Në Francë, ku shumë njerëz nuk besojnë në Perëndi ose nuk i përkasin një besimi fetar, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme po rritet.
“[Kisha po] përjeton një valë të madhe pagëzimesh në Francë në këtë moment”, − tha Plaku Zherald Kosé, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, gjatë një vizite në Paris, të shtunën, më 21 shkurt 2026.
Ai dhe bashkëshortja e tij, Valeria, filluan një shërbesë disa ditore nëpër Europë dhe do të kalojnë disa ditë në rrethinat e Parisit, ku jetonin dikur dhe ku ai shërbeu si udhëheqës vendor i Kishës për shumë vite. Atyre iu bashkua Plaku Ruben V. Alliod, President i Zonës së Europës Qendore, dhe bashkëshortja e tij, Fabiana.
Në mbledhje të ndryshme në zonën e Parisit, ku Plaku Kosé foli, disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme të pagëzuar kohët e fundit treguan atë që i tërhoqi për te Kisha e Jezu Krishtit.
“Ndieva një mesazh paqeje dhe dashurie”, − tha Agustin Lemblé, i cili u pagëzua në mes të shkurtit. “Madje përpara se të merrja Frymën e Shenjtë, e dija tanimë se ky ishte vendi ku nevojitej të isha. Kam dëshminë që ky është vendi i duhur.”
Sesila Alves de Freitas, e cila u pagëzua në korrik të vitit 2025, shprehu: “Jam vërtet mirënjohëse që Plaku Kosé foli rreth faktit që nevojitet të jemi drita në këtë botë dhe nevojitet ta mbartim Jezusin me ne çdo ditë — jo veç të dielave”.
Robin Gael Buaniku, i cili u pagëzua para një jave, tha: “E kuptova që është Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit. Po kërkoja për një kishë të vërtetë, një të vërtetë reale dhe se cilët jemi në të vërtetë, në mënyrë të thellë dhe sapo e kuptova që jemi në Kishën e Jezu Krishtit. Është një bekim i vërtetë për mua.”
Plaku Kosé theksoi rëndësinë e angazhimit vetjak dhe unitetit brenda Kishës.
“E ndiej këtë Shpirt që na bashkon, nëpërmjet Krishtit dhe për Krishtin”, − u tha ai në një konferencë kunji bashkësive të Parisit jugor, të dielën, më 22 shkurt. Ai tha se ky angazhim ushqehet me anë të leximit të shkrimeve të shenjta, veçanërisht të Librit të Mormonit. Ai tha se ka një dëshmi të veçantë për këtë libër të shenjtë, pasi e ka lexuar shumë herë.
“Ndonëse ishte kushedi e sata herë e imja që e lexoja Librin e Mormonit, e rizbulova atë në një dritë të re”, − tha Plaku Kosé. “Mund të pohoj se mesazhi qendror i Librit të Mormonit është të rivendosë kuptimin e vërtetë të rolit thelbësor të Jezu Krishtit për shpëtimin dhe ekzaltimin. Nuk ka asnjë libër tjetër në botë që jep një kuptim kaq të pastër dhe të qartë të planit të shpëtimit dhe të rolit të Krishtit.”
Si Apostull (ai u thirr në nëntor 2025), jeta e tij i përkushtohet Shpëtimtarit. Detyra e tij parësore është të japë dëshmi për emrin e Jezu Krishtit.
“Thirrja e Apostullit është e shenjtë dhe jashtëzakonisht e rëndësishme në Kishë”, − tha Plaku Kosé. “Apostujt janë përherë vëllezërit tuaj. Jemi krenarë t’ju quajmë vëllezërit dhe motrat tona në ungjill. Kjo gjë nuk do të ndryshojë kurrë. … Valeria më vuin në dukje që është pjesë e rolit tim si Apostull të shpreh dashamirësi në emër të Jezu Krishtit. Kjo nuk ka të bëjë thjesht me dhënien e fjalimeve, por edhe me pasjen e të njëjtit lloj kontakti që pati Krishti me secilin person individualisht.”
Gjatë mesazheve të tij, Plaku Kosé i nxiti anëtarët që të vazhdonin t’u shërbenin njerëzve rreth e qark vetes dhe të forconin komunitetet e tyre. Ai i kujtoi gjithkujt se rritja shpirtërore ka të bëjë me besimin që jetohet përditë.
“Mënyra më e mirë për ta paraqitur Kishën, është përmes anëtarëve të saj”, − tha ai. “Kisha jeni ju, vëllezërit dhe motrat e mia.”
Apostulli solli në kujtesë ftesën e Presidentit Rasëll M. Nelson për të përdorur emrin e Kishës së dhënë përmes zbulesës: Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
“Ai përcakton se cilët jemi, që ne jemi Kisha e Krishtit në tokë, e cila mbledh dishepujt që Ai ka zgjedhur për këto ditë të fundit”, − tha ai.
Ky udhëtim në Francë është një çast përvojash të thella shpirtërore, si për ata që marrin pjesë, edhe për çiftin Kosé. Ata po ecin në gjurmët e historisë së tyre, duke rigjetur fytyra të njohura dhe duke dhënë dëshminë e tyre për Krishtin në një zonë që po sheh një rritje domethënëse të Kishës.