Gjatë gjithë turneut në gjashtë vendet europiane, Plaku Kristoferson, i cili shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Katherinë Kristofersoni, dha një mesazh shprese dhe i ftoi anëtarët dhe miqtë e Kishës ta përqendronin jetën te mësimet e Jezu Krishtit dhe ta ndiqnin shembullin e Tij më ngushtësisht.

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, mirëpret misionarët që shërbejnë në shtetin e Spanjës, më datë 24 shkurt 2024. Ata u mblodhën në Madrid, për të ndjekur një konferencë të veçantë të tre misioneve të Kishës në Spanjë.


Plaku D. Tod Kristoferson, përshëndet një misionare në shtëpinë e mbledhjeve në qendrën e kunjit të Madridit, në Spanjë. Konferenca e veçantë e misionit me misionarët që shërbejnë në tre misionet e Kishës në Spanjë, qe mbledhja e parë e përfshirë në turneun 11‑ditor të dhënies së shërbesës që do të përfshinte gjashtë vende në Europë.


Plaku Kristoferson dhe Motra Kristoferson gjatë vizitës në zyrën e re të Kishës në Frankfurt‑mbi‑Majn, Gjermani, më datë 27 shkurt 2024.


Takimi shpirtëror me punonjësit e Kishës, në Frankfurt‑mbi‑Majn, Gjermani, më datë 28 shkurt 2024.


Plaku D. Tod Kristoferson takohet me Ministren e Kulturës dhe Medias të Qeverisë së Kroacisë, Znj. Nina Obuljen Korzhinek, në Zagreb, më datë 29 shkurt 2024. Zyrtarë të tjerë qeveritarë të rangut të lartë të kabinetit kroat qenë gjithashtu të pranishëm.


Plaku D. Tod Kristoferson përshëndet misionarët e Misionit të Adriatikut Verior të Kishës, të cilët qenë mbledhur në shtëpinë e mbledhjeve të Kishës në Zagreb, Kroaci, më datë 29 shkurt 2024, për një konferencë të veçantë misioni.


Nga e majta në të djathtë: Peter Borsosi, presidenti i Kunjit të Budapestit në Hungari, z. Lazlo Kisi, kryetari i bashkisë së Obuda-Bekashmegierit (Distriktit III të Budapestit) dhe Plaku D. Tod Kristoferson. Ata u takuan në bashkinë e Obudës për të diskutuar çështje që lidheshin me tempullin e ardhshëm të Kishës që do të ndërtohet në Budapest.


Peshkopi W. Kristofer Uadell, i Peshkopatës Kryesuese të Kishës, ndërvepron me një fëmijë në një institucion në Hungari, më 29 shkurt 2024. Kisha po e ndihmon këtë institucion që të vazhdojë t’u japë përkujdesje dhe përkrahje fëmijëve që kanë nevoja të veçanta.


Misioni i Hungarisë, Budapest, pozon përpara shtëpisë së mbledhjeve të Kishës në Pest, Budapest, më datë 1 mars 2024.


Plaku D. Tod Kristoferson u drejtohet misionarëve që shërbejnë në Misionin Alpin Gjermanishtfolës. Mbledhja ndodhi në Vjenë, më 2 mars 2024.


Plaku D. Tod Kristoferson ndërvepron me misionarët që shërbejnë në Misionin Alpin Gjermanishtfolës, më datë 2 mars 2024.


Pamje e bashkësisë së mbledhur në konferencën e veçantë të kunjit që u zhvillua në Vjenë, më 3 mars 2024. Punimet u transmetuan në mbarë vendin.


Plaku dhe Motra Kristoferson mirëpresin misionarët e Misionit të Danimarkës, Kopenhagë, të cilët qenë mbledhur në kryeqytetin e Danimarkës, më 4 mars 2024.


Misionarët e Misionit të Danimarkës, Kopenhagë, marrin pjesë në një konferencë të veçantë misioni me Plakun dhe Motrën Kristoferson, më datë 4 mars 2024.

Gjatë pjesës më të madhe të udhëtimit të dhënies së shërbesës, që përfshiu Austrinë, Kroacinë, Danimarkën, Gjermaninë, Hungarinë dhe Spanjën, me Plakun Kristoferson dhe Motrën Kristoferson u bashkuan Plaku Brent H. Nilson, i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, me bashkëshorten e tij, Marsia Nilsonin. Peshkopi W. Kristofer Uadell, Këshilltar i Parë në Peshkopatën Kryesuese, me bashkëshorten e tij, Karol Uadellin, u bashkuan gjithashtu me ata në pjesën më të madhe të mbledhjeve. Në këto vendndodhje të ndryshme, ata u takuan me anëtarë dhe misionarë të Kishës dhe i ftuan ata ta forconin besimin e tyre te Jezu Krishti dhe të bëheshin dishepuj më të zotuar.
Plaku Kristoferson gjithashtu zhvilloi mbledhje edhe me zyrtarë të qeverisë në shtetet e Kroacisë dhe Hungarisë. Më poshtë janë pikat kulmore të turneut të dhënies së shërbesës, me fotografi që tregojnë pjesën më të madhe të historisë.
Madrid, Spanjë
Mbledhjet e para u zhvilluan në shtëpinë e mbledhjeve të kompleksit të tempullit të Madridit, gjatë fundjavës së datave 24 dhe 25 shkurt 2024. Në këtë ndalesë të parë të turneut të dhënies së shërbesës, Plaku Ruben V. Alliod, Këshilltar i Parë në Presidencën e Zonës së Europës Qendrore, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Fabiana Alliodi, u bashkua me Autoritetet e Përgjithshme vizitore.
Fundjava përfshiu një mbledhje historike me tre misionet e Spanjës, një mbledhje me Këshilluesit e të Rinjve e të Rejave në Moshë Madhore nga shumica e vendeve të Zonës së Europës Qendrore dhe një takim shpirtëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore që u transmetua në të gjitha njësitë spanjishtfolëse në Zonën e Europës Qendrore.
Të dielën, Plaku Kristoferson kryesoi një konferencë të veçantë kunji për tre kunjet e Madridit. Edhe kjo mbledhje e veçantë u transmetua për rajonin e Madridit, ngaqë ndërtesa ka kapacitet të kufizuar, deri në 1 000 njerëz.
Frankfurt, Gjermani
Në Gjermani, Plaku Kristoferson, Plaku Nilson dhe Peshkopi Uadell zhvilluan mbledhje në zyrat qendrore të Kishës për Zonën e Europës Qendrore, në Frankfurt. Më datë 28 shkurt 2024 u zhvillua një takim shpirtëror i veçantë me punonjësit e Kishës që punojnë në Frankfurt dhe në mbarë Zonën. Një vizitë në ndërtesë dhe përkushtimi i saj nga Plaku Kristoferson, e përfunduan ndalesën në Gjermani.
Zagreb, Kroaci
Më datë 29 shkurt 2024, Plaku Kristoferson, i shoqëruar nga Plaku Nilson dhe Plaku Xhek N. Xherard, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Zonës së Europës Qendrore, së bashku me bashkëshorten e tij, Motrën Klodet Xherard, udhëtuan drejt kryeqytetit të Kroacisë, Zagrebit, për të zhvilluar një mbledhje të nivelit të lartë me Ministren e Kulturës dhe Medias të qeverisë së Kroacisë dhe me zyrtarë të tjerë.
Plaku Kristoferson shprehu mirënjohjen e tij për përpjekjet e bëra nga qeveria e Kroacisë gjatë pandemisë nga Covid-19 që u lejoi misionarëve të Kishës të udhëtonin dhe të shkonin në vendmbërritjet që u ishin caktuar në mbarë Europën.
Ai diskutoi me zyrtarët e qeverisë edhe për mënyrën se si Kisha dhe anëtarët e saj mund të japin ndihmesë për përmirësimin e shoqërisë në vend. “Ne folëm për synimet dhe interesat e qeverisë (kroate) dhe zbuluam se kishte shumë mënyra të ndryshme në të cilat ndiem se mund të bashkëpunonim, veçanërisht për ata që janë në nevojë të madhe”, – tha ai. Një konferencë misioni me Misionin e Adriatikut Verior u zhvillua më vonë në shtëpinë e mbledhjeve të Zagrebit.
Budapest, Hungari
Ditën në vijim, më datë 1 mars 2024, Plaku Kristoferson, Plaku Nilson dhe Plaku Xherard u takuan me kryetarin e bashkisë së Obudës në Budapest, Z. Lazlo Kis. Kisha ka blerë një pronë në distriktin e Obudës dhe po planifikon të ndërtojë në atë vend tempullin e ardhshëm të Budapestit në Hungari, i cili do të jetë tempulli i parë i Kishës në vend.
Në mbledhje, Plaku Kristoferson ia paraqiti Kishën kryetarit të bashkisë dhe i shpjegoi pse shenjtorët e ditëve të mëvonshme i konsiderojnë tempujt si shtëpi të Zotit. Mbledhja ishte “shumë e përzemërt dhe frytdhënëse”, – tha Plaku Kristoferson.
Pas mbledhjes në bashkinë e Obudës, grupi udhëtoi drejt shtëpisë së mbledhjes së Pestit për të zhvilluar një konferencë të veçantë me misionarët të cilët shërbejnë në Misionin e Hungarisë, Budapest. Peshkopi Uadell qe gjithashtu në Hungari dhe e shfrytëzoi mundësinë që të vizitonte një ditë më parë disa institucione që Kisha po i ndihmon në Hungari, si pjesë e përpjekjeve të saj për bamirësinë dhe mirëqenien në vend.
Vjenë, Austri
Fundjavën e 2‑3 marsit 2024, grupi udhëtoi drejt kryeqytetit të Austrisë, ku Plaku Kristoferson mori pjesë në një konferencë me misionarët që po shërbejnë në Misionin Alpin Gjermanishtfolës. Ai më pas kryesoi një mbledhje trajnimi me udhëheqësit e Kishës të Zonës së Europës Qendrore. E gjithë Presidenca e Zonës së Europës Qendrore qe e pranishme gjithashtu.
Plaku Kristoferson u intervistua edhe nga radioja Ö1. Ky stacion i radios është pjesë e ORF‑së, rrjetit të radiotelevizionit publik austriak. Të dielën në mëngjes, më datë 3 mars 2024, një konferencë e veçantë kunji u zhvillua në një hotel në qendër të Vjenës.
Konferenca e kunjit u transmetua në mbarë vendin. Një mesazh i qartë u dha nga Plaku Kristoferson në Vjenë. Ai tha se ata që “e përputhin jetën me mesazhin e Jezu Krishtit ndiejnë më tepër gëzim”. Ai pohoi edhe që “pendimi është gëzim për jetën tonë”.
Kopenhagë, Danimarkë
Më datë 4 mars 2024, ditën e fundit të vizitës së dhënies së shërbesës në kontinentin europian, Plaku Kristoferson udhëtoi drejt Kopenhagës për të zhvilluar një konferencë misioni me Misionin e Danimarkës, Kopenhagë. Mbledhja u zhvillua në qendrën e kunjit të Kishës.