Pesë Mrekulli në Historinë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Mësoni se si Mrekullitë Janë një Pjesë e Rëndësishme e Historisë së Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

zwei Männer beten, ein Engel legt einem von ihnen die Hände auf
Rivendosja e priftërisë së shenjtë të Perëndisë nëpërmjet Profetit Jozef Smith është një mrekulli në historinë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Historia e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, është plot me ngjarje të mrekullueshme që dëshmojnë përfshirjen e Perëndisë në jetën e fëmijëve të Tij. Vazhdojeni leximin për të mësuar më shumë vetëm për disa prej ngjarjeve në historinë e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, të cilat ua kanë bekuar jetën miliona njerëzve në mbarë botën.

Mrekullia Nr. 1 në Historinë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme: Vegimi i Parë i Jozef Smithit

Në pranverën e vitit 1820, Jozef Smithi, një djalosh ferme nga pjesa rurale e Nju-Jorkut, po haste vështirësi për të ditur se me cilën kishë duhej të bashkohej. Gjatë studimit të Biblës nga ana e tij, Jozefi hasi Jakobin [Bibël] 1:5, i cili thotë: “Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet”. I frymëzuar që të vepronte sipas fjalëve të Jakobit, Jozefi shkoi në pyllin pranë shtëpisë së tij dhe u lut.

Në një përgjigje të mrekullueshme ndaj lutjes së Jozefit, u shfaqën Perëndia, Ati, dhe Jezu Krishti. Ata i thanë Jozefit të mos bashkohej me asnjë kishë që ishte në atë kohë në tokë. Jozefi e ndoqi këshillën që mori dhe më vonë u bë profeti nëpërmjet të cilit Perëndia rivendosi Kishën e Tij të vërtetë në tokë (shih Joseph Smith – Historia 1). Jozefi ishte profeti dhe Presidenti i parë i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Mrekullia Nr. 2 në Historinë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme: Përkthimi i Librit të Mormonit

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se Libri i Mormonit “është një anal i marrëdhënieve të Perëndisë me njerëzit që jetonin në kohërat e lashta në kontinentet amerikane” (Të Vërtetë ndaj Besimit [2005], f. 161). Libri i Mormonit u shkrua nga profetë të lashtë, të cilët e gdhendën analin në fletë të arta. I fundit i atyre profetëve, Moroni, i groposi fletët përpara se të vdiste. Në vitin 1823, Moroni iu shfaq si një engjëll Jozef Smithit dhe i tregoi atij se si t’i gjente e t’i përkthente fletët.

Kur Jozefi i mori fletët, ai mundi që në mënyrë të mrekullueshme t’i përkthente ato në anglisht, nëpërmjet ndihmës nga Perëndia. Pa ndihmën hyjnore, Jozefi nuk do të kishte mundur ta përkthente analin e lashtë. Bashkëshortja e Jozefit, Ema, dëshmoi se, në kohën e përkthimit, Jozefi “as nuk mund të shkruante e as nuk mund të diktonte një letër të lidhur logjikisht e të shprehur mirë, e jo më të diktonte një libër si Libri i Mormonit” (“Përkthimi i Librit të Mormonit”, Ese mbi Temat e Ungjillit, https://www.churchofjesuschrist.org/study/manual/gospel-topics-essays/book-of-mormon-translation?lang=alb). Sot, Libri i Mormonit është përkthyer në më shumë se njëqind gjuhë dhe ndihmon miliona njerëz anembanë botës të mësojnë më shumë rreth Jezu Krishtit.

Mrekullia Nr. 3 në Historinë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme: Rivendosja e Priftërisë

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se priftëria është fuqia dhe autoriteti që Perëndia i jep njeriut për të vepruar në emrin e Tij. Kur Jezu Krishti dhe Apostuj e Tij u vranë, priftëria u mor nga toka. Në vitin 1829, priftëria iu rivendos Jozef Smithit nga lajmëtarë qiellorë, duke përfshirë Gjon Pagëzorin dhe Apostujt Pjetri, Jakobi e Gjoni. Duke e përdorur atë autoritet priftërie dhe nën drejtimin e Zotit, Jozefi, më 6 prill 1830, organizoi Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Mrekullia Nr. 4 në Historinë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme: Përkushtimi i Tempullit të Kirtlandit

Në dhjetor 1832, Perëndia e urdhëroi popullin e Tij që të ndërtonte një tempull: një shtëpi adhurimi dhe mësimi. Shenjtorët e hershëm të ditëve të mëvonshme punuan [me mund] dhe sakrifikuan për disa vjet që ta përfundonin tempullin e Kirtlandit. Kjo “shtëpi e Zotit”, përfundimisht u përkushtua në mars të vitit 1836 dhe përkushtimi i saj u shoqërua me shfaqje të mëdha shpirtërore. Shumë anëtarë të Kishës panë engjëj, dhe Vetë Jezu Krishti iu shfaq Jozef Smithit e Oliver Kaudërit për ta pranuar tempullin. U shfaqën edhe Moisiu, Eliasi dhe Elija (shih DeB 110). Sot, anëtarët e Kishës mund të adhurojnë dhe të mësojnë në mbi 150 tempuj përqark botës.

Mrekullia Nr. 5 në Historinë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme: Vegimi i Jozef F. Smithit për Botën e Shpirtrave

Në vitin 1918, Presidenti i Kishës Jozef F. Smithi, po vajtonte për humbjen e disa pjesëtarëve të familjes, përfshirë djalin e tij më të madh, një dhëndër të ri në moshë dhe një nuse (shih Lisa Olsen Tait, “Susa Young Gates and the Vision of the Redemption of the Dead”, seria Revelations in Context, 14 gusht 2015, history. churchofjesuschrist.org). Ndërsa përsiaste mbi Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe analin e 1 Pjetrit kur Krishti u predikon të vdekurve (shih 1 Pjetër 3–4), Presidenti Smith pa jetën e përtejvarrit në një vegim të mrekullueshëm. Ai pa se shërbëtorët e drejtë të Perëndisë, pasi vdesin, vazhdojnë t’ua predikojnë ungjillin atyre që nuk kanë dëgjuar për të. Ai dha mësim se ata që jetojnë në tokë, kanë përgjegjësinë për të kryer ordinanca të shenjta të ungjillit, të tilla si pagëzimin mëkëmbës për pjesëtarët e tyre të familjes që kanë vdekur, të cilët nuk i morën këto ordinanca ndërsa ishin gjallë (shih DeB 138).

Mrekullitë Sot

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se mrekullitë vazhdojnë sot. Ndërsa njerëzit në mbarë botën mësojnë më shumë rreth Kishës së Krishtit në tokë sot, ata mund të arrijnë ta kuptojnë vetë historinë e mrekullueshme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe të përjetojnë paqe e gëzim nga njohuria se Perëndia është ende i përfshirë aktivisht në jetën e fëmijëve të Tij. Për të mësuar më shumë mbi historinë dhe mësimet e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, vizitoni EjaniteKrishti.org.