Antakia, Provinca e Hatait

Peshkopi Uadell Viziton Zonat e Goditura nga Tërmeti në Turqi

Kisha do të japë ndihmë shtesë në rajon

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme po i shton përpjekjet humanitare në Turqi dhe Siri ndërsa rajoni vazhdon të përtërihet nga tërmetet shkatërrimtare të shkurtit.

“Teksa ngitnim makinën nëpër qytetin e Antakiës, shtanga nga përmasat e shkatërrimit.  Kam parë diçka të tillë në fotografitë e qyteteve të bombarduara gjatë Luftës II Botërore. Ishte diçka serioze”, – tha U. Kristofer Uadell, i Peshkopatës Kryesuese, i cili u kthye së fundi nga një vizitë dyditore në Turqi.

Peshkopi W. Kristofer Uadell me bashkëshorten e tij, Karolën, dhe me ekipin e Autoritetit të Administrimit të Katastrofave Natyrore dhe Urgjencave të Turqisë (AFAD) në Turqi, maj 2023.
Peshkopi W. Kristofer Uadell me bashkëshorten e tij, Karolën, dhe me ekipin e Autoritetit të Administrimit të Katastrofave Natyrore dhe Urgjencave të Turqisë (AFAD) në Turqi, maj 2023.

“Për të gjitha synimet dhe qëllimet, qyteti prej 400 000 njerëzish nuk ekziston më”, – tha Peshkopi Uadell. “Shumica e shtëpive dhe e fabrikave janë shembur. Shtëpitë dhe ndërtesat që ende kanë mbetur, do të duhet të prishen.”

Antakia është kryeqytetit i Provincës së Hatait në pjesën jugore të vendit pranë kufirit me Sirinë. Qyteti e ka humbur edhe infrastrukturën e tij, përfshirë rrjetin e ujësjellësit, elektrik dhe të kanalizimeve.

Ndërtesa të shembura në Turqi pas tërmeteve në maj 2023.
Ndërtesa të shembura në Turqi pas tërmeteve në maj 2023.

Pas mbledhjeve me drejtuesit e Kishës nga Europa dhe Afrika, Peshkopi Uadell udhëtoi drejt Lindjes së Mesme me bashkëshorten e tij, Karolën, dhe përfaqësues të tjerë nga Kisha. Ata ishin në Turqi më 10 dhe 11 maj 2023 për të shqyrtuar rezultatet e ndihmës humanitare të dhënë nga Kisha pas tërmeteve shkatërruese dhe për t’u takuar me zyrtarët e Turqisë në lidhje me përkrahjen e mëtejshme.

Ndërsa ishte në vend, ai u takua me Dr. Selami Këllëçin, Drejtorin e Përgjithshëm për Punët e BE-së dhe ato të Jashtme në Ministrinë turke të Shëndetit dhe Autoritetin e Administrimit të Katastrofave Natyrore dhe të Urgjencave (organizatën AFAD) të Turqisë, me seli në Ankara. Dr. Këllëçi shprehu vlerësim të madh për ndihmën e Kishës dhe komentoi se Kisha ka qenë një nga organizatat më të efektshme në reagimin e saj ndaj tërmeteve, duke bërë atë që tha se do të bënte.

Strehim i përkohshëm për familjet e mbetura pa shtëpi në Turqi, maj 2023.
Strehim i përkohshëm për familjet e mbetura pa shtëpi në Turqi, maj 2023.

“Burhan Asllani dhe Nalan Ajdini e falënderuan Kishën për dhurimet e jashtëzakonshme dhe ndihmën e dhënë nëpërmjet organizatës AFAD”, – tha Peshkopi Uadell. “Shkalla e ndihmës u vlerësua gjithashtu pa masë.”

Kisha e Jezu Krishtit qe e shpejtë në reagim dhe ka punuar me një numër organizatash për ndihmë në zonën e tërmetit qëkurse ndodhi katastrofa natyrore.

Peshkopi W. Kristofer Uadell bisedon me një përfaqësues të firmës Turmaks, furnitorit të klinikës së lëvizshme, maj 2023. Kisha po i siguron rajonit pesë klinika të lëvizshme mjekësore.
Peshkopi W. Kristofer Uadell bisedon me një përfaqësues të firmës Turmaks, furnitorit të klinikës së lëvizshme, maj 2023. Kisha po i siguron rajonit pesë klinika të lëvizshme mjekësore.

Gjatë kohës së qëndrimit në Turqi, Peshkopi Uadell shkoi të shihte edhe disa strehime të përkohshme, përfshirë një kamp çadrash dhe një kamp kontejnerësh dhe një klinikë të lëvizshme mjekësore në Pajaz si dhe një fabrikë prodhimi klinikash të lëvizshme.

Gjatë vizitës së tij, Peshkopi Uadell nënshkroi një letër dhurimi për të siguruar 500 kontejnerë strehimi për njerëzit e mbetur pa shtëpi. Kontejnerët janë të pajisur me një tualet dhe dush dhe u sigurojnë familjeve më shumë privatësi sesa çadrat. Ata që rrinë nëpër çadra, duhet të përdorin tualete dhe dushe të përbashkëta.

Ndërtesa të shkatërruara në Turqi pas tërmeteve në maj 2023.
Ndërtesa të shkatërruara në Turqi pas tërmeteve në maj 2023.

Kisha po i siguron rajonit edhe klinika të lëvizshme mjekësore. Tri klinika janë në funksionim dhe një e katërt do t’u jepet në dorëzim së shpejti. Peshkopi Uadell mësoi edhe për një vendndodhje të pestë ku nevojitet një klinikë e lëvizshme mjekësore dhe ajo u miratua pas kthimit të tij në shtëpi. Ajo do të jetë në një qytezë që quhet Ogyzeli ku popullata është shtuar në 70 000 veta nga 10 000 ngaqë të mbijetuarit po shpërngulen atje për të kërkuar strehim.

Përveç kësaj, Kisha do të ndihmojë të financohen riparimet e një spitali në Gaziantep që u dëmtua prej lëkundjeve.