Pjesëtarët e Brezit të Ri në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë po “Ngrenë Atje Ku Ndodhen”

Pjesëtarët e ‘Brezit të Ri’ nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u përgjigjën “po!” më 11 shtator 2021 duke u shërbyer fqinjëve të tyre në mënyra të mëdha e të vogla.

Pjesëtarët e ‘Brezit të Ri’ nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u përgjigjën “po!” më 11 shtator 2021 duke u shërbyer fqinjëve të tyre në mënyra të mëdha e të vogla.  Rinia, misionarët, të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë punuan së bashku për t’u përfshirë njëherësh në qindra veprime shërbimi.

Të rinjtë në moshë madhore punojnë për të pastruar një zonë parku
Të rinjtë në moshë madhore punojnë për të pastruar një zonë parku

Vullnetarët në moshë të re u frymëzuan nga fjalët e Presidentit të Kishës, Rasëll M. Nelsonit, i cili i ftoi njerëzit të bëjnë mirë dhe bëri pyetjen: “A do të donit të ishit pjesë e madhe e sfidës më të madhe, kauzës më të madhe dhe punës më të madhe në tokë sot?”

Të rinjtë në moshë madhore dhe misionarët punojnë në grupe për të pastruar mbetje në Arboretumin Uikstid
Të rinjtë në moshë madhore dhe misionarët punojnë në grupe për të pastruar mbetje në Arboretumin Uikstid

Në Londër, Kunji Hajd Park [një kunj është si një dioqezë] zakonisht ka mbajtur një konferencë dyditore për të rinjtë në moshë madhore me orë mësimore, lojëra, një projekt të vogël shërbimi dhe veprimtari vallëzimi.  Këtë vit, të rinjtë në moshë madhore thanë se është koha për të bërë diçka të ndryshme.  Ata donin të pranonin sfidën të titulluar “Ngrini Aty Ku Ndodheni” duke dalë në komunitet dhe duke u lidhur me organizatat bamirëse dhe grupet vendore për të ndihmuar në mënyra të thjeshta që do të sillnin ndryshime të mëdha në jetën e njerëzve përreth tyre.

Të rejat mbledhin pulla për të blerë një dhi për një fshat
Të rejat mbledhin pulla për të blerë një dhi për një fshat

Me shumë mënyra për të shërbyer në komunitet, pjesëtarët e Brezit të Ri i panë këto mundësi dhe shtrinë dorën e ndihmës për të treguar dashurinë dhe përkrahjen e tyre për të tjerët. Dyzet kunje në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë u zotuan që të shërbejnë.  Kunji i Belfastit mblodhi dhe dorëzoi ushqime dhe materiale higjienike për North Belfast Food Bank [Bankën e Ushqimeve në Belfastin Verior]. Lagjja Britania (një bashkësi fetare) bëri karta me figura për t’i ndihmuar refugjatët të mësojnë anglisht.  Kunji Kaventri mblodhi, përzgjodhi dhe paketoi 16 000 pulla postare të vjetra në emër të organizatës bamirëse Oxfam, të cilat ishin të mjaftueshme për të blerë një dhi për një fshat. Kunji Mançester mblodhi mjaftueshëm furnizime për refugjatët afganë sa të mbushnin dy kamionë. Kunji Northamptën ndihmoi për të rindërtuar Arboretumin, një kopsht botanik pemësh në parkun Uikstid në Ketering.  Një i ri në moshë madhore tha: “Ne erdhëm këtu gjatë gjithë fëmijërisë sonë për festat e ditëlindjeve dhe ngjarje familjare. Është gjë e mirë të ndihmojmë për ta rindërtuar kopshtin kështu që të tjerët të mund të kënaqen në park.”

Rinia dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore mbledhin furnizime për refugjatët afganë
Rinia dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore mbledhin furnizime për refugjatët afganë

Teksa punuan, ata bënë publikime në thurjen #DayToServe në mediat shoqërore për të përhapur mesazhin e dhënies së shërbimit.  Të dielën, ata u takuan në internet që t’i tregonin përvojat e tyre.  Me një kor virtual dhe shprehje të përzemërta gëzimi për shërbimin e tyre, ata kremtuan së bashku.

Ky përqendrim te shërbimi nga ana e pjesëtarëve të Brezit të Ri, po i frymëzon njerëzit e të gjitha moshave anembanë Mbretërisë së Bashkuar dhe pjesës tjetër të Europës që të bashkohen me ta, të përfshihen dhe të shërbejnë në mënyra të ngjashme.  11 shtatori është bërë një ditë shërbimi për njerëzit në pjesë të tjera të botës.  Në Frankfurt, pesëdhjetë e pesë vullnetarë nga Kisha në Gjermani u bashkuan me vullnetarë të tjerë për t’u përfshirë në përpjekje shërbimi për ata që vuajtën në përmbytjet e korrikut. Në krahinën Arvajler të shtetit Rain‑Falz, anëtarët shembën mure të dëmtuara të shtëpive, hoqën baltë e mbeturina, pastruan kopshte dhe mbollën lule. Një e re që mori pjesë, ishte Ines Adriano (16 vjeçe). Ajo tha: “Ishte vërtet mbresëlënëse që kaq shumë njerëz po ndihmonin … dhe që të gjithë po e bënin atë pa pagesë”.

Në Gjermani, të rinjtë në moshë madhore pastrojnë shtegun e biçikletave pas përmbytjes
Në Gjermani, të rinjtë në moshë madhore pastrojnë shtegun e biçikletave pas përmbytjes
Shenjë në gjermanisht në zonën e përmbytjes ku shkruhet ‘faleminderit’ vullnetarëve
Shenjë në gjermanisht në zonën e përmbytjes ku shkruhet ‘faleminderit’ vullnetarëve

Anëtarët e Kishës gjithashtu e dinë se shërbimi është i nevojshëm gjatë gjithë vitit. Në Republikën Çeke, qindra njerëz u mblodhën për të ndihmuar viktimat e një tornadoje shkatërruese që ndodhi në qershor.  Tetëdhjetë vullnetarë nga Kisha, me bluzat e tyre të verdha të “Duarve Ndihmëtare”, punuan në tre fshatra për të bërë pastrim dhe riparime.  Vojtek Novotni (24 vjeç), nga Pardubice, Republika Çeke tha: “Mendoj se është mjaft e natyrshme që njerëzit ta ndihmojnë njëri‑tjetrin”.

Të rinjtë në moshë madhore çekë rindërtojnë pas tornados
Të rinjtë në moshë madhore çekë rindërtojnë pas tornados

Pjesëtarët e Brezit të Ri të Kishës po e shndërrojnë botën nëpërmjet veprimeve vetëmohuese të shërbimit, të cilat e pasurojnë jetën e tyre ndërkohë që ata bekojnë jetën e të tjerëve.