Plaku Gong Takohet me Anëtarë të Kishës dhe me Personalitete në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë

Plaku Gerit W. Gong takohet me udhëheqës kombëtarë, personalitete fetare dhe anëtarë të Kishës gjatë një vizite shërbestare anembanë Ballkanit

Gjatë një udhëtimi shërbestar në shumë shtete në qershor 2025, në Zonën e Europës Qendrore të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Plaku Gerit W. Gong, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i shoqëruar nga Motra Suzan Gong, vizituan shtetet e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Vizita e tyre theksoi bashkëpunimin humanitar, marrëdhëniet qeveritare, dialogun ndërfetar dhe përkrahjen shpirtërore – duke i lidhur komunitetet nëpërmjet vlerave të përbashkëta të familjes, shërbimit dhe respektit reciprok.

Plakut dhe Motrës Gong iu bashkuan Plaku Ruben V. Alliod, President i Zonës së Europës Qendrore të Kishës, me bashkëshorten e tij, Motrën Fabiana Alliod, dhe Presidenti dhe Motra Auras, udhëheqësit e misionit në atë rajon të Ballkanit.

Shqipëri: Theksimi i Lirisë Fetare dhe Përgjegjësisë Civile

Më 9 qershor 2025, në kryeqytetin Tiranë, Plaku Gong u takua me Znj. Silda Çepe, Zëvendësministren e Shqipërisë për Punët Europiane dhe të Jashtme. Bashkëbisedimi i tyre u përqendrua te synimi reciprok i ndërtimit të komuniteteve ku lulëzojnë liria fetare dhe përgjegjësia civile.

Plaku Gong shprehu vlerësimin e tij për përkrahjen e Shqipërisë lidhur me lirinë fetare dhe pohoi zotimin e Kishës për t’i ndihmuar individët të bëhen qytetarë të përgjegjshëm, të bindur ndaj ligjeve. Zëvendësministrja Çepe theksoi përkushtimin e saj për ta ruajtur këtë të drejtë thelbësore.

Më vonë, po atë ditë, Plaku dhe Motra Gong u takuan me më shumë se 370 anëtarë dhe miq të Kishës, të cilët u mblodhën në një vendndodhje në qendër të Tiranës. Në një takim shpirtëror, të ngrohtë dhe të mbushur me besim, Plaku Gong shprehu dashuri dhe inkurajim, duke i ftuar anëtarët që t’i forcojnë familjet e tyre, ta përkrahin njëri‑tjetrin dhe të vazhdojnë ta shpërndajnë dritën e ungjillit në komunitetet e tyre.

Maqedoni e Veriut: Përkrahje Mjekësore te Klinika Universitare në Shkup

Më 10 qershor 2025, Plaku Gong udhëtoi për në Shkup të Maqedonisë, ku ai vizitoi Klinikën Universitare për Sëmundjet Kirurgjikale “Shën Naumi i Ohrit”. Dhurimet e Kishës e kanë furnizuar këtë klinikë universitare me pajisje mjekësore jetëshpëtuese, përfshirë defibrilatorë dhe shtretër spitalorë me rrota që përdoren për shumë shërbime për pacientët. Përkrahja erdhi në një kohë vendimtare, pas një ngjarjeje tragjike që rezultoi në lëndimin e shumë njerëzve. Për shkak të këtyre dhurimeve, 29 pacientë morën përkujdesin thelbësor dhe u shëruan.

Spitali e nderoi Kishën me një pllakë përkujtimore në hyrjen e klinikës. Gjatë vizitës, Plaku Gong, së bashku me Plakun Ruben V. Alliod, të Të Shtatëdhjetëve, dhanë njoftimin e një dhurimi shtesë për të dyfishuar kapacitetin e sallës së urgjencave.

“Infermieret dhe doktorët këtu janë heronj të vërtetë”, – tha Plaku Gong, duke i falënderuar personalisht katër mjekët që kishin shërbyer pa u lodhur në javët e fundit. Shumë prej personelit kanë punuar atje për dekada, duke treguar përkushtim ndaj mirëqenies së komunitetit të tyre.

Më vonë, po atë ditë, Plaku Gong u takua me Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Z. Zoran Dimitrovski. Diskutimi i tyre theksoi bashkëpunimin e Kishës me institucionet vendore dhe theksimin e atij bashkëpunimi mbi rritjen e një rinie të përgjegjshme, që iu bindet ligjeve.

Presidenti i Misionit, Mihael Aurasi, tregoi se si misionarët e rinj në moshë bëhen ambasadorë kulturorë – duke mësuar gjuhën, duke respektuar traditat dhe duke farkëtuar lidhje afatgjata. Ministri Dimitrovski shprehu përkrahje për bashkëpunimin e vazhdueshëm midis Kishës dhe udhëheqësve vendorë, civilë e fetarë.

Atë mbrëmje, më shumë se 125 anëtarë dhe miq të Kishës u mblodhën në një hotel në qendër të Shkupit për një takim shpirtëror. Vizita e Plakut Gong solli inkurajim dhe shërbesë vetjake teksa ai i përshëndeti pjesëmarrësit individualisht, duke mësuar rreth jetës së tyre dhe duke ofruar këshillë lartësuese shpirtërisht.

Mesazhi i tij u përqendrua te katër ftesa personale: Përpiquni fort të jetoni ungjillin e Jezu Krishtit, shpërndajeni ungjillin dhe ftojini të tjerët të vijnë te Krishti, ndihmojini të varfrit e nevojtarët dhe, së fundi, bashkojini familjet në të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen për përjetësinë.

Plaku Gong gjithashtu foli për shërimin e marrëdhënieve familjare dhe nderimin e zotimeve të shenjta, një mesazh që kumboi thellësisht tek të gjithë të pranishmit.

Kosovë: Dialogu ndërfetar dhe takimi me Kryeministrin

Në Prishtinë, Plaku Gong u takua me Kryemyftiun e Kosovës, Sheikun Naim Tërnava, udhëheqësin shpirtëror të komunitetit islamik në atë shtet, për të diskutuar sfidat me të cilat përballet rinia në Kosovë, përfshirë shtimin e shkallës së vetëvrasjeve, varësinë dhe pasigurinë morale. Ata shqyrtuan mënyrat se si feja mund të sigurojë si themelin shpirtëror ashtu edhe mundësitë për të ardhmen.

Plaku Gong theksoi rëndësinë e të ndihmuarit të të rinjve e të rejave që ta jetojnë besimin e tyre ndërkohë që përfshihen pozitivisht në botën bashkëkohore. Ai paraqiti programe të Kishës, të tilla si UBJ‑Pathway Mbarëbotëror, të hartuara për të siguruar arsimim dhe shpresë për një të ardhme më të mirë, pa nevojën që të largohen nga shtëpia.

Gjatë një takimi me Kryeministrin e Kosovës, Z. Albin Kurti, Plaku Gong foli për shqetësime lidhur me ndikimin e inteligjencës artificiale dhe sfidat shoqërore të rinisë. Ata diskutuan për rëndësinë e identitetit të familjes, qartësisë morale dhe ndërtimit të komuniteteve të forta.

“Cilësia e asaj që del, varet nga cilësia e asaj që futet”, – tha Plaku Gong, duke këshilluar për inteligjencën njerëzore që të kultivohet në mjedise të forta familjare. Presidenti i degës vendore, Erjon Teli, demonstroi programin kompjuterik FamilySearch, duke theksuar rolin e tij në ruajtjen e historisë dhe të lidhjes familjare.

Plaku Gong e përfundoi vizitën e tij me një takim shpirtëror në Kosovë, që u frekuentua nga anëtarë dhe bashkëpunëtorë humanitarë. Mbrëmja u mbush me ngrohtësi, dëshmi dhe çaste vetjake ndërlidhjeje.

Një skenë veçanërisht emocionuese ndodhi kur Plaku Gong përshëndeti një të ri të verbër, butësisht duke i marrë duart e djalit drejt fytyrës së tij, duke e lejuar atë që të “shihte” nëpërmjet prekjes. Gjesti solli gëzim e nderim, duke kumbuar dhembshurinë që vërehet në shërbesën e Shpëtimtarit.

Motra Gong gjithashtu i foli publikut, duke u dhënë mësim rreth fuqisë së ndryshimit dhe besimit vetjak. Plaku Gong i ftoi misionarët që ta tregonin Vegimin e Parë në gjuhën vendore, më pas e nxiti çdo njeri që të jetë paqebërës dhe të gjejë gëzim nëpërmjet të jetuarit të parimeve të ungjillit.