29 korrik 2025 – Stamboll

Plaku Gong u Bën Thirrje Komuniteteve të Besimit që të Ndihmojnë për një Inteligjencë Artificiale të Sigurt, Etike dhe të Besueshme

Apostulli sugjeron tri mënyra se si udhëheqësit globalë të besimit mund të veprojnë për çështjet e përqendruara tek IA‑ja

Ndërsa merrte pjesë në Këshillin Botëror të Feve për Paqe në Stamboll, Republika e Turqisë, të martën, më 29 korrik 2025, Plaku Gerit W. Gong, një Apostull i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, iu drejtua udhëheqësve fetarë me temën “Besimi, Etika dhe Dinjiteti Njerëzor në një Epokë të Inteligjencës Artificiale (IA)”.

“Ndërsa hyjmë në një territor të paeksploruar teknologjik dhe etik, ne duhet, veçanërisht tani, ta përputhim shtrirjen eksponenciale, gjithëpërfshirëse të IA‑së me parimet etike dhe vlerat morale afatgjata të bazuara te besimi”, – tha Plaku Gong.

Apostulli tregoi tri pika rreth IA‑së, secila me një thirrje për veprim për udhëheqësit e besimit.

Së pari, ndihmojeni shoqërinë të kuptojë se IA‑ja nuk është dhe nuk mund të jetë Perëndi.

Plaku Gong deklaroi se trajnimi mbi IA‑në dhe burimet e të dhënave e kanë origjinën nga njerëzit, të cilët kanë pengesa dhe kufizime; vetëm Perëndia mund ta ofrojë të vërtetën e frymëzuar hyjnore.

“Ata të cilët kërkojnë ta hyjnizojnë IA‑në, mund të zbulojnë padashur një Kullë bashkëkohore të Babelit. Përpjekjet njerëzore për të krijuar utopi ose për të arritur qiellin, gjithmonë dështojnë.” Plaku Gong vazhdoi: “Për fëmijët e Perëndisë, platformat dhe teknologjitë nuk mund ta zëvendësojnë lidhjen dhe marrëdhënien autentike me Hyjnoren”.

Presidenti i Kishës, Rasëll M. Nelsoni, ka thënë: “Privilegji i marrjes së zbulesës është një nga dhuratat më të mëdha të Perëndisë për fëmijët e Tij”.

Së dyti, zgjidheni me vetëdije dhe përdoreni qëllimisht IA‑në si një mjet për mirë.

“Qëllimet dhe vlerat tona më njerëzore dhe humane … do të kenë nevojë për më të mirën që mund të japë trashëgimia jonë fetare dhe morale”, – tha Plaku Gong. Si udhëheqës fetarë, ne mund të “artikulojmë qëllimisht dhe të krijojmë një vizion për botën” që “nxit të mirën e përbashkët, duke përfshirë lulëzimin e njerëzimit dhe mbrothësinë e përbashkët”.

“Si udhëheqës fetarë, ne mund t’i ndihmojmë njerëzit tanë t’i parashikojnë, të përshtaten dhe t’i përdorin në mënyrë të dobishme ndryshimet e vazhdueshme të IA‑së. Ne nuk frikësohemi nga IA‑ja, as nuk mendojmë se IA‑ja do të jetë zgjidhja për gjithçka. Ne mund t’i ndihmojmë përkrahësit dhe bashkëbesimtarët tanë ta shohin IA‑në si një mjet të dobishëm që, i përdorur në mënyrën e duhur dhe të përshtatshme, mund të bekojë shumë aspekte të jetës së përditshme”, – tha Plaku Gong.

Së treti, mbështetni IA‑në etike, të sigurt dhe të besueshme.

Plaku Gong tha se busulla morale për IA‑në nuk duhet të diktohet vetëm nga teknologjia ose grupi i vogël që po zhvillon IA‑në.

“Edhe në një botë të ndikuar nga mendimi laik, jo vetëm besimtarët fetarë, por qytetarët kudo duan që udhëheqësit fetarë dhe moralë t’i ndihmojnë për t’i garantuar që IA‑ja të jetë e sigurt dhe e besueshme”, – tha Plaku Gong.

Apostulli bëri thirrje për një përpjekje ndërfetare me udhëheqësit dhe qytetarët në të gjithë industrinë, fushën kërkimore, organet qytetare e qeveritare dhe grupet pluraliste të bazuara te besimi “për t’i përputhur zhvillimet e IA‑së me parimet e qëndrueshme dhe vlerat morale”.

Vlerësimi i IA‑së nga Komuniteti i Besimit

Plaku Gong shpjegoi se si, duke punuar kolektivisht me të gjithë ata që janë angazhuar për një IA të sigurt dhe të përgjegjshme, “Vlerësimi i IA‑së nga Komuniteti i Besimit” mund të sigurojë një kontroll dhe ekuilibër shtesë të IA‑së. Një vlerësim i tillë mund të ketë dy qëllime të përqendruara. Së pari, për të ndihmuar që të garantohet që sistemet e IA‑së i portretizojnë personat fetarë dhe bindjet fetare me respekt dhe saktësi. Së dyti, të ofrojë grupe trajnimi të bazuara te besimi në mënyrë që modelet e IA‑së të mund të përfshijnë qëllime morale dhe etike, parime dhe përmirësim të vazhdueshëm të rendimentit.

“Në traditën e krishterë, Jezu Krishti shpall: ‘Unë jam udha, e vërteta dhe jeta’. Në ditët e ardhshme, le t’i bashkojmë përpjekjet tona më të mira për të përcaktuar mënyrat dhe të vërtetat që na ndihmojnë ta jetojmë jetën tonë më së miri me besim, etikë dhe dinjitet njerëzor në një epokë të inteligjencës artificiale”, – tha Plaku Gong.

Vizitë në Vendet Historike

Ndërsa ishte në Stamboll, Plaku Gong vizitoi Shën Sofinë (e njohur edhe si Ajasofia), një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO‑s, me specialistin e ligjit islam, profesorin Sami Ajub.

Apostulli gjithashtu kaloi kohë me profesorin Reçep Shentyrk në universitetin “Ibn Haldun”, i cili është pjesë e kompleksit historik të xhamisë Sulejmanie.