Frankfurt‑mbi‑Majn, Gjermani

Plaku Bednar takohet me Udhëheqësit e Qeverisë dhe të Komunitetit në Hungari gjatë dhënies së shërbesës nëpër Europë

Vizitat e Apostullit përfshijnë ndalesa edhe në Gjermani, Turqi, Qipro e Hungari

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe bashkëshortja e tij, Motra Suzën Bednar, kohët e fundit udhëtuan nëpër Europë, duke u dhënë shërbesë anëtarëve dhe miqve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Gjermani, Turqi, Qipro e Hungari. Nëpërmjet takimeve shpirtërore dhe konferencave, Plaku Bednar theksoi rëndësinë e zbulesës vetjake, bërjen dhe mbajtjen e besëlidhjeve të shenjta dhe të jetuarit si dishepuj të Jezu Krishtit. Ai u takua edhe me udhëheqës të qeverisë dhe të komunitetit për të forcuar marrëdhëniet dhe për të diskutuar përpjekjet dhe kontributet humanitare të Kishës për kërkimet mbi historinë familjare.

Berlin, GJERMANI

Më 14 shkurt, Plaku dhe Motra Bednar u takuan me rininë dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore beqare në Berlin gjatë një takimi shpirtëror të veçantë. Ata u shoqëruan nga Plaku Xhek N. Xherard, i Presidencës së Zonës së Europës Qendrore, dhe bashkëshortja e tij Klodeta, si dhe Plaku S. Mark Palmer, nga Presidenca e Të Shtatëdhjetëve, dhe bashkëshortja e tij Zhaklina. Çifti Bednar, udhëheqësit dhe vizitorët e tjerë të Kishës nuk ofruan biseda të parapërgatitura. Në vend të kësaj, ata iu përgjigjën pyetjeve nga rinia dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore beqare që ishin të pranishëm, duke përfshirë pyetje rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit, pendimit dhe marrjes së përgjigjeve ndaj lutjeve.

Plaku Bednar u kërkoi atyre që të përqendroheshin te mbresat në vend që të mbanin shënime gjatë sesionit dyorësh të pyetjeve dhe përgjigjeve.

“Lutja ime është që të mos mbani mend asgjë nga ato që thamë sonte. As edhe një gjë, por përkundrazi, të mos ta harroni kurrë atë që ju zbulua juve në mendjen e zemrën tuaj me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Prandaj kushtojini shumë vëmendje asaj që po mësoni me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë”, – i nxiti Apostulli.

Stamboll, Turqi

Më 16 shkurt, çifti Bednar u takua me anëtarët në Stamboll të Turqisë. Gjatë një konference të veçantë distrikti, ata dhanë inkurajim dhe këshilla për të jetuar si dishepuj të Jezu Krishtit dhe për të qenë qytetarë të mirë në komunitetet e tyre. Më shumë se 500 njerëz morën pjesë në konferencë, fizikisht ose nëpërmjet teknologjisë.

Plaku Bednar dha mësim rreth fuqisë që vjen nga bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve me Perëndinë: “Kur bëjmë besëlidhje me Perëndinë, ne mund të bekohemi me një dashuri të dallueshme dhe të fuqishme prej një lidhjeje me Të dhe Birin e Tij nëpërmjet besëlidhjeve”. Plaku Bednar i nxiti gjithashtu anëtarët që të ishin pjesëmarrës aktivë në komunitetet e tyre duke mishëruar cilësi si të Krishtit në ndërveprimet e tyre të përditshme. Ai gjithashtu shpjegoi se Kisha nuk është një ndërtesë fizike, por përkundrazi një grup besimtarësh, të bashkuar te Krishti dhe të zotuar për ta ndjekur Atë.

Plaku dhe motra Bednar u shoqëruan nga Plaku Ruben V. Alliod, President i Zonës së Europës Qendrore të Kishës, dhe bashkëshortja e tij, Motra Fabiana Alliod.

Larnaka, QIPRO

Një tjetër ndalesë e çiftit Bednar ishte në Larnaka, një qytet në ishullin e Qipros. Më 20 shkurt, shenjtorët e ditëve të mëvonshme dhe miq të besimit u mblodhën për të dëgjuar fjalët e dëshmitarit të veçantë të emrit të Jezu Krishtit, duke përfshirë Maria Zenierin, Ksaoju Uangun dhe Linda Farrel Milonasin që kanë një lidhje të thellë si anëtare pioniere të Kishës në ishull. Linda dallohet si anëtarja e parë fare. Së bashku, ato kanë dëshmuar rritjen e Kishës nga një grusht anëtarësh në gati 600 vetë.

Ndërsa Plaku Bednar i foli bashkësisë, ai ua drejtoi një pjesë të fjalëve të tij njerëzve që nuk janë anëtarë të besimit tonë fetar. “Mesazhi [i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme] është mesazhi më i rëndësishëm që mund të dëgjoni ndonjëherë”, – tha Apostulli. “Është mesazhi i Jezu Krishtit të gjallë dhe të ringjallur, me Atin e Tij, që iu shfaq një djali i cili përfundimisht u bë një profet. Dhe është nëpërmjet këtij profeti që ungjilli i Jezu Krishtit dhe Kisha e Jezu Krishtit u rivendosën përsëri në tokë. Ne shpallim se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është ajo Kishë. Dhe ne ju ftojmë që të vini dhe ta vini në provë këtë mesazh. Ejani dhe zbulojeni vetë.”

Ai i la ata me një dëshmi për hyjninë e Jezu Krishtit. “Kur Shpëtimtari thotë: ‘Unë jam udha’, Ai është e vetmja udhë nëpërmjet së cilës mund të kthehemi në praninë e Atit tonë Qiellor, të jetojmë me familjet tona për përjetësinë dhe përfundimisht të bëhemi si Ata”, – tha Plaku Bednar. “Dëshmoj se kjo është e vërtetë.”

Budapest, HUNGARI

Në Budapest, Plaku Bednar, së bashku me delegatë të tjerë të Kishës, përfshirë një përfaqësues nga FamilySearch, patën mundësinë të takoheshin me Miklos Soltezin, Sekretarin e Shtetit të Hungarisë për Kishat, Minoritetet dhe Çështjet Civile. Diskutimi u përqendrua te ndihmesat e Kishës në Hungari, përfshirë përpjekjet humanitare dhe kërkimin gjenealogjik nëpërmjet programit FamilySearch. Gjithashtu u theksuan ndërtimi i ardhshëm i Tempullit të Budapestit dhe rëndësia e tij, me një ftesë që iu bë zyrtarëve të qeverisë për të marrë pjesë në ngjarje kyçe si nisja e punimeve, shtëpia e hapur dhe përkushtimi. Takimi shërbeu si mundësi për të nxitur bashkëpunim më të ngushtë me qeverinë dhe për të hulumtuar fusha me interes të përbashkët.

Plaku Bednar u takua gjithashtu me Arkivistin Kryesor, Dr. Saba Zabo, që është Drejtori i Përgjithshëm i Arkivit Kombëtar të Hungarisë. Takimi theksoi përpjekjet e përbashkëta për të përkrahur kërkimin për historinë familjare dhe ruajtjen e arkivave, duke u mbështetur te nismat e kaluara dhe duke hulumtuar mundësi të reja. Dr. Zabo, një historian i respektuar, ka qenë thelbësor në nxitjen e lidhjeve midis programit FamilySearch dhe institucioneve hungareze, duke përfshirë universitetet dhe agjencitë qeveritare. Diskutimet prekën gjithashtu ngjarjet e mundshme të ardhshme dhe nismat arsimore që mund të nxisin më tej kërkimin gjenealogjik në Hungari.

Plaku Bednar zhvilloi takime edhe me misionarë, udhëheqës të Kishës dhe të rinj e të reja në moshë madhore, si dhe një konferencë të madhe me kunjin dhe dy distriktet gjatë qëndrimit të tij në atë shtet. Në takimin e tij me misionarët, Plaku Bednar dëshmoi se nderimi i besëlidhjeve mund të ndihmojë përgjatë kohëve të vështira: “Ndërsa u bindeni besëlidhjeve dhe i nderoni besëlidhjet që bëni në ungjill, madje edhe kur jeni mes lëndimit, ju mund të shihni përtej lëndimit dhe përmes tij drejt gëzimit”. Gjatë konferencës së kunjit dhe dy distrikteve, ai shpjegoi rreth interesit që ka Perëndia për ne: “Zoti dëshiron gjithçka tonën, gjatë gjithë kohës. Ai dëshiron që t’ju bëjë një person të ri. Ai nuk kërkon një pjesë tuajën, por tërësinë tuaj. Nuk ka asgjë më të gëzueshme sesa t’i japim Atij gjithçka jemi.”

Në Budapest, çifti Bednar u shoqërua nga e gjithë Presidenca e Zonës së Europës Qendrore dhe bashkëshortet e tyre, si edhe Plaku Palmer dhe bashkëshortja e tij.