Solt‑Lejk‑Siti, Jutë

Plaku Bednar dhe Plaku Gong Diskutojnë se si t’i Kuptojmë më Mirë Myslimanët

Udhëheqësit e Kishës paraqesin një broshurë që do të vijë së shpejti: “Myslimanët dhe Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme: Bindjet Fetare, Vlerat dhe Mënyrat e Jetesës”

Dy Apostuj të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme i inkurajuan ndjekësit e besimit të martën që t’i kuptojnë më mirë ngjashmëritë dhe dallimet që kanë me 1,8 miliardë ndjekësit e Islamit në glob.

“The Islamic World Today: Issues and Perspectives”, Konferencë në Universitetin “Brigam Jang”, mbajtur më 18–19 tetor 2021, në Provo, Jutë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“The Islamic World Today: Issues and Perspectives”, Konferencë në Universitetin “Brigam Jang”, mbajtur më 18–19 tetor 2021, në Provo, Jutë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Plaku Dejvid A. Bednar tha: “Të dyja besimet janë të ndryshme në shumë nga doktrinat tona thelbësore, por shumë nga vlerat tona dhe mënyrat në të cilat ne i praktikojmë besimet tona përkatëse janë të ngjashme dhe pasqyrojnë dashurinë tonë për Perëndinë dhe për bashkëqeniet tona.” Plaku Gerit W. Gong tha se mirëkuptimi duhet kërkuar hapur dhe sinqerisht, “me vlerësimin se ne jemi vëllezër e motra me një humanizëm të përbashkët”.

Plaku Dejvid A. Bednar dhe Plaku Gerit W. Gong flasin në sesionin e fundit të konferencës dyditore të UBJ së, “The Islamic World Today: Issues and Perspectives”, më 19 tetor 2021. Sesioni u mbajt në auditorin e ndërtesës Jozef Smith.
Plaku Dejvid A. Bednar dhe Plaku Gerit W. Gong flasin në sesionin e fundit të konferencës dyditore të UBJ së, “The Islamic World Today: Issues and Perspectives”, më 19 tetor 2021. Sesioni u mbajt në auditorin e ndërtesës Jozef Smith.

Anëtarët e tjerë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve folën së bashku në kompleksin e universitetit “Brigam Jang” (UBJ) në Provo, Jutë, gjatë sesionit të fundit të konferencës dyditore, “The Islamic World Today: Issues and Perspectives”.

 Plaku Gong tha se shenjtorët e ditëve të mëvonshme duhet të mësojnë më shumë për fqinjët e tyre myslimanë, sepse një njohuri e tillë “do të na ndihmojë të jemi më dashamirës dhe më të saktë në atë që themi dhe ndiejmë për njëri‑tjetrin”. Plaku Bednar e dënoi çdo vërejtje përçmuese dhe deklaratë përgjithësuese që shenjtorët e ditëve të mëvonshme kanë bërë për ndjekësit e Islamit. Komente të tilla, tha ai, janë të gabuara dhe fyese.

“Të tilla paragjykime bëjnë që ata të cilën ndihen kështu të shpërfillin dashamirësinë dhe mirësinë e shumicës dërrmuese të të gjithë myslimanëve”, tha Plaku Bednar. “Të sugjerosh që të gjithë myslimanët janë të lidhur me krime të rënda këtu në Shtetet e Bashkuara apo gjetkë në botë është … e pasaktë dhe fyese për myslimanët. Myslimanët e refuzojnë çdo veprim të tillë, ashtu siç bëjnë shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Çdo fe e madhe ka ekstremistë që keqinterpretojnë mësimet e fesë së tyre ose që kërkojnë të bëjnë keq në emër të fesë.”

Një kopje e broshurës së ardhshme të titulluar “Myslimanët dhe Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme: Bindjet Fetare, Vlerat dhe Mënyrat e Jetesës.”
Një kopje e broshurës së ardhshme të titulluar “Myslimanët dhe Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme: Bindjet Fetare, Vlerat dhe Mënyrat e Jetesës.”

Apostujt theksuan përpjekjet e përbashkëta të Kishës me myslimanët për të mbrojtur lirinë fetare dhe për t’u angazhuar në punë humanitare. Ata gjithashtu vunë në dukje burimet që e forcojnë mirëkuptimin e ndërsjellë dhe theksuan disa bindje të përbashkëta që i kanë të dyja komunitetet fetare.

Liria Fetare

“Kur takohemi me udhëheqësit myslimanë anembanë botës”, tha Plaku Gong, “ne flasim për mbrojtjen e lirisë fetare. Njerëzit e besimit kanë nevojë të qëndrojnë së bashku për tolerancën dhe dinjitetin e njerëzve të të gjitha bindjeve fetare.”

Vetëm disa shembuj të udhëheqësve të Kishës që shoqërohen me udhëheqës myslimanë në vitet e fundit përfshijnë Plakun Gong që u takua me një udhëheqës mysliman sunit dërsa ishte në Azi dhe Oqeani në vitin 2019, Plakun Bednar që u mblodh në dy vitet e fundit me udhëheqës nga Sudani në vendin e tyre dhe në Sheshin e Tempullit, dhe Plakun Ronald A. Rasband që u njoh me disa udhëheqës myslimanë në Forumin Ndërfetar G20 në vitin 2021 në Itali.

Plaku Gong lexoi nga një dekret i qytetit të Navusë të vitit 1841, i cili tregon tolerancë fetare gjatë fillimit të lëvizjes së shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. “U dekretoftë nga Këshilli Bashkiak i Qytetit të Navusë”, thuhet në tekst, “që katolikët, presbiterianët, metodistët, baptistët, shenjtorët e ditëve të mëvonshme, kuejkërat, episkopelianët, universalistët, unitarianët, [myslimanët] dhe të gjitha sektet dhe besimet e tjera fetare, cilatdo qofshin, do të kenë tolerancë të lirë dhe privilegje të barabarta në këtë qytet.”

Plaku Bednar tha se Kisha përpiqet “shumë fort për lirinë fetare jo vetëm për veten tonë, por për të gjithë. Ashtu si disa myslimanë në Shtetet e Bashkuara apo gjetkë në botë, anëtarë të Kishës sonë kanë ndier efektet e përndjekjes dhe të profilizimit, dhe ne bashkohemi me njerëz të mirë kudo për dënimin e veprimeve të tilla.”

Plaku Bednar tregoi për disa nga komentet mbi lirinë fetare që bëri në Forumin Ndërfetar [virtual] të G20‑ës vitin e kaluar, organizuar nga Arabia Saudite. Në atë forum, ai bëri thirrje për zgjidhje ndaj COVID‑19‑ës, të cilat nuk i ndalojnë njerëzit nga përvojat e adhurimit.

Puna Humanitare

Të dy Apostujt vizituan Indonezinë – vendin me më shumë myslimanë – menjëherë pas një cunami shkatërrues në dhjetor 2004 që vrau rreth 225 000 njerëz. Plaku Bednar sapo ishte thirrur në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve dhe Plaku Gong po punonte për UBJ‑në.

Plaku Gong tha se ata u takuan me ish‑presidentin e Indonezisë, vizituan xhaminë më të madhe të Xhakartës, dhuruan pajisje të nevojshme mjekësore dhe humanitare, dhe vizituan vendin ku ndodhi shkatërrimi. Latter-day Saint Charities [Organizata Bamirëse e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme] punoi me Islamic Relief [Ndihmën Islamike] dhe qeverinë indoneziane për të siguruar miliona dollarë ndihma të nevojshme.

Plaku Bednar tha se ndihma pas cunamit nga të dyja organizatat zgjati për vite me radhë ndërsa ata qëndruan për të rindërtuar komunitetet.

“Ky është vetëm një nga shembujt e shumtë se si shenjtorët e ditëve të mëvonshme kanë punuar së bashku me vëllezërit dhe motrat tona myslimane për të ndihmuar në zbutjen e vuajtjeve dhe për të siguruar që i gjithë njerëzimi të trajtohet me dashamirësi, dhembshuri e respekt”, tha Plaku Bednar.

“Jam mirënjohës që ndihma humanitare globale e Kishës sonë shtrihet te njerëzit në rreth 200 vende dhe territore të ndryshme, pa marrë parasysh racën, fenë apo përkatësinë etnike”, shtoi Plaku Gong.

Përpjekja më e fundit humanitare nga Kisha për komunitetin mysliman përfshin një dhurim në maj të vitit 2019 për të ndihmuar në rindërtimin e dy xhamive të sulmuara në Kraistçërç të Zelandës së Re. Plaku Gong dhe Presidenti Rasëll M. Nelson vizituan udhëheqësit myslimanë atje dhe paraqitën një çek.

“Isha shumë mirënjohës që qëndrova së bashku me Presidentin tonë të Kishës në dashuri dhe solidaritet me miqtë tanë myslimanë”, tha Plaku Gong. “Ne kontaktuam individë që ishin plagosur gjatë sulmeve në xhami. Isha i lumtur që mundëm të ofronim ndihmë praktike përballë tragjedisë dhe dhimbjes, dhe u zotuam të punonim së bashku për ta shtuar mirëkuptimin.”

Burimet për të Shtuar Mirëkuptimin e Ndërsjellë

Plaku Gong vuri në dukje tre burime që UBJ‑ja ka vënë në dispozicion për t’i ndihmuar myslimanët dhe shenjtorët e ditëve të mëvonshme ta kuptojnë më mirë njëri‑tjetrin:

  1. BYU’s Islamic Translation Series. Ky është një koleksion prej 14 librash i disa prej kontributeve më të njohura filozofike dhe skolastike të Islamit.
  2. Ekspozita e vitit 2012 për artin islamik “Bukuria dhe Besimi” e organizuar nga UBJ‑ja.
  3. Konferencat e UBJ‑së mbi Islamin. Këto shkëmbime akademike mes studiuesve të Islamit janë një nga traditat e vjetra të universitetit.

Për pikën e fundit, vërejti Plaku Gong, një studiues i Islamit tha se “këtu [në UBJ] mes besimtarëve fetarë ndiej se ndaj një oazë shpirtëror mes shkretëtirës moderne laike”.

Të dy Apostujt lexuan nga një burim që do të vihet në dispozicion në të ardhmen – një broshurë e re e quajtur “Myslimanët dhe Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme: Bindjet Fetare, Vlerat dhe Mënyrat e Jetesës.” Kjo do të botohet në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Plaku Bednar tha se dokumenti është fryt i viteve të punës, duke përfshirë bashkëpunimin me imamët myslimanë.

Dokumenti përvijon aspektet ku ka gjëra të përbashkëta dhe nxjerr në pah dallimet kryesore të bindjeve fetare. Këto përfshijnë sa vijon:

  • Besimi në një Perëndi të gjithëdijshëm dhe të gjithëfuqishëm është një bindje themelore.
  • Roli jetik i profetëve për të siguruar udhërrëfim nga Perëndia.
  • Zbulesa nga Perëndia e dhënë nëpërmjet lajmëtarëve si shkrim i shenjtë është themeli për të mësuar vullnetin e Perëndisë, për të mbajtur zotimet dhe për të marrë pjesë në adhurimin besnik.
  • Qeniet njerëzore duhet të komunikojnë me Perëndinë nëpërmjet lutjes së përditshme.
  • Perëndia kënaqet me pastërtinë dhe dëlirësinë.
  • Të dyja vlerësojnë gratë dhe rolin e tyre thelbësor në shoqëri dhe në shtëpi.
  • Familja është njësia themelore e shoqërisë dhe një burim thelbësor i gëzimit.
  • Jezu Krishti luan një rol të rëndësishëm, megjithëse të ndryshëm, për të dyja grupet.

“Jezu Krishti jep mësim se dy urdhërimet e mëdha janë ta duam Perëndinë dhe ta duam më shumë njëri‑tjetrin”, tha Plaku Gong. “Mirëkuptimi më i madh ndaj njëri‑tjetrit na ndihmon ta duam njëri‑tjetrin. Mësofshim të ndajmë dhe të mirëkuptojmë hapur dhe saktë, në mënyrë që të mund të takohemi me duar të shtrira me respekt dhe vullnet të mirë, jo me grushte të shtrënguara të injorancës apo antagonizmit.”

Miqve myslimanë të pranishëm të martën në mbrëmje, Plaku Bednar u shprehu dëshirën e sinqertë të Kishës “për t’u bashkuar me ju për të bërë mirë”. Ai u lut që “Perëndia i Abrahamit – Perëndia i të gjithëve ne – ta ruajë dhe ta bekojë secilin prej nesh në këtë përpjekje të rëndësishme dhe thelbësore”.