Solt‑Lejk‑Siti, Jutë

Plaku dhe Motra Gong do të Flasin në Ditën e Zbulimit të Familjes në Konferencën RootsTech

Plaku Gerit W. Gong, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, dhe Motra Suzan Gong do të jenë folësit kyç për Ditën e Zbulimit të Familjes, ditën e fundit të konferencës RootsTech, në mbledhjen globale për historinë familjare që do të ndodhë nëpërmjet internetit dhe me pjesëmarrje fizike në datat 2–4 mars 2023.

Öldungur Gerrit W. Gong í Tólfpostulasveitinni og systir Susan Gong á gangi með fjarskyldum ættingja, James Lindsay
Plaku Gerit W. Gong, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe Motra Suzan Gong, ecin me kushëririn e largët Xhejms Lindsej në një arë ku ishin fermerë paraardhësit e tyre gjatë një paraqitjeje për Ditën e Zbulimit të Familjes në Konferencën RootsTech për vitin 2023.

Paraqitja e Plakut dhe Motrës Gong do të transmetohet të shtunën, më datë 4 mars, në orën 13:30 (sipas orës në zonën e shtatë orare), në RootsTech.org, RootsTech në YouTube, Broadcasts.ChurchofJesusChrist.org dhe në programin elektronik Gospel Library.

Çfarë Është Dita e Zbulimit të Familjes?

Konferenca RootsTech organizohet çdo vit nga organizata FamilySearch International dhe përkrahet nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme për t’i ndihmuar njerëzit të bashkohen dhe të marrin forcë nga familjet e tyre, në të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen.

Dita e Zbulimit të Familjes është një ngjarje njëditore gjatë konferencës RootsTech e hartuar veçanërisht për shenjtorët e ditëve të mëvonshme.

Tema e këtij viti në konferencën RootsTech është “Bashkimi”, bashkimi i njerëzve, traditave, historive, kujtimeve, teknologjisë, risisë, komuniteteve dhe familjeve.

“Nganjëherë mendojmë se vendimet tona ndikojnë vetëm te vetja jonë”, – tha Plaku Gong. “Zbulimi i familjes sonë na kujton të kundërtën. Ne jemi më të lidhur mes brezave nga sa mendojmë zakonisht.”

“Historitë që ruajmë dhe tregojmë brez pas brezi, mund të kenë një ndikim afatgjatë në zemrën dhe mendjen tonë”, – shtoi motra Gong. Ajo shpreson që zbulimi, dokumentimi dhe tregimi i historive familjare, do t’i ndihmojë njerëzit “të kenë vlerësim më të madh për mundimet, guximin, besimin dhe sakrificën e atyre që qenë para nesh”.

“Më pëlqen shumë fakti që aventurat e zbulimit të familjes nuk kanë një fillim ose një fund”, – tha Plaku Gong. “Këto aventura vazhdojnë në të dy drejtimet duke bashkuar familjen në të shkuarën dhe në të ardhmen.”

Regjistrimi për tri ditët e plota në RootsTech është i hapur tani në RootsTech.org. Miliona frekuentues nëpërmjet internetit dhe me prani fizike pritet të marrin pjesë në datat 2–4 mars 2023, për fjalime frymëzuese nga folës kyç, orë mësimore udhëzuese, teknologji që përbëjnë risi, dhe aftësinë për t’u lidhur me njerëz nga familja e tyre.

“Familjet janë themeli i shoqërisë”, – tha kreu ekzekutiv i organizatës FamilySearch, Steve Rockwood, tetorin e shkuar. “Lidhja dhe bashkimi i familjeve brez pas brezi i forcon individët dhe po ashtu kombet. Ne mahnitemi dhe kënaqemi kur shohim rolin që konferenca RootsTech ka qenë në gjendje të luajë për t’i ndihmuar mirëfilli miliona individë që të lidhen me familjen e tyre të së shkuarës, të së tashmes dhe së ardhmes.”

Si një konferencë ndërkombëtare, konferenca RootsTech rrjedhimisht ofron një përvojë për njerëzit në mbarë botën. Me aktualisht më shumë se 800 kontribute në gjuhë nga vende europiane mbi historinë familjare, kulturën dhe trashëgiminë, po bëhet gjithnjë e më e lehtë për europianët dhe pasardhësit e tyre që të mësojnë më shumë rreth vetes dhe origjinës së tyre. Çdo vit, biblioteka në rritje e materialeve filmike, zgjerohet me përmbajtje nga e gjithë bota në shumë gjuhë.

Këtë vit, konferenca RootsTech përfshin një ngjarje me pjesëmarrje fizike në Qendrën e Kongreseve Solt‑Palis në Solt-Lejk-Siti për të plotësuar përvojën e vet virtuale.

Bashkoju Konferencës RootsTech përmes Internetit ose Frekuentoje Fizikisht


Ngjarja falas përmes internetit përfshin:

  • Mbi 200 sesione dhe orë mësimore të reja që i ndiqni kur të doni
  • Paraqitje dhe folës kyç në skenë
  • Ndihmë përmes veçorisë së bashkëbisedimit dhe konsulta kërkimore përmes internetit
  • Lidhje me kushërinjtë duke përdorur mundësinë Relatives at RootsTech [Të Afërmit në RootsTech] dhe dërgimin e mesazheve
  • Salla e ekspozitës nëpërmjet internetit

Përvoja triditore, me pjesëmarrje fizike në Qendrën e Kongreseve në Solt-Lejk-Siti, Jutë kushton 98 dollarë. Ajo përfshin të drejtë hyrjeje në mundësinë e pjesëmarrjes nëpërmjet internetit dhe:

  • Mbi 180 sesione orësh mësimore shtesë me pjesëmarrje fizike me pyetje dhe përgjigje
  • Ndihmë kërkimore me prani fizike te FamilySearch Library [Biblioteka e Programit FamilySearch]
  • Demonstrime praktike nga financuesit në sallën e ekspozitës
  • Lidhje me miqtë dhe kushërinjtë me prani fizike
  • Mundësi për të ngrënë ushqime dhe për të pirë pije freskuese

E drejta e hyrjes në sallën e ekspozitës në Solt-Lejk-Siti, është falas dhe do të përfshijë më shumë se 200 ekspozues, demonstrime produktesh dhe ndërveprime me specialistë kërkimorë.

“Për ata prej jush që po e vënë në dyshim a të na bashkohen nëpërmjet internetit ose fizikisht, pjesa më e mirë e këtij viti është se mund ta zgjidhni vetë se si të na bashkoheni”, – tha Xhen Elen, drejtoreshë e ngjarjeve në FamilySearch në sesionin drejtpërsëdrejti të pyetjeve dhe përgjigjeve në RootsTech në shtator 2022. “Shpresojmë që do të vini në Solt-Lejk nëse keni mundësi, por nëse jo, përvoja nëpërmjet internetit do të jetë e jashtëzakonshme. Mezi po presim të lidhemi me të gjithë ju anekënd botës.”

Për më shumë informacion rreth konferencës RootsTech 2023, vizitoni faqen RootsTech.org. Për t’ju ndihmuar të mësoni më tepër rreth mundësive dhe procesit të regjistrimit, shihni sesionin drejtpërsëdrejti të pyetjeve dhe përgjigjeve në Facebook.