Plaku Ulises Soares dhe bashkëshortja e tij, Rosana, u kthyen në Portugali këtë javë për herë të parë që nga koha kur udhëhoqën Misionin e Portos në Portugali dy dekada më parë. Vizita e tyre katërditore ishte një mundësi për të kujtuar, për t’u dhënë shërbesë 45 mijë shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në atë vend dhe për ta thelluar lidhjen e tyre të ndërsjellë me këtë tokë të paraardhësve të tyre.

“Gjithmonë ëndërroja për ditën kur do të kthehesha këtu dhe do të kisha të njëjtën ndjenjë që e pata kur isha president misioni”, – tha Plaku Soares, një vendas nga Brazili. “Por sot kjo është shumë më tepër. Është diçka që nuk mund ta përshkruaj kur pashë unitetin që është krijuar këtu midis anëtarëve, midis Kishës dhe midis udhëheqësve të Kishës.”
“Ndihem si në vendin tim”, – shtoi Motra Soares. “Është e mrekullueshme të kthehemi këtu, sepse unë kam gjak portugez në venat e mia.”

Plaku dhe Motra Soares e filluan misionin e tyre në verën e vitit 2000. Tre fëmijët e tyre ishin 13, 9 dhe 5 vjeç. Ata thanë se familja përjetoi mrekulli. Fëmijët e tyre gjetën shokë, dashuri dhe familje.
“Ishte kaq e mrekullueshme ngaqë fëmijët tanë shkonin shumë mirë me ta”, – tha Motra Soares. “Atyre u pëlqeu shumë të jetonin këtu dhe i deshën njerëzit, fëmijët, shkollën, fëmijët e Kishës. Ishte e mrekullueshme.”
Dhe Plaku Soares zbuloi më shumë për prejardhjen e tij portugeze.

Një ditë, pasi foli rreth prejardhjes së tij në një konferencë distrikti në Koimbra (qyteti ku kishte lindur njëri nga gjyshërit e tij), një person shumë i dhënë pas gjenealogjisë e pyeti Presidentin Soares për emrin e gjyshit të tij. Pak muaj më vonë, burri i paraqiti Apostullit të ardhshëm qindra emra të paraardhësve të tij që jetuan midis viteve 1600 dhe 1800. Emrat erdhën nga anale që nuk ishin në dispozicion në Brazil.
Kjo dhuratë e papritur, tha Plaku Soares, u pasua nga shenjtorët portugezë që i çuan ata emra në shtëpinë e Zotit në Madrid të Spanjës. Atje, në emër të atyre qindra njerëzve, anëtarë të përkushtuar të Kishës kryen ceremonitë e shenjta që Kisha e Jezu Krishtit beson se do t’i bashkojnë familjet përgjithmonë.
Kjo, tha Apostulli, vë në dukje zemërgjerësinë e popullit portugez.

“Ata janë të çiltër për ta ndihmuar e përkrahur njëri‑tjetrin”, – tha ai. “Ky burrë erdhi tek unë pa ndonjë kërkesë, por duke u përpjekur që të ndante dashurinë e tij me mua nëpërmjet punës së tij për historinë familjare. … Ajo ishte një nga mrekullitë e mëdha që përjetuam këtu në këtë vend.”
Plaku Soares tha se gjyshërit e tij i sollën me vete traditat e tyre portugeze kur imigruan për në Brazil. Njëra prej atyre traditave ishte mbledhja shpesh me familjen për çfarëdo rasti.

“Ishte e mrekullueshme të shihnim se si gjyshërit tanë e ruajtën kulturën e tyre duke e mbështetur njëri‑tjetrin dhe duke e përkrahur njëri‑tjetrin edhe jashtë vendit të tyre”, – tha Plaku Soares. “Ata krijuan atdheun e tyre të vogël atje në Brazil. Dhe ashtu u rrita unë. Ashtu u rrita nga prindërit e mi që ma sollën atë pjesë të kulturës së gjyshërve të mi.”
Prindërit e Plakut Soares u bashkuan me Kishën e Jezu Krishtit në vitin 1965, kur ai ishte 6 vjeç. Pa zhvendosjen e gjyshërve të tij për në Brazil, Plaku Soares mund të mos ishte takuar me Kishën deri të paktën në vitin 1975 kur Kisha u vendos në Portugali.
Plaku Soares ua jep meritën gjyshërve të tij nga nëna që ishin të krishterë të një feje tjetër, për kultivimin e zemrës besuese së nënës së vet, gjë që e përgatiti atë të bëhej një shenjtore e ditëve të mëvonshme.

“Dhe tani jam këtu, i kthyer në këtë vend të bukur ku lindi gjyshi im, duke ia shprehur dëshminë time për ungjillin e Jezu Krishtit këtij populli të mrekullueshëm”, – tha ai.
Në këtë vizitë domethënëse shërbestare, çifti Soares, i shoqëruar nga udhëheqës të tjerë të Kishës, preku zemrat e shumë shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe miqve të fesë në mbledhjet e veçanta me të rinjtë në moshë madhore beqarë dhe me misionarët.
“U lidhëm me rrënjët tona familjare këtu; gjyshërit tanë nga të dyja palët, si nga ana ime dhe nga ana e gruas sime, ishin portugezë”, – u shpjegoi Plaku Soares grupit të të rinjve e të rejave. Në frymën e një uniteti mbarëbotëror kulturash, Plaku Soares tha duke buzëqeshur: “Tani mund të thoni se njëri nga Apostujt e Jezu Krishtit është portugez, sepse mora nënshtetësinë time portugeze para tre vjetësh. Pra, tani jam një portugez i vërtetë.”

Në një mbledhje përfundimtare që u transmetua për bashkësitë anembanë vendit dhe kombit të ishullit të Kabo‑Verdes, Plaku Soares tha: “Me gjithë preokupimet tona, me gjithë sfidat, me gjithë sulmet prej kundërshtarit, si është e mundur që mund t’i mbijetojmë gjithë kësaj, t’i kapërcejmë sfidat tona dhe të jemi të lumtur? Vëllezër e motra, ftesa e Shpëtimtarit për ne është t’i kthejmë zemrat tona tek Ai. Kjo është mënyra se si të gjejmë lumturi në këtë jetë. ”

Plaku dhe Motra Soares thanë se u prekën nga mikpritja e ngrohtë që morën, dhe u kënaqën nga forca dhe besimi që dëshmuan mes vëllezërve dhe motrave të tyre portugeze.
“Gjithmonë lutemi që ungjilli do të shkojë kudo në këtë tokë”, – tha Motra Soares. “Gjithmonë lutem që do të arrijë vërtet në të gjitha pjesët e Portugalisë kështu që të gjithë njerëzit të kenë të njëjtin privilegj që e kemi ne, për ta dëgjuar dhe ndier bukurinë e ungjillit. Kemi një tempull në Portugali dhe ky është njëri nga bekimet më të mëdha që mund të kemi.”