Shqipëri 

Përqafimi i të Tjerëve: Mënyra se si Shenjtorët Shqiptarë të Ditëve të Mëvonshme e Tregojnë Dashurinë duke Dhuruar Batanije Një e nga Një 

Në Bibël, Krishti jep dy urdhërime të mëdha: “Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe më gjithë mendjen tënde” dhe “duaje të afërmin tënd porsi vetveten”. Për anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Shqipëri, këto urdhërime i tejkalojnë fjalët në një faqe; ato përfaqësojnë një thirrje për veprim, një thirrje që ata e përqafojnë me dëshirë.   

Në dhjetor 2023, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhuroi një komplet makinash larëse dhe tharëse për një jetimore në Sarandë të Shqipërisë. Me fondet e mbetura, shenjtorët shqiptarë organizuan një projekt shërbimi duke përgatitur batanije me push pa qepje dhe duke shkruar kartolina për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri për fëmijët jetimë dhe familjet aty pranë. 

Misionarët nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme shkruajnë kartolina për Krishtlindje për fëmijët jetimë.
Misionarët nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme shkruajnë kartolina për Krishtlindje për fëmijët jetimë.

Të frymëzuar nga një grua e moshuar e verbër në Shtetet e Bashkuara, e cila e shprehu dashurinë e saj për njerëzit në nevojë duke përgatitur batanije pa qepje dhe duke e përqafuar secilën prej tyre përpara se t’i dhuronte, shenjtorët shqiptarë nisën projektin “Batanije dhe një Përqafim”. Duke imituar shpirtin e saj bujar, mbi 80 misionarë me kohë të plotë shenjtorë të ditëve të mëvonshme, të vendosur në ose afër Shqipërisë, u mblodhën për të bërë 28 batanije të mëdha me push dhe kartolina urimi për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri për fëmijët jetimë në Sarandë dhe tre familje të tjera të zonës në nevojë.   

Për anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, shërbimi ndaj të tjerëve është një shprehje thelbësore e besimit të tyre. Libri i Mormonit, një tekst i shenjtë për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, shpall: “Kur ju jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj”. Me këtë parim në mendje, shenjtorët shqiptarë organizuan një tjetër projekt për përgatitjen e batanijeve pa qepje, këtë herë, për nënat e reja në nevojë. 

Misionarët dhe anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme shkruajnë kartolina për nënat e reja.
Misionarët dhe anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme shkruajnë kartolina për nënat e reja.

Në maj 2024, një grup prej 30 grash shqiptare shenjtore të ditëve të mëvonshme bashkëpunuan me Lizi Grezdën, Drejtoreshë e Fondacionit Spitalor “Nëna dhe Fëmija”. Së bashku, ato bënë 100 batanije për bebe dhe kartolina shoqëruese për t’i futur në kuti për nënat e reja në nevojë. Përveç kësaj, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme i dhuroi organizatës disa monitorë për shenjat jetike, oksimetra për pulsin dhe kuti plot me sende të domosdoshme për të porsalindurit.   

Kur u pyet për mendimet e saj mbi projektin, Motra Karolin Kasper, një misionare për Kishën në Shqipëri, tha: “E përqafova fort atë batanije, duke shpresuar që nëna të ndiente qoftë edhe një pjesëz të dashurisë që ka Ati i saj Qiellor për të”. Ndërsa gëzimi që rrjedh nga shërbimi, është mjaftueshëm nxitës, shenjtorët e ditëve të mëvonshme shpesh gjejnë kënaqësi më të madhe duke e ditur se shërbimi i tyre mund të jetë një mjet për të treguar dashurinë e Perëndisë. 

Motrat misionare që shërbejnë në Shqipëri, i përqafojnë batanijet që bënë për nënat e reja në nevojë.
Motrat misionare që shërbejnë në Shqipëri, i përqafojnë batanijet që bënë për nënat e reja në nevojë.

Të kesh ndikim nuk kërkon gjeste të tepruara apo madhështore; thjesht kërkon një synim të vërtetë për të bërë mirë. Nëpërmjet shërbimit të tyre, shenjtorët shqiptarë të ditëve të mëvonshme prekën jetën e gati 130 individëve, duke u siguruar që ata të ndienin se të tjerët i kanë në vëmendje, i duan dhe kujdesen për ta – si nga të afërmit e tyre ashtu edhe nga Perëndia, ashtu si lidhja e nyjeve të batanijeve, një e nga një.