Plaku Zherard Kosé tha të premten se ruajtja dhe përkujdesja për planetin Tokë dhe fëmijët e Perëndisë është “një shprehje e dashurisë për Krijuesin tonë dhe një pasqyrim i mirënjohjes sonë të sinqertë për Të”.
Anëtari më i ri i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, nga kompleksi i Universitetit “Brigam Jang” në Provo të Jutës, u foli rreth përkujdesjes për krijimet e Perëndisë qindra njerëzve të mbledhur për dy konferenca të veçanta, njëra për kujdestarinë mjedisore dhe tjetra për kujdestarinë për t’u kujdesur për njerëzit në nevojë.
Ftesa e Plakut Kosé ndaj të pranishmëve ishte e thjeshtë.
“Është një ftesë për të vepruar”, – tha francezi i lindur në Bordo. “Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne kemi një detyrë të shenjtë për ta mbajtur flakën e dashurisë së Perëndisë të ndezur zjarr në zemrat tona dhe për ta lejuar dritën e saj të shkëlqejë brenda komuniteteve tona. Zoti na kërkon të jemi të vetëdijshëm për botën më të gjerë përreth nesh, diçka që është më e mundshme se kurrë më parë në epokën tonë plot mundësi lidhjeje, ndërkohë që qëndrojmë dhe përfshihemi aktivisht në vendet ku jetojmë e shërbejmë.”
Ai foli rreth disa prej përparësive të Kishës për qëndrueshmërinë mjedisore. Për shembull, në fushën e energjisë së ripërtëritshme, Kisha ka mbi 800 godina që e prodhojnë energjinë nga panelet diellore në godinë. Këto projekte janë në 45 shtete; dhe janë miratuar për ndërtim të paktën 100 projekte të tjera. Ai gjithashtu vuri në dukje se UBJ–Havai është pothuajse në fazën e përfundimit me mikrorrjetin diellor që do t’i japë energji elektrike tërë kompleksit universitar, Tempullit fqinj të Laies dhe Qendrës Kulturore Polineziane.
Përveç pakësimit të mbetjeve dhe kursimit të fondeve të shenjta të së dhjetës, ky përqendrim tek energjia e ripërtëritshme përmirëson mundësitë për arsimim dhe të jetuar të shëndetshëm për shumë njerëz, tha Apostulli.
“Për shembull, në shumë vende në zhvillim, përdorimi në rritje nga Kisha i energjisë diellore, i ndërthurur me bateritë rezervë dhe internetin satelitor, i lejon shtëpitë tona të mbledhjeve që të shndërrohen në klasa virtuale gjatë gjithë javës”, – tha ai. “Programi UBJ–Pathway, i cili pritet të arrijë 100 000 studentë të regjistruar këtë vit, po rritet me të shpejtë pjesërisht falë kësaj teknologjie, ashtu siç po rriten klasat e mbështetjes te vetja të cilat japin mësim gjëra të tilla si edukimi financiar, si të fillohen biznese të reja, praktikat e mira shëndetësore dhe të ushqyerit siç duhet.”
Plaku Kosé gjithashtu vuri në dukje përqendrimin e Kishës te shmangia e mbetjeve materiale. Përveç riciklimit në masë të letrës që ndodh në qendrën kryesore të shtypjes në letër në Solt-Lejk-Siti, Kisha ka në funksionim dhjetëra dyqane me mallra të përdorura të rrjetit Deseret Industries, ku riciklimi dhe shitja e mallrave të dhuruara krijojnë mundësi trajnimi për punë, për mijëra njerëz që përballen me pengesa ndaj punësimit.
Gjithashtu, anembanë SHBA-së dhe Kanadasë, të gjitha mbetjet elektronike të Kishës nuk dërgohen në vendgrumbullimet e mbetjeve, por ose dhurohen, ose shpërbëhen dhe riciklohen.
“Në fakt”, – tha ai, – “shumë kompjuterë të përdorur përfundojnë në shtëpitë e studentëve të programit UBJ–Pathway në Afrikë, duke ndihmuar kështu që të hiqen pengesat ndaj fitimit të një arsimimi.”
Apostulli foli edhe për përpjekjet e Kishës për kursimin e ujit. Një shembull për këtë është njoftimi, nga fillimi i këtij viti, që Kisha do të instalonte kontrollues inteligjentë në më shumë se 3000 shtëpi mbledhjesh nëpër atë që njihet si “korridori i pionierëve” në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara, përfshirë në Ajdaho, Jutë, Arizonë dhe në pjesë të Nevadës, Uajomit e Montanës. Kisha po e përshpejton instalimin e këtyre sistemeve, me gati 1800 sisteme të planifikuar deri në fund të vitit.
Ai gjithashtu vuri në dukje përpjekjet e Kishës për të mbrojtur Liqenin e Madh të Kripur të Solt-Lejkut. Në shtator, Kisha shpalli edhe një transaksion tjetër me Great Salt Lake Watershed Enhancement Trust [Trustin për Përmirësimin e Basenit të Liqenit të Madh të Kripur] që do ta furnizojë me më shumë ujë liqenin, një kontratë 10-vjeçare qiradhënieje e deri afro 9.1 milionë metrave kub ujë në vit.
“Jemi mirënjohës për përpjekjet e palodhshme të kaq shumë njerëzve që i vënë në zbatim zotësitë, talentet, zgjuarsinë, aftësinë krijuese dhe mjete të tjera të tyre për të trajtuar një problem kaq të ndërlikuar, përfshirë ata që janë këtu në UBJ, si dhe punonjës të tjerë të Kishës”, – tha Plaku Kosé. “Ne jemi të vetëdijshëm për ndërlikimet e shumta që lidhen me të ardhmen e Liqenit të Madh të Kripur dhe rrimë gati që të jemi pjesë e zgjidhjes, krah për krah të gjitha palëve të interesuara, të ndryshme të komunitetit tonë.”
Përveç kursimit të ujit, Kisha përqendrohet tek ndihma ndaj njerëzve që të kenë qasje tek ujë i pastër. Një shembull është në Kiribati, ku, që nga viti 2022, Kisha dhe bashkëpunëtorët e saj humanitarë kanë ndërtuar pesë impiante shkripëzimi me energji diellore, të cilat sigurojnë sisteme të qëndrueshme uji nga ana mjedisore për gati 6000 banorë, për të ndihmuar në pakësimin e vdekshmërisë foshnjore.
“Udhëheqja zonale ka për qëllim të ndihmojë që të ndërtohen edhe 10 të tjera anembanë shtetit”, – tha Plaku Kosé. “Kjo është me të vërtetë një punë jetëshpëtuese.”
Fjalimi, i planifikuar javë më parë, nuk përbënte herën e parë që Plaku Kosé apo kolegë të tij nga Autoritetet e Përgjithshme ose Drejtues të Përgjithshëm, kanë folur mbi këtë temë të rëndësishme.
Në vitin 2023, për shembull, Plaku Kosé dhe Presidenti D. Tod Kristoferson, i Presidencës së Parë, folën rreth përkujdesjes për planetin Tokë në një konferencë në Brazil.
“Në të gjitha aspektet e kujdestarisë sonë tokësore, dashuria jonë për Perëndinë dhe dishepullimi ynë për Jezu Krishtin do të jenë një udhërrëfyes i sigurt dhe me siguri ne do të bëjmë mirë me të vërtetë në botë”, – tha Plaku Kristoferson. Ai gjithashtu tha se “ne duhet t’i përdorim bekimet tona tokësore për t’u shërbyer nevojave materiale dhe shpirtërore të të tjerëve në një mënyrë e cila u bën të mundur atyre të arrijnë ta njohin Perëndinë dhe t’i shërbejnë Atij dhe përfundimisht të trashëgojnë jetën e përjetshme.”
Më vonë në po atë vit, në Abu-Dabi, Plaku Patrik Kirën, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha se përkujdesja për planetin Tokë kërkon që çdo njeri të luajë rolin e vet.
“Një përpjekje e bashkuar, ku qeveritë, udhëheqësit fetarë dhe të komuniteteve, mediat, industria, studiuesit dhe familjet veprojnë së bashku, është mënyra për të arritur synimin fisnik të ripërtëritjes së planetit Tokë dhe familjes më të madhe njerëzore. E pranofshim këtë si një detyrim të shenjtë”, – tha Plaku Kirën.
Më herët sivjet, Presidentja e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, Kamill N. Xhonsoni, u dha mësim të rinjve e të rejave në moshë madhore anembanë botës që të “dallojnë lidhjen midis përkujdesjes për planetin Tokë dhe përkujdesjes për të afërmin tonë. Në përkujdesjen për planetin Tokë, zbukurimin e mjedisit tonë vendor dhe të ndihmuarit e komuniteteve tona që të bëhen më të qëndrueshme nga ana mjedisore, ne po veprojmë si kujdestarë të urtë të planetit Tokë për të bekuar jetën e të afërmve tanë.”
Teksa e mbaroi bisedën e tij në UBJ, të premten, Plaku Kosé dha mësim se dishepujt e Krishtit “thirren për t’i nderuar krijimet e Tij dhe për t’u kujdesur për to si dhe për t’i bekuar familjet tona, për t’i forcuar komunitetet tona dhe për t’i lartësuar moralisht njerëzit përreth nesh me dashuri”.
“Unë dëshmoj”, – vazhdoi ai, – “se Perëndia dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, jetojnë dhe na duan përsosurisht”. “Ata e krijuan këtë tokë si pjesë të një plani hyjnor për të na bekuar përjetësisht. Kur i ndjekim Ata dhe shërbejmë besnikërisht, ne do të gjemë gëzim të vërtetë dhe të përhershëm.”
Lexojeni fjalimin e plotë të Plakut Kosé: “Caring for God’s Creations” [“Përkujdesja për Krijimet e Perëndisë”].
Për të mësuar më shumë, vizitoni Environmental Sustainability in Church Operations [Qëndrueshmëria Mjedisore në Veprimet e Kishës].